Shoqëria civile kritikon reformat qeveritare

Në takimin me BE-në, shoqëria civile i dha “notë të kuqe” qeverisë shqiptare. Organizatat joqeveritare denoncuan reformat që ekzistojnë vetëm në letër dhe mungesën e zbatimit real në fusha si mjedisi, drejtësia, barazia gjinore dhe mbrojtja sociale. BE kërkon më shumë vullnet dhe veprim konkret.

Ida Ismalaj

Pas publikimit të Progres Raportit 2025 për Shqipërinë, ambasadori i Bashkimit Europian, Silvio Gonzato zhvilloi një takim me përfaqësues të shoqërisë civile shqiptare. Tryeza, që kishte për synim të vlerësonte përparimin e reformave dhe zbatimin e tyre në terren, u shndërrua në një “pasqyrë realiteti” ku organizatat joqeveritare dhanë një mesazh të qartë: Reformat ekzistojnë në letër, por mungon zbatimi real.

Entela Pinguli nga “ECO Partners” ngriti shqetësimin për mungesën e monitorimit dhe llogaridhënies në fushën e mjedisit.

“Kemi mungesë totale monitorimi. Institucionet që duhet të mbrojnë mjedisin paguhen, por nuk bëjnë punën e tyre. Dëmet mjedisore po përfundojnë në gjykata, ndërkohë që shumë gjyqtarë nuk kuptojnë as natyrën e këtij dëmi” u shpreh ajo.

Ndërsa përfaqësues të Shoqatës “Ndihmoni Jetën” theksuan se reformat sociale nuk zbatohen në nivel vendor dhe se kategoritë në nevojë po mbeten jashtë çdo politike mbështetëse.

“Kemi 145 mijë familje me fëmijë me aftësi të kufizuara, janë në nevojë. Shumica nuk marrin asnjë shërbim, sidomos pas moshës 18 vjeç. Reformat bëhen në letër, por kur vjen koha e zbatimit, i vihet faji buxheteve”.

Më tej u shtua se shoqëria civile nuk përfshihet në proceset buxhetore dhe konsultimet publike, duke kërkuar që BE të përfshijë më shumë organizatat lokale në programet e saj.

Reforma në drejtësi dhe ligjet në Kuvend

Enkelejda Kallçiu ngriti shqetësimin se fokusi tek reforma në drejtësi ka lënë në hije mbrojtjen e fëmijëve në konflikt me ligjin.

“Kemi 10 institucione që duhet të marrin hapa konkretë për të mbrojtur fëmijët në konflikt me ligjin. Reformat në drejtësi janë të rëndësishme, por most ë lëmë pas të drejtat e fëmijëve, të atyre që janë abuzuar, jetimëve etj. Nuk shoh interest ë shtuar në këtë çështje”.

Nga ana tjetër, Edlira Çepani ngriti shqetësimin për mungesën e mbështetjes për gratë në politikë dhe keqkuptimet që kanë lindur rreth ligjit për barazinë gjinore.  

“Kemi deputetë që miratojnë ligje pa kuptuar se çfarë përmbajnë. Ligji për barazinë gjinore është keqinterpretuar, disa kanë hequr stereotipe pa ditur se për çfarë bëhet fjalë. Qeveria duhet të mbështesë më shumë ekspertizën që vetëm shoqëria civile mund ta ofrojë” theksoi Çepani.

Në fund, Genc Myftiu nga Organizata “Agjencia e Zhvillimit të Qëndrueshëm” e përmbylli me një reflektim të fortë politik: “Kemi arritur një formë monopoli, si në ekonomi, ashtu edhe në media. Demokracia pa diversifikim po zhduket. Edhe shoqëria civile është dobësuar sepse nuk ka hapësirë reale për ndikim” paralajmëroi ai.

Në përfundim të tryezës, ambasadori Silvio Gonzato u bëri thirrje autoriteteve shqiptare të tregojnë vullnet real për zbatim.

“Tryezat e rrumbullakta janë joefikase nëse qeveria ka programe, por nuk cakton forcë punëtore. Raporti flet për balancë, Shqipëria duhet të investojë më shumë në sektorin e ujit. Ndërkohë që flitet për zona të mbrojtura, kemi prerje massive të pyjeve, ndërtim. Anëtarësimi në BE nuk vjen vetëm nga miratimi i ligjeve, por nga zbatimi i tyre” u shpreh ai.

Në fund të takimit, përfaqësuesit e Organizatave të Shoqërisë Civile i kërkuan Bashkimit Evropian të mos mjaftohet me raportet, por të mbështesë projektet e organizatave që punojnë realisht në terren, atje ku reformat duken vetëm në letër.