Denada Jushi
Tirana mbetet sërish në duart e Erion Veliajt. Kështu vendosi Gjykata Kushtetuese ditën e sotme me 5 vota pro dhe 3 vota kundër, duke e konsideruar të pavlefshëm shkarkimin nga Këshilli Bashkiak dhe vendimi i pasardhës të Këshillit të Ministrave.
Erion Veliaj, përveç se arrin të mbetet në detyrë, ka arritur të “mposhtë” edhe partinë e bashkëpunëtorët e tij, të cilët i konsideroi si kulisa politike në luftë kundër votës.
Të premten u mbajt seanca dëgjimore, ku Gjykata Kushtetuese dëgjoi të gjitha palët. Një nga seancat më mirë të përgatitura nga të gjitha palët.
Erion Veliaj u shfaq i përgatitur në 9 minutat e tij, që ai i përcaktoi si 9 muaj përgatitje për 9 minuta (me konsensusin e Gjykatës u bënë afro 12 minuta që iu lanë në dispozicion për t’u mbrojtur).
“Nuk kam shkuar në punë, jo se nuk kam dashur, por nuk jam lejuar,” u shpreh ai.
Nga ana tjetër, mbrojtja nga Presidenca dhe Qeveria ishin të kuadruara nën argumentin se kanë ndjekur vetëm ligjin për këtë çështje.
Mbrojtja e Veliajt argumentoi se neni 62, pika c, i ligjit për qeverisjen vendore nuk mund të përdoret si bazë për shkarkimin e një kryebashkiaku, pasi neni 115 i Kushtetutës përcakton se qeveria mund të marrë një vendim të tillë vetëm për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve.
Jordan Daci, i cili u tërhoq pak ditë më parë nga mbrojtja e z. Veliaj, e kishte paralajmëruar se ky do të ishte vendimi i Gjykatës, sepse edhe në rastet e ngjashme më parë ka vepruar në të njëjtin standard.
Erion Veliaj u arrestua në zyrën e tij më 10 shkurt2025, dhe është duke u përballur me një sërë akuzash për korrupsion në 9 raste, 5 akuza në total: korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
Veliaj, së bashku me Ballukun, janë zyrtarët më të lartë në detyrë që janë duke u përballur me drejtësinë, përtej ish-ministrit Ahmetaj, i cili mbetet ende në arrati.
Të premten ishte shfaqja e parë e Veliajt në publik që nga arrestimi, dhe tani me rikonfirmimin në detyrë, mbetet për t’u parë se çfarë do të vendosë në vijim si kryetar bashkie.
Ogerta Manastirliu, Florjan Binaj dhe Arlind Qori, pavarësisht fillimit jozyrtar të fushatave të tyre elektorale, do të mbeten të provojnë “fatin” në 2027. /acqj.al