Punonjësit e administratës, shërbëtorë të shtetit apo të partisë?

Në një shtet demokratik, nëpunësit civilë duhet të jenë të paanshëm, por punësimet politike po minojnë besimin për administratën publike. Një rast shqetësues ka mbërritur në platformën “Sinjalizo”, që ngre dyshime mbi politizimin e administratës publike. Në qendër të denoncimit është znj. B. Ç, e cila sipas denoncuesit është përzgjedhur në një garë për një post në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, në kundërshtim me parimet e shërbimit civil. Qytetari ngre dyshime për një konflikt të hapur interesi dhe përfshirje politike të paligjshme të punonjëses të administratës shtetërore, që vendos në pikëpyetje integritetin e konkurseve në sektorin publik.

Ida Ismalaj

Në një shtet demokratik, nëpunësit civilë duhet të jenë të paanshëm dhe në shërbim të interesave të shtetit dhe qytetarëve, jo të një partie politike. Megjithatë, në Shqipëri, kufiri mes shtetit dhe partisë duket gjithnjë e më i paqartë, duke ngritur shqetësime të thella për etikën dhe integritetin institucional. Zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 kanë nxjerrë edhe një herë në pah presionin mbi punonjësit publikë për t’u angazhuar në aktivitete partiake, veçanërisht në prag të votimeve.

Fushata me administratën: Çfarë thanë vëzhguesit ndërkombëtarë dhe vendorë?

Raportet nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe vendorë kanë theksuar sfidat që lidhen me integritetin e procesit zgjedhor. OSBE/ODIHR, në gjetjet paraprake, theksoi se partia në pushtet, që drejton vendin prej vitit 2013, përfitoi nga përdorimi i burimeve publike gjatë fushatës, duke krijuar një avantazh të padrejtë. Raporti evidentoi gjithashtu shkelje procedurale, raste intimidimi ndaj votuesve dhe mungesë transparence, duke reflektuar probleme më të thella strukturore në institucionet demokratike të vendit.

Qëndresa Qytetare dhe KRIIK: Presion mbi administratën dhe patronazhizmi

Organizata si Qëndresa Qytetare dhe Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK) raportuan abuzime të gjera me burimet publike dhe përfshirje aktive të administratës në veprimtari partiake. KRIIK vuri në dukje se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mbajti një qasje pasive ndaj këtyre shkeljeve, duke lejuar ndërthurjen e funksioneve publike me ato politike në masë të madhe. Ndërkohë, Qëndresa Qytetare identifikoi praktika sistematike presioni ndaj punonjësve publikë, duke minuar detyrën e tyre ligjore për të qëndruar politikisht neutralë.

Rasti “Ç”, si lakmues për problematikën

Një nga rastet më të diskutueshme që ka ndezur debat publik është ai i B. Ç, një punonjëse e administratës publike me lidhje të dukshme politike. Sipas një denoncimi të mbërritur në platformën “Sinjalizo”, shtetësja B. Ç. është zgjedhur për një post drejtues në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe është njëkohësisht pjesë e strukturave të PS. Kjo është në kundërshtim me ligjin “Për nëpunësin civil” dhe vendos në pikëpyetje integritetin e konkurseve në sektorin publik.

Angazhimi politik i B. Ç

B. Ç. është emër i njohur në strukturat e Partisë Socialiste. Më 27 mars të vitit 2023, B. Ç. u zgjodh kryetare e njësisë administrative Ndroq.

Foto, B. Ç. merr pjesë në takimet e Veliajt me strukturat e PS
Foto, B. Ç. merr pjesë në takimet e Veliajt me strukturat e PS

Ndërsa në korrik të vitit 2024, B. Ç. është zgjedhur edhe anëtare e Kongresit të Partisë Socialiste.

Gjatë një hetimi administrativ të nisur pas ankesës së një qytetari, B. Ç. deklaroi se nuk është pjesë e asnjë strukture politike dhe se angazhimi i saj politik ndodh jashtë orarit zyrtar dhe nuk ndikon në detyrat e saj publike.

Faximile: Hetimi dhe seanca ndaj Znj. Ç
Ky dokument na është vendosur në dispozicion nga denoncuesi.

Përzgjedhja e Znj. Ç në administratën publike

Pavarësisht pretendimeve, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Departamenti i Administratës Publike (DAP) konkluduan se Znj.Ç nuk është anëtare e asnjë organi vendimmarrës të PS dhe për këtë arsye, e kualifikuar për postin. Por, këto institucione nuk kanë ofruar dokumentacion zyrtar që vërteton dorëheqjen e saj nga pozicionet politike, duke ngritur dyshime mbi transparencën e procesit. Në një komunikim të drejtpërdrejtë, Znj.Ç pohoi se hetimi ndaj saj është mbyllur dhe se ka paraqitur të gjitha pretendimet e saj.

Znj. B. Ç, aktive në takimet politike

Megjithë këto deklarata, B. Ç. vazhdon të shfaqet në aktivitete politike të profilit të lartë, përfshirë takime me drejtues lokalë dhe përfaqësues të PS. Fotografi nga tetori 2024 e tregojnë atë përkrah drejtuesve të partisë, duke ngritur pikëpyetje mbi pretendimet për shkëputje nga aktivitetet politike.

Deri më tani, Partia Socialiste nuk i është përgjigjur kërkesave për informacion nëse B. Ç. vazhdon të jetë pjesë e strukturave të saj. Emri i saj vazhdon të figurojë në listat e Kongresit në faqen zyrtare të PS, duke ngritur dyshime mbi funksionimin e administratës publike dhe konfliktin e interesit që kërcënon parimin e paanshmërisë.

Mungesa e transparencës dhe politizimi i administratës

Raste si ai i B. Ç. tregojnë se përzierja e detyrave publike me angazhimin politik mbetet një problem i madh për integritetin e institucioneve publike në vend. Për aq kohë sa nuk ka transparencë të plotë dhe zbatim të rreptë të ligjit, punonjësit civilë rrezikojnë të kthehen në “shërbëtorë” të partisë, në vend që të jenë në shërbim të qytetarëve.

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/