Ida Ismalaj
Aksesi në informacion është një e drejtë themelore e njeriut, për të qenë i barabartë në jetën shoqërore, politike dhe institucionale. Për rreth 39 mijë persona që nuk dëgjojnë dhe nuk flasin në Shqipëri, kjo e drejtë mbetet ende e kufizuar, pavarësisht kuadrit ligjor të konsoliduar, por pjesërisht të zbatuar. Një raport i Institutit për Zhvillim dhe Inisiativa Qytetare paraqet të dhëna zyrtare mbi aksesueshmërinë e këtij komuniteti në institucione, por edhe në mediat audiovizive.
Janë katër televizione si RTSH, TV Klan, Top Channel dhe Vizion Plus, ku interpretimi në gjuhën e shenjave ofrohet vetëm në ditë dhe orare të caktuara, jo gjithmonë fleksibël për komunitetin.
Danjela Burnazi, drejtoreshë e Institutit për Zhvillim dhe Inisiativa Qytetare shprehet se nga të dhënat e Censusi të vitit 2023 jetojnë 38.814 persona me aftësi të kufizuara të dëgjimit, nga të cilët 5 mijë nuk dëgjojnë dhe nuk flasin në mënyrë totale dhe kanë nevojë për interpretër jo vetëm në media, por edhe në shërbimet e tjera publike.
“Normalisht jetojnë në heshtje dhe kjo është problematika më e madhe që kanë. Të licencuar janë vetëm 3 interpretë të gjuhës së shenjave, ndaj është e vështirë për të qenë në televizone apo institucione” tha Burnazi.
Një fakt shqetësues është se rreth 90% e tyre konsiderohen analfabetë funksionalë, pra njohin alfabetin dhe gërmat, por nuk arrijnë të kuptojnë fjali të plota apo tekste të shkruara. Kjo e bën të pamundur që informacioni të përçohet vetëm përmes titrave apo tekstit të shkruar. Ndaj, përkthimi në gjuhën e shenjave është thelbësor, pasi ajo është gjuha e tyre e parë.
Sipas ekspertes Ardita Keraj janë target me nevoja shumë të veçanta dhe imediate për të marrë informacion nga media, por edhe për të qenë vetë pjesë e emisioneve mediatike. Po ashtu, edhe nevoja për të patur akses në institucione shëndetësore, arsimore, gjykatave etj. “Burimin e informacionit e marrin kryesisht nga Youtube, por edhe aty hasin probleme ndonjëherë sa i përket pjesës së mungesës së titrimit” u shpreh Keraj.
Aktualisht, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Departamenti i Gjuhës Frënge & Interpretëve të Gjuhës së Shenjave Shqipe, studiojnë 14 studente që nuk dëgjojnë dhe nuk flasin, çka tregon progres në përfshirjen akademike, por njëkohësisht nevojën për mbështetje të vazhdueshme institucionale dhe profesionale.
Shqipëria ka ratifikuar Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (CRPD) me Ligjin nr. 108/2012.
Veçanërisht, neni 21 i Konventës garanton:
- Të drejtën për lirinë e shprehjes dhe aksesin në informacion;
- Pranimin dhe lehtësimin e përdorimit të gjuhës së shenjave;
- Sigurimin e informacionit publik në formate të aksesueshme;
- Inkurajimin e mediave publike dhe private për ta bërë përmbajtjen e tyre të aksesueshme.
Në nivel kombëtar, ekziston një kuadër ligjor i mirëformuluar për mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, por sipas ekspertëve, problemi kryesor mbetet zbatimi praktik.
Nga rezultatet e raportit, u konstatua se 14 nga 14 pjesëmarrës (100%) deklaruan se mungesa e informacionit në media ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së tyre. 10 nga 14 pjesëmarrës deklaruan se informacionin kryesor e marrin përmes familjarëve ose kanë nevojë që dikush t’ua shpjegojë lajmet dhe zhvillimet aktuale. Fushat ku kjo kategori ndihet e përjashtuar është në emisionet sociale, programet edukative, emisionet shëndetësore, seancat plenare dhe debatet publike.
Rekomandimet që shtrohen për median janë sigurimi i përdorimit të rregullt të interpretimit në gjuhën e shenjave dhe zgjerimi i interpretimit përtej lajmeve. Përmirësimi i cilësisë së titrave dhe aksesueshmërisë digjitale.
Ndërsa për institucionet publike rekomandohet që informacionet zyrtare të jenë të aksesueshme përmes gjuhës së shenjave. Po ashtu, sigurimi i interpretëve në spitale, gjykata, shkolla dhe institucione të tjera kyçe.
Ndërsa për politikëbërësit, rekomandohet përfshirja e objektivave për aksesueshmërinë mediatike në politikat kombëtare dhe rritja e numrit të interpretëve të licencuar për të përballuar kërkesën reale.
Megjithëse Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në aspektin ligjor dhe institucional për mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, realiteti tregon se personat që nuk dëgjojnë dhe nuk flasin vijojnë të përballen me barriera serioze në aksesin në informacion.
Hendeku midis legjislacionit dhe zbatimit praktik mbetet sfida kryesore. Pa masa konkrete, rritje të burimeve njerëzore dhe angazhim të qëndrueshëm institucional, ky komunitet do të vazhdojë të “jetojë në heshtje”, e përjashtuar nga pjesëmarrja e plotë dhe e barabartë në jetën publike të vendit./acqj.al