“Vendimmarrje e mbyllur” e partive në Shqipëri, tri dekada me parti liderash

Tri dekada pas pluralizmit politik, dy partitë kryesore në Shqipëri vazhdojnë të karakterizohen nga dominimi i liderëve. Historiku i zgjedhjeve brendapartiake në Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste tregon se garat kanë qenë të rralla ose të kufizuara.

Denada Jushi

Partia Socialiste, me katër mandate në pushtet, ka vendosur të ristrukturojë partinë, por ende mbetet e paqartë nëse synohet të ketë garë për kryetar. Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka nisur zgjedhjet e brendshme, të cilat do të finalizohen me zgjedhjen e kryetarit të ri më 23 maj.

Nëse ndalemi në rrugëtimin tredekadësh të dy partive kryesore në vend, do të shohim dominimin e liderëve dhe të strukturave që i nënshtrohen kryetarëve.

Studiuesi gjerman Tomas Poguntke e ka shpjeguar këtë fenomen në konceptin e tij për “personalizimin e politikës” (Personalization of Politics), sipas të cilit demokracia e brendshme në parti dobësohet, pasi ajo përqendrohet gjithnjë e më shumë te figura e liderit.

Por le të ndalemi te rrugëtimi i PS-së dhe PD-së nga viti 1991 e deri më sot, për të parë kur ka pasur garë dhe konkurrencë brendapartiake.

Partia Demokratike lindi si një parti që kishte në fokus demokracinë dhe gjatë këtyre tri dekadave ka pasur përplasje reale brenda saj, por pa ndryshuar ndjeshëm peshën e Sali Berishës në drejtimin e partisë, herë në mënyrë formale e herë në hije.

Në dhjetor 1990 u krijua PD-ja me një Komision Nismëtar në krye, drejtues i të cilit ishte Azem Hajdari.

Më 14 shkurt 1991, pas debateve të ashpra në komision dhe mbledhjes së aktivit kombëtar, u dakordësua zgjedhja e Sali Berishës si kryetar i përkohshëm i Komisionit Drejtues. Vetëm në shtator 1991 u zhvillua Kuvendi i rregullt Kombëtar, ku Berisha u zgjodh kryetar me mandat të plotë.

Në gusht të vitit 1992 nisi një përballje për reformimin e PD-së. Përballë Sali Berishës ishin ata që u konsideruan si “mocionistët”, mes të cilëve Arben Imami, Gramoz Pashko, Perikli Teta dhe Preç Zogaj.

Kuvendi i partisë mbahej çdo dy vjet. Në Kuvendin e dytë të PD-së, në vitin 1992, u zgjodh kryetar Eduard Selami.

Ai u rikonfirmua sërish në vitin 1993.

Pas polemikave rreth ndarjes së postit të kryetarit të partisë nga ai i kryeministrit të vendit, kërkesë e Selamit, në një konferencë të jashtëzakonshme të PD-së të mbajtur më 5 mars 1995, Selami u shkarkua nga detyra pas një procesi votimi të hapur.

Më 4–5 prill 1996 u mbajt Kuvendi i tretë i partisë.

Kuvendi zgjodhi kryetar të PD-së Tritan Shehun.

Më 20–21 tetor 1997 u mbajt Kuvendi i katërt zgjedhor i Partisë Demokratike; në një garë me ish-kryetarin e Parlamentit, Pjetër Arbnori, Sali Berisha u zgjodh sërish kryetar i PD-së.

Prej 30 shtatorit deri më 1 tetor të vitit 1999 u mbajt Kuvendi i gjashtë zgjedhor i Partisë Demokratike.

Në garë u fut Genc Pollo përballë Sali Berishës, duke krijuar një nga përballjet më të forta në PD. Megjithatë, Pollo nuk pranoi ta zhvillonte garën deri në fund. Një ditë para mbajtjes së Kuvendit ai njoftoi tërheqjen nga kandidimi dhe në garë u fut Uran Butka.

Kryetar u zgjodh sërish Sali Berisha, i cili qëndroi në krye të partisë deri në vitin 2013.

Pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2013, Sali Berisha dha dorëheqjen dhe u hap gara mes Sokol Olldashit dhe Lulzim Bashës. Ky i fundit u zgjodh kryetar. Një nga prioritetet e tij ishte largimi i disa figurave të njohura të PD-së si Majlinda Bregu, Astrit Patozi, Jozefina Topalli dhe Ridvan Bode.

Në vitin 2017, përballë Lulzim Bashës kandidoi Eduard Selami, por Basha u rikonfirmua.

Në shtator 2021 gara në PD u zhvillua mes Lulzim Bashës, Agron Shehajt, Fatbardh Kadillit dhe Edith Harxhit. Fitues ishte sërish Lulzim Basha.

Po në vitin 2021, PD përjetoi një nga përballjet më të forta të brendshme. Debatet nisën në shtator 2021, pas përjashtimit të Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD-së.

Kjo përplasje zgjati rreth tri vite dhe përfundoi me rimarrjen e drejtimit të partisë nga Sali Berisha përmes një Kuvendi Kombëtar.

Maji i vitit 2026 pritet të sjellë kryetarin e ri të PD-së. Në garë, njësoj si në vitin 1991, do të jetë Sali Berisha. Brenda partisë ende nuk ka konfirmim për kandidatura të tjera, por pritet që në garë të jetë edhe një nga zërat më kritikë të muajve të fundit, Ervin Salianji.

Edhe pse Partia Demokratike ka pasur kryetarë të ndryshëm ndër vite, Sali Berisha mbetet figura që konsiderohet si kryetari historik i PD-së.

Në kampin rozë, prej vitesh nuk zhvillohen zgjedhje për kryetar, madje as si procedurë formale. Megjithatë, këtë vit PS pritet të zgjedhë drejtues të rinj brenda strukturave të saj.

Në qershor të vitit 1992 u zhvillua kongresi i parë zgjedhor i PS-së, ku Fatos Nano u bë kryetar i partisë.

Në verën e vitit 1993 Nano u arrestua, por megjithatë vazhdoi ta drejtojë partinë nga burgu.

Një moment i rëndësishëm ishte viti 1999, kur pas dorëheqjes së Nanos pati një krizë dhe debat të brendshëm në PS.

Së bashku me dorëheqjen nga drejtimi i partisë, Fatos Nano kishte dhënë dorëheqjen edhe si kryeministër. Tashmë atë post e mbante rivali i tij në garën partiake, Pandeli Majko.

Në seancën zgjedhore të kongresit, Fatos Nano u rizgjodh kryetar përkundrejt kandidaturës së Majkos.

Kongresi i tretë i PS-së u mbajt në dhjetor 2003.

Më 12 dhjetor 2003 u zhvillua një tjetër kongres zgjedhor i PS-së. Në garë përballë Nanos ishin Rexhep Meidani dhe Edi Rama. Fatos Nano u rizgjodh kryetar i PS-së.

Në vitin 2005, pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare, Nano dha dorëheqjen.

Kjo ishte një nga garat më të rëndësishme, duke përkuar me mbylljen e epokës së Nanos dhe nisjen e epokës së Edi Ramës.

Që nga ajo periudhë ka pasur vetëm rizgjedhje të Ramës, pa garë reale.

I vetmi moment ku pati një debat të brendshëm ishte viti 2009, kur Ben Blushi kërkoi dorëheqjen e Ramës, por ky i fundit nuk pranoi.

Ben Blushi dhe grupi i tij paraqitën një platformë me ndryshime në statutin e partisë. Platforma u rrëzua në kongresin e 29 gushtit, i cili gjithashtu u zhvillua me dyer të mbyllura.

Për postin e kryetarit të PS-së u paraqitën tre kandidatë: Edi Rama, Arben Malaj dhe Maqo Lakrori.

Fitues ishte Edi Rama.

Socialistët votuan për rinovimin e mandatit të Ramës me rreth 95% të votave. Që nga ajo kohë në PS nuk zhvillohen më zgjedhje për kryetar.

Ajo që i bashkon pas tri dekadash dy partitë kryesore në vend është fakti se udhëhiqen nga liderë të fortë dhe demokracia e brendshme ka mbetur kryesisht formale, por jo e zbatuar në praktikë./acqj.al