Turizmi që po na bën të pasur… dhe të varfër njëkohësisht

Turizmi shqiptar po përballet me një dilemë thelbësore: të ndjekë rrugën e masivitetit që sjell volum dhe fitime të shpejta, apo të ndërtojë një model cilësor dhe të qëndrueshëm. Rritja e vizitorëve ka qenë e madhe, por pjesa më e madhe e të ardhurave mbetet jashtë ekonomisë formale për shkak të informalitetit dhe mungesës së prodhimit vendas. Ekspertët paralajmërojnë se statistikat shpesh krijojnë iluzione, ndërsa realiteti është i paqëndrueshëm. Përballë këtij udhëkryqi, Shqipëria duhet të zgjedhë mes fitimit afatshkurtër dhe ndërtimit të një turizmi me vlerë të qëndrueshme dhe identitet kombëtar.

Nga Denada Jushi

Në bregun e Shëngjinit, Violeta ka ngritur prej vitesh një hotel të vogël me tetë dhoma. Tani, teksa numri i turistëve rritet si breshëri verore, ajo përballet me një dilemë që, në fakt, përmbledh dramën kombëtare të turizmit shqiptar:

Të rrisë numrin e dhomave dhe të ndjekë valën e turistëve masivë, apo të investojë në cilësi, duke ndërtuar një model më elitar, me më pak klientë, por më shumë vlerë?

Në këtë pikëpyetje të një sipërmarrëseje të vogël fshihet sot debati i madh kombëtar: Shqipëria, vendi i zbulimeve të vona nga bota, po ecën drejt turizmit elitar apo po rrëshqet drejt masivitetit të pakontrolluar?

Mes entuziazmit dhe paralajmërimit

Shifrat, të paktën në letër, janë spektakolare.

Vetëm në vitin 2024, Shqipëria priti mbi 11 milionë vizitorë,  një numër që e fut vendin në ligën e vendeve më të kërkuara turistike të Mesdheut. Bregdeti, Alpet, gastronomia dhe mikpritja shqiptare kanë filluar të shiten si “produkt kombëtar” me sukses gjithnjë e në rritje.

Qeveria, e lumtur me numrat, e ka përqafuar këtë realitet me lajtmotivin e ri: “Shqipëria 2030” një vizion për turizëm të qëndrueshëm, që sipas Ministrisë së Turizmit duhet të jetë harmoni mes natyrës, zhvillimit dhe ruajtjes së identitetit.

Por teksa qeveria numëron vizitorët, ekonomistët dhe ekspertët e sektorit japin alarmin: numrat nuk barazohen domosdoshmërisht me zhvillim.

Ekonomia: Para shumë, formalitet pak

Sipas ekonomistit Zef Preçi, të ardhurat nga turizmi në 2025 pritet të arrijnë në rreth 7.3 miliardë dollarë,  një rritje prej mbi 50% krahasuar me vitin para-pandemik 2019. Megjithatë, pjesa më e madhe e këtyre parave nuk kanalizohen dot plotësisht në ekonominë formale. Shumë hotele, apartamente me qira dhe biznese sezonale operojnë në informalitet, duke shmangur taksat dhe duke deformuar konkurrencën.

Një problem edhe më i thellë është mungesa e prodhimit vendas që mbështet këtë industri: ushqimet, pijet, stafi i kualifikuar,  gjithnjë e më shpesh importohen. Ndaj, në fund të sezonit, pjesa e mbetur për ekonominë vendase është më e vogël nga sa sugjerojnë shifrat.

Turizëm masiv apo model elitar?

“Shqipëria nuk mund të bëhet as Tajlanda e Mesdheut dhe as Monakoja e Ballkanit,” thotë Zak Topuzi nga Shoqata e Operatorëve Turistikë.

“Jemi mes dy modeleve që kërkojnë vendime të vështira:

turizëm masiv, që sjell volum, por e konsumon natyrën dhe infrastrukturën;
apo turizëm cilësor, që kërkon investime më të mëdha, planifikim afatgjatë dhe një vizion që sot ende nuk e shohim.”

Për fat të keq, deri tani modeli shqiptar ngjan më shumë me garën për të kapur sezonin sesa me një plan strategjik të mirëfilltë.

Mali i Zi, si mësim

Mjafton të shohim fqinjët për të kuptuar çfarë po humbim.

Mali i Zi ka ndërtuar me vite të tëra një model të qartë: investime me masterplan, ndarje të qartë të zonave natyrore dhe turistike, kontroll të ofertës dhe mbrojtje të mjedisit.

Diferenca nuk është vetëm tek çmimet, por tek standardi i qëndrueshëm ekonomik, ku turizmi bëhet një motor i qëndrueshëm dhe jo një mjet për fitime të shpejta.

Statistika që mashtrojnë

Një tjetër problem është edhe vetë matja e turizmit.

Sipas Topuzit, rreth 40% e vizitorëve janë tranzit, kalimtarë që nuk lënë ndikim real ekonomik. Statistikat e fryra krijojnë një iluzion suksesi, ndërkohë që realiteti ekonomik mbetet më modest se propagandat sezonale.

Turizmi: Pasqyrë e ekonomisë

Në të vërtetë, ajo që ndodh me turizmin është vetëm reflektim i sëmundjes më të vjetër të ekonomisë shqiptare: mungesa e planifikimit, informaliteti, spontaniteti, dhe etja për fitime të shpejta.

Sot Shqipëria ndodhet para një udhëkryqi. Mund të zgjedhë të vazhdojë me rritjen masive që vret natyrën, deformon tregun dhe boshatis thelbin e turizmit autentik.

Ose mund të bëjë zgjedhjen më të vështirë: të investojë në cilësi, standarde, prodhim vendas, punësim të trajnuar, kontroll real të ofertës, dhe mbi të gjitha  vizion kombëtar afatgjatë.

Në fund të ditës, turizmi është si prona e trashëguar: mund ta përdorësh për t’u pasuruar shpejt duke e shitur copë-copë, ose mund të ndërtosh mbi të një shtëpi që do të jetojë për brezat e ardhshëm.

Pyetja e vërtetë që shtrohet sot për Shqipërinë është:

A do të jemi thjesht stacioni i radhës për turistët e Mesdheut apo një destinacion me fytyrë dhe identitet të vetin?

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/