Ida Ismalaj
Një qytet që po mbytet nga tymi dhe zhurmat
Nëse ecën nga “Zogu i Zi” drejt Parkut të Liqenit, e ndien që diçka ndryshon, fryma bëhet më e lehtë, qielli pak më i hapur, ndërsa në qendër, tymi dhe zhurmat të rrethojnë si një batanije e rëndë.
Aida, një banore e vjetër e Tiranës, ankohet se s’ka më paqe: “Nuk hap dot dritaret, shtëpia më duket si qese plastike, mbushur me tym e zhurmë.” Dhe nuk është vetëm Aida që e ndjen, por janë me mijëra qytetarët të Tiranës që e kanë harruar si duket një ditë me ajër të pastër dhe një natë pa zhurma.
Sa e ndotur është Tirana? Shifrat flasin vetë…
Një grup ekspertësh nga “Co-Plan” kanë matur cilësinë e ajrit në 13 pika të ndryshme në kryeqytet. Dioksidi i karbonit, grimcat e imëta PM2.5 dhe PM10 dhe dioksidi i azotit janë të pranishëm mbi normat e shëndetshme. Sidomos PM2.5, kjo “armikja e padukshme” është veçanërisht e rrezikshme, hyn në mushkëri dhe sjell probleme nga më të ndryshmet, sidomos për fëmijët dhe të moshuarit. Zonat më problematike janë “Zogu i Zi”, “Rruga e Kavajës”, “Kryqëzimi 21 Dhjetorit” dhe “Pazari i Ri”.


Matjet e kryera nga AKM dhe krahasimi me standardet ndërkombëtare
Dhe po të mendosh se ndoshta nuk është aq keq, vetë Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM) pranon që grimcat PM10 janë fare pranë kufirit të rrezikut. Po PM2.5?

Për nivelin e zhurmave, LAeq ditën dhe natën, sipas matjeve të kryera nga AKM, tregojnë nivel mesatar të zhurmës.

Mjekët japin alarmin: Astma dhe alergjitë në rritje
Mjekja alergologe Blerta Lame thotë se pacientët po shtohen përditë. “Astma, bronkiti kronik, sëmundjet e mushkërive janë kthyer në normalitet për shumë tiranas”- thotë ajo. Nuk është më çudi të shohësh fëmijë me inhalator në çantë apo të moshuar që jetojnë me bombola oksigjeni.
Premtime “të freskëta”
Kujtoni premtimet? Autobusë hibridë, “pyll orbital”, “Tirana Ime” të gjitha tingëllojnë bukur në televizor, por në rrugët e Tiranës? Autobusët “hibridë” ecin me naftë, pyjet mbeten në letër dhe aplikacioni për të parë cilësinë e ajrit? I fikur, si shumë gjëra të tjera. Nga 300 autobusë, vetëm 15 janë “ndryshe” në teori, por praktikisht, ndotin si gjithë të tjerët. Dhe në vend që të na çojnë shëndetshëm në destinacion, shpesh bëhen tituj lajmesh për aksidente.
Çfarë thotë Bashkia e Tiranës?
Bashkia thotë se po punon fort. Bulevardi i Ri me shtim të zonave të gjelbra, sheshe të rregulluara, pylli orbital, të gjitha për të përmirësuar ajrin që thithim. Por, edhe vetë pranojnë që kjo punë është më shumë një betejë se një projekt. Ligjet për mjedisin janë të dobëta, investimet për energji të pastër janë të pakta dhe duhet më shumë përpjekje e koordinuar e sektorit publik dhe privat në zbatimin e politikave të mbrojtjes së mjedisit.
Progres/raporti i KE për Shqipërinë: Duhet më shumë përpjekje për mjedisin
Edhe Bashkimi Europian, në raportet e veta, na kujton se duhet të bëjmë më shumë. Monitorimi i ajrit është i dobët dhe cilësia e jetës po bie. E ndërsa ne dëgjojmë fjalime, tymi e zhurmat na shoqërojnë përditë. Premtimet? Po, janë aty, por zgjidhjet duket se kanë ngecur në trafikun e Tiranës.
Të jetosh në Tiranë sot është si të zgjedhësh mes dy helmesh: Ndotja që merr frymën dhe zhurma që ta merr mendjen. Dhe kur zyrat bëjnë vetëm premtime dhe ajri bëhet më i rëndë, çdo ditë pa veprim është një ditë më pak për shëndetin tonë.
Përballë ndotjes së ajrit dhe zhurmës, qytetarët e Tiranës jetojnë çdo ditë me pasiguri për shëndetin dhe cilësinë e jetës, ndërsa institucionet përveç premtimeve të vazhdueshme, duket që janë larg zgjidhjeve konkrete. Rritja e rasteve të sëmundjeve si pasojë e ajrit të ndotur dhe zhurmave dhe mos marrja e asnjë mase është këmbanë alarmi që nuk duhet të injorohet.