THIRRJE PËR APLIKIME — INTERNSHIP NË KUADËR TË PROJEKTIT “SINJALIZO!”

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ), në kuadër të projektit “Sinjalizo!”, hap dy pozicione internshipi gjashtëmujor për studentë të gazetarisë që duan të mësojnë nga afër si funksionon një redaksi profesionale, si zhvillohet një histori investigative dhe si përdoren mjetet moderne të gazetarisë multimediale.

Ky program ofron një përvojë të plotë: trajnim + praktikë reale, ku pjesëmarrësit do të punojnë krah gazetarëve të qendrës, do të marrin pjesë në mbledhjet editoriale, dhe do të prodhojnë një histori në muaj nën udhëheqjen e mentorëve të ACQJ.

Internshipi është ndërtuar për të kombinuar mësimin teorik me praktikën reale të redaksisë. Pjesëmarrësit do të jenë pjesë aktive e punës së përditshme të Qendrës Shqiptare për Gazetari Cilësore, duke kaluar nga konceptimi i një ideje deri tek publikimi i një materiali të plotë gazetaresk.

Kohëzgjatja dhe angazhimi: Programi do të zgjasë 6 muaj, gjatë të cilëve praktikantët do të jenë të angazhuar të paktën 2 orë në ditë në zyrat e ACQJ në Tiranë.
Ky orar është menduar për t’u dhënë studentëve mundësinë të ndjekin edhe studimet e tyre, ndërkohë që marrin pjesë në takime redaksionale, trajnime praktike dhe punë të pavarur nën mentorim.

Prodhimi i historive: Çdo praktikant do të jetë përgjegjës për realizimin e një historie në dy javë, të cilën do ta zhvillojë nga ideja fillestare deri në publikim, me ndihmën e mentorëve të ACQJ.


Këto histori mund të jenë lajme, analiza, të shoqëruara me materiale multimediale (video, infografikë, ose shpjeguese vizuale) që lidhen me temat e zbatuara.

Çfarë do të mësoni gjatë internshipit

1. Bazat e Gazetarisë Investigative dhe Etike – Do të mësoni si të mendoni dhe të veproni si gazetarë të përgjegjshëm:

  • Parimet bazë të gazetarisë investigative: verifikimi, triangulimi dhe llogaridhënia.
  • Kodi i Etikës për Gazetarët Shqiptarë – studim rastesh dhe diskutime praktike.
  • Si të identifikoni dhe kontrolloni lajmet e rreme dhe dezinformimin (në përputhje me platformën Sinjalizo!).
  • Si të punoni me burime konfidenciale dhe të trajtoni me kujdes të dhënat e ndjeshme.
  • Roli i transparencës, përgjegjësisë editoriale dhe korrigjimeve në një media profesionale.

2. Tregimi Multimedial dhe Prodhimi i Videove – Në kohën e gazetarisë vizuale, do të mësoni të tregoni histori përmes videos dhe imazhit:

  • Si të ndërtoni një storyboard dhe strukturë vizuale për një video të shkurtër shpjeguese.
  • Bazat e punës me kamerë: kompozimi, ndriçimi, zëri dhe dinamika e pamjes.
  • Hyrje në Adobe Premiere Pro për montim profesional.
  • Si të shkruani një voice-over apo tekst për narracion në video.
  • Si të prodhoni video të shkurtra të “Sinjalizo!” që ngrenë shqetësime qytetare për transparencën publike.

3. Raportimi nga Terreni dhe Zhvillimi i Burimeve – Gazetaria e vërtetë ndodh në terren.

  • Si të përgatiteni për intervista: kërkimi paraprak, formulimi i pyetjeve dhe etika e komunikimit.
  • Si të mbuloni ngjarje dhe institucione publike: mbledhje bashkiake, gjykata, çështje mjedisore apo sociale.
  • Si të ndërtoni e ruani rrjete burimesh të besueshme dhe të sigurta.

4. Shkrimi, Redaktimi dhe SEO për Gazetarinë Online – Gjithashtu, do të përmirësoni stilin dhe mënyrën e komunikimit me publikun dixhital:

  • Si të shkruani lajme dhe artikuj analitikë për platformat online.
  • Si të krijoni tituj të fortë, hyrje tërheqëse dhe një rrjedhë narrative të qartë.
  • Si funksionon SEO dhe pse është i rëndësishëm për dukshmërinë e historive tuaja.
  • Si të përdorni WordPress dhe të publikoni artikujt në platforma të ndryshme të ACQJ.

Përfitime

  • Pagesa totale: 1,400 USD për gjithë periudhën e internshipit.
  • Mbështetje shtesë: rimbursim për shpenzime komunikimi dhe udhëtimi për histori në terren.
  • Çertifikatë përfundimtare nga ACQJ dhe referencë profesionale për performancën tuaj.

Si të aplikoni

Dërgoni me email në adresën info@acqj.al (me subjektin: “Aplikim – Internship Sinjalizo!”) dokumentet e mëposhtme:

  1. Letër interesi ku shpjegoni motivimin tuaj.
  2. CV.
  3. Një përgjigje të shkurtër e integruar në letrën e interesit (deri në 200 fjalë) për pyetjen: “Pse duhet t’ju zgjedhim ju dhe pse dëshironi të bëheni pjesë e këtij programi?”

Afati i aplikimit: 20 nëntor 2025
Kandidatët e përzgjedhur do të kontaktohen për një intervistë në ACQJ.

Rreth projektit “Sinjalizo!”

“Sinjalizo!” është një nismë e ACQJ, e mbështetur nga National Endowment for Democracy, që synon forcimin e gazetarisë qytetare, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies publike në Shqipëri. Përmes këtij internshipi, synojmë të rrisim një brez të ri gazetarësh të cilët raportojnë me integritet, profesionalizëm dhe ndjeshmëri ndaj interesit publik.