Ida Ismalaj
Dhjetëra qytetarë kanë protestuar para Ministrisë së Shëndetësisë, për të denoncuar mungesën e shërbimit në sistemin shëndetësor publik, veçanërisht në Spitalin Onkologjik, ku trajtohen pacientët me kancer. Në kontrast me fushatën ndërkombëtare “Tetori Rozë”, që synon ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit, protestuesit zgjodhën ngjyrën e zezë për të shprehur dhimbjen, revoltën dhe zhgënjimin ndaj institucioneve shëndetësore shqiptare. Me tullumbace të zeza në duar, ata kërkuan medikamente, pajisje dhe trajtim të duhur për pacientët e sëmurë me kancer.
Një qytetare nga Tirana, që humbi dy anëtarë të familjes për shkak të kancerit, tregoi përvojën dramatike në Onkologjik: “Motra u operua dy herë, tmerr i paparë. I merrte ilaçet privatisht, me kosto shumë të lartë, pasi në spital nuk kishte. Përfundoi në karrocë sepse katër muaj e lanë pa ilaçe, pa kimioterapi. Sëmundja agravoi, i ra trompozë dhe ngeli në karrocë. Atje është tmerr.”
Pedagogu Ermal Hasimja propozoi një masë drastike, duke kërkuar që pushtetarët të detyrohen ligjërisht të kurohen në Shqipëri: “E di që është shumë e vështirë nga ana ligjore, por ndoshta do të ishte e mirë të kemi një ligj që ua ndalon pushtetarëve dhe të afërmve të tyre të trajtohen jashtë vendit. Të kurohen këtu, si gjithë qytetarët.”
Ndërsa gazetari Osman Stafa e cilësoi këtë muaj “Tetorin e propagandës”: “Kryeministri i bën thirrje grave të bëjnë mamografi, ndërkohë që në Spitalin Onkologjik, mamografia nuk punon prej më shumë se 10 ditësh. Jepen ilaçe jashtë çdo protokolli ndërkombëtar. Ka gra që presin më shumë se një muaj për ilaçe, ndërsa radioterapia është jashtë funksionit prej tre muajsh.”
Nga ana tjetër, Migen Qiraxhi nga “Qëndresa Qytetare” solli të dhëna shqetësuese mbi gjendjen e përgjithshme të sistemit shëndetësor, duke iu referuar edhe një raporti të Kontrollit të Lartë të Shtetit: “Sipas KLSH, një i sëmurë në Shqipëri nuk merr shërbimin shëndetësor në kohë dhe me cilësi. Raporti mes pacientëve dhe shtretërve është 1 me 5, pra pesë pacientë duhet të zihen për një shtrat. E vetmja mënyrë për të marrë trajtim në spitalet tona është në këmbë, ndërkohë që bëhen tendera për të larë makinat e institucioneve çdo ditë.”
Spitali Onkologji është kthyer në simbol të krizës së shëndetësisë publike në Shqipëri, ku prej vitesh është në qendër të akuzave për mungesë barnash, kushte të papërshtatshme dhe indiferencë institucionale ndaj pacientëve me kancer.