Ida Ismalaj
Me një rritje alarmante të rasteve të abuzimeve, presioneve dhe kërkesave për favore seksuale ndaj vajzave, interneti duket se është kthyer në një mjet të rrezikshëm, sidomos për fëmijët dhe të rinjtë.
Profile false për përfitime seksuale
Mbrëmjen e 16 tetorit, një rast tronditës u raportua në platformën “Sinjalizo”. Një vajzë e mitur, nëpërmjet një profili të rremë të hapur në emrin e saj, u përball me denigrime dhe presione për favore seksuale. Profili i rremë përmbante emrin dhe mbiemrin e vajzës, ndërsa përmbajtja ishte e mbushur me fraza abuzive dhe vulgare.
Drejtori i Qendrës për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri, Altin Hazizaj, tregon për një rritje të frikshme të rasteve të tilla: “Vetëm në tre muajt e parë të vitit 2024 kemi regjistruar mbi 300 raste abuzimi seksual online ndaj fëmijëve dhe të rinjve”.
Statistikë shqetësuese: Tirana kryeson për raportimet e rasteve abuzive
Sipas raportit të CRCA, Tirana kryeson numrin e rasteve të raportuara për abuzime dhe shantazhe online, një trend i ndikuar ndoshta nga popullsia e madhe e kryeqytetit dhe qasja më e madhe ndaj internetit. Pas saj vijnë Kuçova dhe Durrësi, që shënojnë dhe nivelet me të larta të rasteve të raportuara.
Policisë së Shtetit i janë paraqitur 99 kallëzime për shantazhe online gjatë viteve 2020-2023, ndërkohë që autoritetet e drejtësisë janë duke luftuar për të përballuar këtë valë të re kriminaliteti kibernetik.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) bën të ditur se numri i raportimeve ka ardhur në rritje, ku gjatë periudhës janar-tetor 2024 janë raportuar 200 raste, krahasuar me vetëm 25 raportime gjatë 2023. “Raportimet kanë qenë për bullizëm online, shantazh online dhe përmbajtje e papërshtatshme, që përfshin materiale pornografike, dhunuese etj”-thuhet në raportin e AKSK.
Luftë me teknologjinë e kufizuar dhe mungesën e bashkëpunimit
Sipas Hazizajt, policia shqiptare dhe institucionet e tjera nuk kanë akses në teknologjinë e avancuar që nevojitet për të lokalizuar autorët e abuzimeve. “Policia shqiptare për vite të tëra ka mbetur pa investime në fushën e krimit kibernetik, ndërsa mungesa e koordinimit midis institucioneve po e përkeqëson këtë situatë,” thekson ai.
“Kompanitë globale për shkak të teknologjisë së avancuar të tregojnë vendodhjen e saktë se ku ndodhet personi. Është teknologji e shtrenjtë, policia shqiptare nuk e ka këtë akses sepse për vite të tëra është lënë pa investime, sidomos në fushën e krimit kibernetik. Jo vetëm policia, por të gjitha institucionet që merren me çështjen e sigurisë kibernetike.”-thotë Hazizaj.
Pertej mungesës së teknologjisë, mbetet shqetësuese edhe kultura e heshtjes dhe frika nga stigmatizimi, që i bën shumë viktima të hezitojnë të raportojnë abuzimin.
AMA dhe TikTok: Një hap drejt mbrojtjes së fëmijëve?
Në gusht të vitit 2024, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me platformën TikTok për të monitoruar dhe larguar materialet me përmbajtje të dëmshme.
Më 1 nëntor, AMA kishte adresuar 516 ankesa, ku përfshiheshin shkelje të rënda të etikës dhe ligjit. Në këtë periudhë, 171 video dhe audio të papërshtatshme janë larguar nga platforma për shkak të përmbajtjes së dhunshme, urrejtjes dhe pamjeve të papërshtatshme për të miturit.
• Ankesa në shkelje të ligjit: 178 |
• Video/audio në shqyrtim: 7 |
• Video/audio të hequra: 171 |
Klasifikimi i videove të hequra: |
• 15 video për akte dhune |
• 3 video për gjuhë urrejtjeje për shkak të orientimit seksual |
• 2 video për urrejtje fetare |
• 18 video për pamje veprash penale |
• 71 video për ekspozimin e fëmijëve ndaj pornografisë, narkotikëve, alkoolit, duhanit dhe dhunës |
• 52 video për nxitje dhune dhe urrejtje |
• 10 audio për gjuhë që tejkalon standardet morale dhe etike. |
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi përgjatë vitit 2023 ka shqyrtuar 6 raste të raportuara për përdorimin e gjuhës sëurrejtjes. “Dy prej rasteve të raportuara, kishin të bënin me dy personazhe publike. Për të parin, kishte pretendime se mendimet dhe qëndrimet e shprehura prej tij në publik ishin në tejkalim të lirisë së shprehjes. Ndërsa personi tjetër bënte thirrje pëe përndalimin e shfaqjes së një filmi për fëmijë në kinema, me arsyetimin se personazhet ishin homoseksualë, duke sjellë pasoja të rënda psiko-sociale te të miturit” thotë raporti i KMD.
Ligji i pazbatuar dhe proceset e zgjatura gjyqësore
Shqipëria ka një kuadër ligjor për mbrojtjen e minorenëve nga abuzimet online, por sfida e vërtetë mbetet identifikimi dhe ndjekja e autorëve. Avokati Alban Duraj thotë se: “Krimet seksuale ndaj të miturve përballen me sanksione të rënda sipas Kodit Penal, por për shkak të frikës dhe mosbesimit tek sistemi i drejtësisë, shumë raste nuk raportohen.” Stigmatizimi i viktimave dhe proceset e zgjatura gjyqësore shpesh kthehen në pengesë për dënimin e autorëve.
Rreziku i heshtjes dhe mungesa e ndërgjegjësimit prindëror
Në një kohë kur përdorimi i internetit është i përhapur në masë të madhe ndër të miturit dhe kur kontrolli prindëror është shpesh i pakët, fëmijët janë gjithnjë e më të ekspozuar ndaj rreziqeve të teknologjisë. Nevojiten fushata ndërgjegjësuese për të informuar prindërit dhe të rinjtë mbi rreziqet e internetit dhe për të krijuar një mjedis të sigurt për fëmijët në hapësirën kibernetike.
Në fund të fundit, teknologjia mbetet një mjet i fuqishëm, por kur përdoret në mënyrë abuzive, ajo kthehet në një armë të rrezikshme. Vendi ka ende një rrugë të gjatë përpara për të krijuar një mjedis të sigurt online për fëmijët dhe të rinjtë, një mjedis që kërkon përkushtim, teknologji dhe mbi të gjitha bashkëpunim institucional.