Të raportosh drejt për drejtësinë!

Kur drejtësia bëhet lajm, përgjegjësia e gazetarit është më e madhe se kurrë. Një trajnim dyditor i Këshillit të Europës në Tushemisht solli bashkë gazetarë, avokatë dhe gjyqtarë për të diskutuar standardet profesionale të raportimit gjyqësor dhe sfidën mes interesit publik dhe etikës.

Denada Jushi

Nëse një dosje e cila është nën hetim nga prokuroria bie në dorën e një gazetari, gjithnjë ka një diskutim nëse duhet publikuar apo jo.

Çfarë duhet të prevalojë? Interesi publik apo ruajtja e etikës? E mbi të gjitha, si duhen raportuar ngjarjet që lidhen me drejtësinë?

Kjo është një dilemë që shumë gazetarë e kanë hasur së paku një herë në jetë përgjatë karrierës së tyre.

Kjo ishte dhe një nga pikat më të forta të diskutimit në trajnimin 2-ditorë të mbajtur në Tushemisht të Pogradecit nga Këshilli i Europës këtë fundjavë.

“Raportimi i drejtësisë me saktësi, standardet profesionale në raportim ligjor dhe gjyqësor” bëri bashkë në shkëmbim përvojash, por edhe trajnim intensiv midis avokatëve, përfaqësuesve të gjyqësorit, prokurorëve dhe gazetarëve.

Në gjysmë dekade, temat e drejtësisë janë boshti kryesor i çdo edicioni lajmesh apo programacioneve, duke konkurruar sfondin politik, i cili për shumë vite në Shqipëri ka qenë i pakonkurueshëm.

Gjatë bisedimeve, pjesmarrësit u ndalën tek rëndësia e raportimit gjyqësor dhe atij ligjor, rëndësia e saktësisë së gazetarit në formimin e opinionit publik, por edhe besimit ndaj gjyqësorit përmes raportimit të drejtë të çështjeve.

Në të njëjtën kohë u gjykua se terminologjia ligjore është tejet e rëndësishme për raportimin e gazetarit.

Përmes shembujve të artikujve, pjesmarrësit sollën në vemendje ndryshimet që një artikull mediatik ka kur bën transparencë dhe kur pasqyron një ngjarje gjyqësore.

Biseda mue pas u ndal në pikat ku media shqiptare çalon jo pak herë:

Privatësia e të miturve, mbrojtja e të dhënave personale, prezumimi i pafajësisë , të cilat jo pak herë shkelen nga gazetarët dhe redaksitë.

Ka raste kur shfaqen fotot e të miturve apo individëve që mund të jenë vetëm nën hetim, apo procese të drejtësisë që shpallen të pafajshëm, por fotot, gjeneralitetet apo titujt bombastikë mbeten përgjithmonë në median e shkruar.

Përvoja nga profesionalizmi u ndanë gjatë trajnimit edhe nga përfaqësues të gjyqësorit, ku pjesmarrësit u ndalën tek paditë SLAPP.

Paditë SLAPP janë padi që vërehen se nuk janë të bazuara në fakte dhe se do të jenë të pasuksesshme në gjykatë. Përmes tyre, paditësi nuk synon të fitojë rastin, por ka për qëllim që të frikësojë dhe dekurajojë gazetarët apo aktivistët nga raportimi i mëtejshëm i çështjeve me interes publik, duke i detyruar ata të kalojnë nëpër procese të gjata dhe të kushtueshme gjyqësore.

Ndërsa për taktikat dhe mënyrat për të shmangur shpifjen, si dhe elementet që nga saktësia, verifikimi, burimet e elemente të tjerë për të treguar një raportim etik e profesional, u ndal gazetari Isa Myzyraj.

Anila Hoxha, gazetare me përvojë mbi 25-vjeçare në raportimin e çështjeve të drejtësisë dhe faktin që ka studiuar Fakultetin e Drejtësisë, solli përmes simulimeve format e intervistave, shmangien e gabimeve që bëjnë gazetarët, por edhe mënyrat se si mund të bëhet një lajm i fundit pa gabuar, edhe nën presionin e kohës.

Bashkëpunimi mes gazetarëve, avokatëve dhe institucioneve të drejtësisë mbetet thelbësor për ndërtimin e një kulture raportimi të drejtë, të saktë dhe etik, ku transparenca është në shërbim të publikut. /acqj.al