Olsion Hoxha, një i ri me sindromën Down, përballet çdo ditë me dështimet e sistemit arsimor. Pavarësisht ligjeve që sigurojnë qasje të barabartë, ai përballet me diskriminim, mungesë mbështetjeje dhe përjashtim nga ndihma thelbësore, siç është një mësues ndihmës i specializuar. Historia e Olsionit, së bashku me të tjera të ngjashme, thekson dështimet në hapat e mara nga institucionet shtetërore në këtë drejtim dhe nevojën e domosdoshme për ndryshime sistemike për të akomoduar fëmijët me nevoja të veçanta në Shqipëri.
Gazetarë: Bleona Prengëzaj dhe Bleona Zela
20-vjeçari, Olsion Hoxha, i cili është i diagnostikuar me sindromën Down, përballet çdo ditë me vështirësi të mëdha në arsim, për shkak të mungesës së mbështetjes së duhur dhe të diskriminimit sistematik.
I ati, Milazim Hoxha, tregon për ne se, Olsioni ka ndjekur fillimisht shkollën në gjimnazin “Aleks Buda”, në Laprakë, ku e kanë ngelur në klasë në kundërshtim me ligjin.
“Arsyeja kryesore ishte mungesa e njohurive në frëngjisht. Pavarësisht se kishte një mësuese ndihmëse, ajo u përjashtua nga hartimi i programit për Olsionin. Kjo situatë çoi në ngeljen e tij në vitin e parë të gjimnazit”, – rrëfen Milazim Hoxha për të birin.
Më pas Olsioni është transferuar në gjimnazin “Kostandin Kristoforidhi”, ku po përfundon vitin shkollor me ndihmën e mësuesve të trajnuar dhe mbështetës.
“Çështja e Olsionit është ende në shqyrtim nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, – tregon i ati i Olsionit.
Por, rasti i Olsionit nuk është i vetmi. Edukatore Vera, prej 20 vitesh në profesion, tregon përballjen e saj me fëmijën, që në moshë 5-vjeçare, i cili ishte i diagnostikuar me autizëm.
“Gjatë viteve të mia në edukimin e fëmijëve parashkollorë kam rastisur me një fëmijë, i cili ishte i diagnostikuar me autizëm. Normalisht me të më duhej që të bëja edhe rolin e një mësuesi të dytë, pasi ai kërkonte më shumë përkushtim dhe vëmendje. Në pamundësi të një mësuesi ndihmës, me aq sa kisha mundësi dhe dijeni se si duhet të silleshim me këta fëmijë, mundohesha që ta përfshija në veprimtari apo aktivitete të ndryshme bashkë me të tjerët, ndonëse kjo ishte pjesa më e vështirë”, – rrëfen edukatore Vera.
Gjithashtu, ajo thotë se pjesa më e vështirë kishte të bënte me socializimin me shokët e tjerë.
“Fëmijët e tjerë nuk arrinin që t`i kuptonin kërkesat e tij apo se çfarë ai donte. Edhe unë vetë e kisha të vështirë që ta kuptoja, por përpiqesha disa herë, derisa arrija që të gjeja se çfarë donte”, – thotë ajo.
Ndërkohë, tregon se është përballur dhe me raste, kur fëmija pësonte kriza
“Kishte raste, kur ai pësonte kriza. Informoja prindërit dhe ata vinin dhe e merrnin, pasi vetë unë nuk mundesha. Duhet të kontrolloja dhe 24 fëmijë të tjerë”, – rrëfen edukatorja gjatë intervistës.
Rasti i këtij djali ka vazhduar edhe më tej, kur filloi shkollën 9-vjecare. Po e njëjta situatë. Mësuesit mundoheshin që të kujdeseshin edhe për të, ndërsa shpesh gjatë orarit të shkollës qëndronte dhe e ëma gjatë gjithë mësimit.
Tashmë, ai është pothuajse 18 vjeç dhe nuk e ka vazhduar më pas shkollës 9-vjeçare.
“Sfidat më të zakonshme mund të jenë emocionale apo fizike, siç mund të jetë vetëbesimi apo vetëvlerësimi i ulët; të ndjerit në një gjendje ankthi të një forme të theksuar, si dhe duke u izoluar në vetvete”, – thotë psikologia, Desdemona Çelo.
Gjithashtu, ajo përmend edhe izolimin social, që, sipas saj, është një nga vështirësitë, që këto fëmijë kanë.
“Për shkak se mund të kenë vështirësi në komunikim ose në ndërveprim me të tjerët, kjo mund t`i çojë në vetë-izolim. Mund të përballen edhe me gjykimin, që në shoqërinë tonë, qoftë dhe nga vetë familjarët, është mjaft i përhapur. Mund të hasin vështirësi apo sfida edhe në fushën akademike, nuk mund të arrijnë ritmin e nxënësve të tjerë, qoftë edhe në kryerjen e detyrave apo leximit”, – thotë ajo.
E pyetur për nevojën e mësuesit ndihmës, ashtu sikurse në rastin e Olsionit, psikologia, Desdemona Çelo, shpjegon se mësuesi ndihmës luan një rol kryesor te fëmijët me aftësi të veçanta, që ata të kenë mundësi që të ndjekin në mënyrë të barabartë mësimin bashkë me fëmijët e tjerë.
“Nëse do të mungojnë mësuesit ndihmës, do të kemi vështirësi në zhvillimin e duhur të fëmijës, sepse janë pikërisht këta mësues ndihmës, që kanë kualifikimin e duhur për t`iu ardhur në ndihmë, duke qenë se ata nuk do ta ndiqnin dot ritmin e fëmijëve të tjerë. Një mësues ndihmës rrit edhe vetëvlerësimin e fëmijës”, – thotë psikologia, Çelo.
Gjithashtu, ajo thekson se mjaft i rëndësishëm për zhvillimin e fëmijëve me aftësi të veçantë është dhe bashkëpunimi midis mësuesit dhe prindërve.
“Është shumë e rëndësishme që të kemi bashkëpunim midis mësuesit dhe prindërve.
Praktikat, që një mësues ndihmës mund të bëjë me fëmijët, si për shembull në artikulimin e fjalëve, mund t`i praktikojnë edhe prindërit. Shumë e rëndësishme është mbështetja e të gjithë komunitetit dhe përfshirja e fëmijës, njësoj si të tjerët”, – tregon psikologia, Çelo.
Sfida e arsimimit për fëmijët me aftësi të kufizuara
Ministria e Shëndetësisë e ka cilësuar arsimimin për personat me aftësi të kufizuara si prioritet në kontekstin e përfshirjes sociale, ku në nenin 24 të KDPAK për edukimin përcakton: “Të realizohet e drejta për edukim për personat me aftësi të kufizuara, pa diskriminim dhe në bazë të mundësive të barabarta”.
Por, nga një hulumtim i Laboratorit të Gazetarisë Investigative duket se kjo ka mbetur vetëm në parim, pasi në realitet sistemi arsimor po përballet me sfidën e mungesës së mësuesit ndihmës për fëmijët me aftësi të veçanta.
Vështirësitë dhe sfida në trajtimin e autizmit në Shqipëri
“Hapja e qendrës për fëmijët me aftësi ndryshe patjetër që nis me eksperiencën time, personale dhe rritet me eksperiencën e të gjithëve. Një histori që daton 20 vite më parë, pasi djali im është me spektrin autik”, – tregon Brixhida Muça, administratore e qendrës Lumturo Dhimbjen, qendër jofitimprurëse për të rinjtë me autizëm.
Ajo rrëfen mbi vështirësitë që hasi në vendin tonë për të kuruar djalin e saj.
“Vite më parë autizmi nuk njihej mirë në Shqipëri, nuk kishte metoda për trajtim, gjë e cila më drejtoi drejt vendeve jashtë Shqipërisë për trajtimin e djalit tim, pasi ai vuan dhe nga sëmundje shoqëruese e teksa shikoja trajtimin që iu bëhej fëmijëve me sëmundje të ndryshme, ku, përpos sëmundjes, që ata kishin, qendrat spitalore organizonin aktivitete të ndryshme, ku, edhe pse në dhimbje, ata arrinin të lumturoheshin. E mbushur me një dëshirë të madhe për të kontribuuar në vendin tim, ku këto trajtime mungonin, një ditë, e cila daton në vitin 2018, ndërmora nismën për zhvillimin e sfilatave dhe aktiviteteve të bamirësisë, duke arritur në krijimin e qendrës së quajtur Lumturo Dhimbjen, me anë të së cilës që prej një viti iu vijmë në ndihmë fëmijëve me aftësi ndryshe, por dhe atyre me kancer”, – tregon ajo.
Sipas znj. Muça, çka më së shumti iu mësohet fëmijëve në qendrën e saj, janë aftësitë bazë, pra se si ata mund të kryejnë aktivitetet e përditshme pa ndihmën e një personi tjetër.
“Për adoleshentët mungojnë qendrat ditore, ku të qëndrojnë gjatë gjithë ditës me orare të caktuara. Një vështirësi tjetër është mungesa e terapistëve për adoleshentët. Në thirrje të ndryshme, të hapura për kërkimin e terapistëve, ka një dyndje të madhe, por në momentin që informohen që do të merren me adoleshentët, ka një tërheqje, pasi ka sfida të shumta në përballjen me terapitë për adoleshentët, pasi mund të bëhen agresivë edhe pa arsye”, – rrëfen ajo gjatë intervistës.
Në fund të intervistës ajo sugjeron disa ndryshime, që mund të bëhen në sistemin arsimor për fëmijët me aftësi ndryshe.
“Trajnimi i stafit është shumë i rëndësishëm. Informimi dhe vendosja e disa rregullave, që këta fëmijë të kenë prioritet, si dhe lehtësitë që ata duhet të kenë në pjesën e testimeve, që në fakt i kanë, por nuk implementohen. Bashkia e Tiranës ka ndërtuar qendra, të cilat ofrojnë shërbime, por nuk janë të mjaftueshme dhe nuk e japin si duhet cilësinë e trajtimit, pasi fëmijët vendosen të gjithë në një sallë, ku bëjnë terapi për të gjitha tipologjitë e problematikave të aftësisë ndryshe, gjë që nuk duhet të jetë, pasi marrin nga njëri-tjetri”, – thotë znj Muça.
Znj. Brixhida tregon për problematikat, që këta fëmijë hasin në sistemin arsimor, duke specifikuar mungesën e mësuesve ndihmës, por edhe vëmendjen që atyre iu kushtohet në shkolla. Janë problematika të shumta, por mbi të gjitha ajo specifikon “lënien pas dore” të adoleshentëve me aftësi ndryshe në sistemin arsimor.
“Autizmi dhe sindroma Down janë të pashërueshme, por vetëm edukohen, duke nxjerrë në pah aftësitë dhe talentet e fshehura të fëmijëve me aftësi ndryshe, aftësi, të cilat nuk duhen lënë në hije, në mënyrë që të kemi përmirësimin e tyre. Me sa më shumë aktivitet dhe kreativitet autizmi minimizohet”, – përfundon ajo.
Mungesa e mësuesit ndihmës
Mësuesit ndihmës luajnë një rol të rëndësishëm në sigurimin e mbështetjes individuale, si dhe në krijimin e një mjedisi të barabartë dhe të sigurt për këta fëmijë. Ndonëse nevoja e mësuesit ndihmës është në rritje, prania e tyre në shkolla është e ulët.
Edhe pse Ministria e Arsimit e ka përllogaritur numrin e mësuesit ndihmës në raportin 1 me 3 nxënës, nga informacionet e mbledhura nga të dhënat e Drejtorisë Rajonale të Arsimit Parauniversitar (DRAP), shihet një mospërputhje e tyre.
Këto diferenca në shifra paraqesin sfida serioze në zhvillimin e politikave dhe të strategjive efektive për mbështetje të vazhdueshme. Identifikimi dhe zgjidhja e këtyre mospërputhjeve janë thelbësore, për të garantuar që çdo nxënës të marrë ndihmën dhe trajtimin e nevojshëm, duke krijuar një sistem arsimor më të drejtë dhe përfshirës për të gjithë.
Sipas të dhënave nga MAS, numri i mësuesve ndihmës për fëmijët me aftësi ndryshe është 2.187, ndërkohë që numri i fëmijëve me aftësi ndryshe është 3.961.
Ndër të tjera, sipas të dhënave nga DRAP, rezulton që në DRAP, Korçë numri i mësuesve ndihmës është 228, në DRAP, Lezhë numri i mësuesve ndihmës është 332, ndërsa në DRAP, Fier rezulton që numri i mësuesve për nxënësit me aftësi ndryshe është 319.
Sipas të dhënave më sipër, numri total i mësuesve ndihmës për tre nga DRAP është 879, ndërkohë që ende nuk dihet numri i mësuesve dhe i nxënësve me aftësi ndryshe për DRAP, Durrës, pasi nuk ka ofruar të dhëna mbi numrin e mësuesve ndihmës.
Sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit (MAS), numri i mësuesve ndihmës për nxënësit me aftësi ndryshe për vitin shkollor 2023-2024 është 2.187, ku, sipas ministrisë, nuk rezulton të ketë mungesa të mësuesve ndihmës, ndërkohë që të dhënat nga DRAP tregojnë një tjetër realitet, pasi, sipas ZVAP, Malësi e Madhe, janë të mbuluara me mësues ndihmës sipas orëve të rekomanduara nga KMD, por 5 mësues ndihmës janë provizorë dhe pa arsimin përkatës, të cilëve iu është ndërprerë kontrata më 14.06.2024.
Ndërkohë, në ZVAP, Shkodër një nxënës me aftësi ndryshe nuk është mbuluar me mësues ndihmës për vitin shkollor 2023-2024, për shkak të refuzimit të mësuesit ndihmës, të propozuar për ofrimin e këtij shërbimi.
Përpos mospërputhjeve në shifra për mungesën e mësuesve ndihmës, gjithashtu vërehet një mospërputhje në numrin e nxënësve me aftësi ndryshe nga të dhënat e paraqitura nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit dhe DRAP përkatëse.
Në tabelat e mëposhtme janë paraqitur të dhëna nga Drejtoritë Rajonale të Arsimit Parauniversitar dhe nga Ministria e Arsimit. Në këto të dhëna vërehet që shifrat e paraqitura në lidhje me numrin e nxënësve me aftësi ndryshe nga institucionet nuk përputhen. Sipas të dhënave, diferencat më të mëdha janë në qytetin e Fierit, të Shkodrës dhe të Elbasanit. Në këto qytete shifrat e dhëna nga ministria për numrin e nxënësve me aftësi ndryshe janë më të larta sesa shifrat që jepen nga DRAP.
Nr. nxënësve nga DRAP, Fier | Nr. nxënësve nga Ministria e Arsimit | Diferenca | |
Patos | 33 | 31 | 2 |
Përmet | 21 | 31 | -10 |
Mallakastër | 18 | 29 | -11 |
Roskovec | 5 | 11 | -6 |
Tepelenë | 34 | 42 | -8 |
Fier | 84 | 191 | -107 |
Divjakë | 10 | 58 | -48 |
Sarandë | 67 | 58 | 9 |
Lushnjë | 115 | 106 | 9 |
Gjirokastër | 53 | 52 | 1 |
ZVAP | Nr. nxënësve nga DRAP, Lezhë | Nr. nxënësve nga Ministria e Arsimit | Diferenca |
Lezhë | 43 | 65 | -22 |
Kurbin | 20 | 60 | -40 |
Kukës | 80 | 83 | -3 |
Has | 6 | 18 | -12 |
Tropojë | 12 | 15 | -3 |
Shkodër | 51 | 157 | -106 |
Vau i Dejës | 43 | 24 | +19 |
Pukë | 8 | 21 | -13 |
ZVAP | Shkolla/Zonë | Nr. i nxënësve me aftësi të ndryshme (Ministria e Arsimit) | Diferenca | |
Korçë-Pustec | Pustec | 11 | 91 | -80 |
Korçë | Pogradec | 12 | 95 | -83 |
Korçë | Përrenjas | 14 | 88 | -74 |
Korçë | Elbasan | 38 | 213 | -175 |
Korçë | Librazhd | 22 | 49 | -27 |
Korçë | Maliq | 8 | 50 | -42 |
Korçë | Peqin | 8 | 38 | -30 |
Korçë | Cërrik | 10 | 41 | -31 |
Korçë | Dimal | 9 | 46 | -37 |
Gjatë intervistës me eksperten e arsimit, Ana Llazo, zbuluam një panoramë të thellë mbi sfidat dhe mundësitë që lidhen me klasat e veçanta për nxënësit me aftësi ndryshe. Llazo shprehet se, mungesa e mësuesve ndihmës ka një ndikim të rëndësishëm në mbështetjen që marrin nxënësit, veçanërisht ata me nevoja të veçanta.
Mungesa e mësuesve ndihmës në arsimin për nxënësit me aftësi ndryshe lidhet kryesisht me financimin e pamjaftueshëm për punësimin e profesionistëve të specializuar dhe mungesën e trajnimeve të përshtatshme. Politikat arsimore shpesh nuk i japin prioritet edukimit gjithëpërfshirës, duke lënë këtë fushë të nënvlerësuar dhe të pafurnizuar me burime të nevojshme.
Ekspertja Llazo mbështet klasat e veçanta për këta nxënës, duke argumentuar se ato ofrojnë një mjedis më të sigurt dhe mbështetës, që kontribuon në rritjen e vetëvlerësimit dhe përparimin më të shpejtë akademik dhe social. Megjithatë, ajo thekson edhe rëndësinë e klasave gjithëpërfshirëse për integrimin social të nxënësve me aftësi ndryshe.
Mungesa e mësuesve ndihmës sjell sfida të shumta, duke përfshirë mungesën e ndihmës së personalizuar, uljen e motivimit dhe vetëvlerësimit, si dhe vështirësinë e mësuesve kryesorë për të diferencuar mësimin për nevoja të ndryshme nxënësish.