SPAK – Tenderat që fundosin pushtetin lokal!

Nga 61 bashki në Shqipëri, 40 janë përfshirë në hetime nga SPAK për abuzime me tenderat, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi funksionimin e pushtetit vendor. Të dhënat tregojnë një model të përsëritur korrupsioni në prokurimet publike, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se problemi nuk është vetëm individual, por sistemik dhe kërkon reforma përtej ndëshkimit penal.

Denada Jushi

Çdo katër vjet shqiptarët zgjedhin. Çdo ditë SPAK hap dosje. Nga 61 bashkitë e vendit, 40 kanë qenë ose janë aktualisht nën hetim penal. Kryebashkiakët akuzohen kryesisht për një gjë: tenderat. Aty ku duhej të ndërtoheshin rrugë, ujësjellës dhe shkolla, u ndërtuan skema korrupsioni. Kjo është historia e shumicës së bashkive shqiptare në vitin 2025.

“I votojmë që të kemi ujë, drita dhe rrugë, por i shohim në televizion se vjedhin!” – kështu shprehet një banor i Vlorës, të cilin e kontaktuam këtë fundjavë për të pyetur nëse uji kishte nisur të vinte rregullisht.

Qytetarët zgjedhin çdo katër vjet drejtuesit vendorë me qëllim që ata të përmirësojnë jetesën përmes investimeve. Në Shqipëri ka dy realitete krejtësisht të largëta nga njëra-tjetra kur vihet në sitë puna e administratës.

Në njërën anë, sipas qeverisë, puna e administratës është në nivel të shkëlqyer.
“Kisha frikë se do linim nam, jam krenar që administrata jonë mori duartrokitje për negociatat me BE,” u shpreh pak ditë më parë Kryeministri Rama.

Por, në paradoks, po në të njëjtën javë, të dhënat dëshmojnë se 40 nga 61 bashki të vendit kanë dosje hetimore në Prokurorinë e Posaçme.

Bashkitë janë institucioni më i afërt me qytetarët, janë përgjegjëse për shërbime si infrastruktura, furnizimi me ujë, menaxhimi i mbetjeve, transporti urban apo mirëmbajtja e hapësirave publike. Nëse do të mirëfunksiononin këto institucione, qytetarët do të përfitonin drejtpërdrejt nga investimet dhe shërbimet. Por nga vëzhgimi i dosjeve rezulton se këto institucione preken nga korrupsioni dhe abuzimi me fondet publike.

Sipas të dhënave të publikuara nga SPAK, që nga krijimi i kësaj strukture deri më sot, 40 nga 61 bashkitë e vendit kanë pasur ose vijojnë të kenë dosje të hapura hetimore. 16 kryebashkiakë ose ish-kryebashkiakë janë përballur me akuza që lidhen kryesisht me korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës.

Një nga rastet më të fundit është ai i ish-kryebashkiakut të Memaliajt, i cili do të përballet me gjykatën për shkelje gjatë një tenderi për ujësjellësin e zonës, me një fond prej rreth 493 milionë lekësh.

Abuzimet më të mëdha?

Tenderat për ujësjellësit dhe rikonstruksionin e rrugëve lokale janë ndër procedurat ku janë evidentuar më shpesh abuzime. Një nga format më klasike ku janë zbuluar këto shkelje kanë qenë rastet e evidentuara pas denoncimeve të operatorëve humbës në gara apo edhe nga auditimet e kryera nga institucionet e kontrollit financiar.

Raporti i vitit 2025 i SPAK evidenton se manipulimi i procedurave të prokurimit publik është një nga format më të zakonshme të korrupsionit në administratën publike. Sipas raportit, hetimet kanë treguar se procesi i tenderimit shpesh manipulohej që në fazën e përgatitjes së dokumentacionit.

“Procesi i prokurimit publik manipulohej në çdo fazë, nga përgatitja e dokumentacionit deri tek ekzekutimi i kontratave. Titullarët e autoriteteve kontraktuese dhe zyrtarët përgjegjës hartonin specifikimet teknike dhe përllogaritjen e fondeve në favor të operatorëve të caktuar,” thuhet në raportin e SPAK.

Dokumenti thekson po ashtu se në shumë raste ofertat e konkurrentëve skualifikoheshin qëllimisht, ndërsa kontrollet formale mbi procedurat nuk kryheshin nga personat kompetentë.

“Si rezultat, procesi i prokurimit ka funksionuar jo si një instrument i ligjshëm për investime publike, por si mekanizëm për shpërdorim fondesh dhe përfitime të paligjshme,” theksohet në raport.

Sipas SPAK, korrupsioni në institucionet publike shpesh është i strukturuar dhe përfshin nivele të ndryshme të administratës. Hetimet kanë treguar raste kur zyrtarë publikë bashkëpunonin me operatorë për të manipuluar dokumentacionin dhe fondet limit të tenderave, duke siguruar rezultate të paracaktuara.

Ekspertët e qeverisjes vendore e konsiderojnë këtë situatë si një sinjal alarmi për funksionimin e administratës lokale.

Drejtori ekzekutiv i Institutit për Bashkitë e Shqipërisë, Agron Haxhimali, thotë se numri i madh i bashkive të përfshira në hetime tregon një problem serioz.

“Numri i madh i bashkive në hetim nga SPAK tregon dy gjëra: nivel të lartë dyshimesh për korrupsion në pushtetin vendor dhe një aktivizim më të madh të institucioneve të drejtësisë për hetimin e zyrtarëve publikë. Por kjo shifër nuk duhet parë si statistikë, por si një sëmundje që duhet shëruar,” thotë Haxhimali.

Sipas tij, një nga problemet kryesore lidhet me transparencën e procedurave të tenderimit. Transparenca e tenderave në bashki është e kufizuar, sepse procedurat mund të jenë formalisht publike, por informacioni i detajuar dhe konkurrenca reale nuk janë gjithmonë të garantuara.

Megjithëse ekzistojnë mekanizma kontrolli si auditimi shtetëror, SPAK dhe gjykatat, efektiviteti i tyre shpesh varet nga mënyra se si zbatohen në praktikë.

“Duhet më shumë përgjegjësi dhe integritet profesional, por edhe forcim i auditimit të brendshëm në njësitë vendore si mekanizëm parandalues,” shton Haxhimali.

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore iu drejtua GJKKO-së për të ditur sa janë rastet që kanë përfunduar gjykimin dhe si kanë rezultuar këto çështje në përfundim, por deri më tani nuk kemi marrë një përgjigje.

Për juristin Ili Gerdupi, korrupsioni në nivel lokal nuk lidhet vetëm me boshllëqet ligjore.

“Problematika e korrupsionit në nivel lokal nuk është e lidhur vetëm me kufizimet ligjore. Korrupsioni nuk pengohet vetëm me procedura tenderimi, por duke krijuar një qasje alternative ndaj prokurimit që nxit pjesëmarrjen e kompanive më të mëdha dhe konkurrencën reale,” thotë ai.

Gerdupi thekson gjithashtu se një nga arsyet pse disa çështje zgjasin shumë në gjykatë lidhet me mungesën e masave të sigurimit personal për të pandehurit.
“Kur ndaj të pandehurve nuk zbatohen masa sigurie personale, nuk ka një afat të detyrueshëm për gjykatat dhe proceset shpesh zgjaten,” shpjegon juristi.

Ai shton se në hetimet penale fokusi mbetet tek individi dhe jo tek problemi sistemik. Problemet në pushtetin vendor janë evidentuar edhe në raportet ndërkombëtare. Sipas progres-raportit të Bashkimit Europian për Shqipërinë, decentralizimi ka bërë disa hapa përpara, por mbeten ende sfida të rëndësishme.

Progres-raporti thekson se ndarja e kompetencave mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor mbetet e paqartë dhe se bashkitë vazhdojnë të kenë varësi të konsiderueshme financiare nga qeveria.

Po ashtu, një tjetër problematikë lidhet me kapacitetet administrative, sidomos në bashkitë më të vogla, ku mungesa e stafit të kualifikuar ndikon në menaxhimin e projekteve dhe fondeve publike. Ndërsa më shqetësuese është situata financiare.

Sipas raportit “Qeverisja Vendore në Shqipëri, raport mbi situatën 2024” të publikuar nga Instituti për Bashkitë e Shqipërisë, detyrimet e prapambetura të 61 bashkive në vend arritën rreth 3.2 miliardë lekë, ose rreth 33 milionë euro. Raporti thekson se 14 bashki kanë rritur borxhin gjatë vitit 2024, ndërsa katër prej tyre, si Kavajë, Vorë, Cërrik dhe Dimal, konsiderohen në vështirësi të mëdha financiare.

Viti 2027 po afron dhe aspirata e Shqipërisë për të qenë vend anëtar i BE-së u pa qartë edhe në zgjedhjet e 11 majit, ku qeveria u përqendrua pikërisht në këtë rrugëtim. Por si e kanë zgjidhur uljen e korrupsionit vendet anëtare?

Në Estoni, për shembull, pothuajse të gjitha kontratat publike publikohen online dhe procedurat e prokurimit zhvillohen përmes platformave digjitale, duke reduktuar ndërhyrjet njerëzore dhe mundësitë për manipulim.

Një ide që u tentua të implementohej edhe në Shqipëri përmes një sërë procesesh digjitalizimi, por që shumë shpejt u shoqërua me probleme dhe akuza për korrupsion, duke lënë qytetarët për muaj të tërë pa shërbime.

Në Rumani, një rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit ka luajtur Drejtoria Kombëtare Antikorrupsion (DNA), një strukturë homologe me SPAK-un, e specializuar për hetimin e ministrave, deputetëve dhe kryebashkiakëve.

Ndërkohë, në vende si Finlanda dhe Danimarka, administratat publike funksionojnë mbi bazën e meritokracisë dhe profesionalizmit. Punonjësit e administratës nuk ndryshojnë me çdo rotacion politik dhe rekrutimi bëhet përmes konkurseve transparente.

Eksperienca europiane tregon se korrupsioni nuk reduktohet vetëm përmes ndëshkimeve penale, por përmes një kombinimi reformash që përfshijnë transparencë financiare, administratë profesionale dhe institucione të pavarura kontrolli. Por mbi të gjitha, kërkohet vullnet politik për ta arritur këtë.

Hetimet e SPAK kanë sjellë një ndryshim: frika ka hyrë në zyrat e bashkive. Por frika nuk është reformë. Ndëshkimi nuk është sistem. Shqipëria ka nevojë jo vetëm për prokurorë të mirë, por për bashki të mira, institucione që qytetarët t’i shohin si zgjidhje, jo si problem./acqj.al