Denada Jushi
Struktura e Posaçme Antikorrupsionit vijon të shtojë emra kryebashkiakësh e zyrtarë të tjerë në rrethin e hetimeve. Duke marrë nën akuzë kryebashkiakë dhe zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë, skemat e korrupsionit po zbardhen ditë pas dite.
Ajo që bie në sy në afërsi të 6-vjetorit të krijimit të kësaj strukture është se më shumë zyrtarë kalojnë në sitën e SPAK sesa janë në detyrë. Pushteti qëndror, por mbi të gjitha ai vendor, tregon se më shumë po prodhohen dosje hetimore sesa projekte për qytetarët.
ACQJ deri në qershor 2025, bëri një rezyme të gjithë zyrtarëve të lartë që ishin marrë të pandehur, apo dënuar nga drejtësia e re.
Por cilët janë zyrtarë e kryebashkiakë që SPAK ka vënë së fundmi nën akuzë?
Të premten që lamë pas, SPAK deklaroi se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim kryebashkiaken e Roskovecit, Majlinda Bufi. Nën akuzë se ka ushtruar presion ndaj një qytetari që të mos votojë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. Veprën penale që akuzohet kryebashkiakja është “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme thonë se Bufi ka përdorur situatën e qytetarit pasi kishte një përfitim në programet sociale të Bashkisë, për t’i bërë presion.
Një tjetër kryebashkiak, ai i Vaut të Dejës, Kristjan Shkreli, është marrë i pandehur në SPAK. Ai është i dyshuar për veprën penale të korrupsionit zgjedhor. Së bashku me Shkrelin të dyshuar janë edhe 3 persona të tjerë. Vepra penale lidhet me zgjedhjet e 11 majit 2025.
Përpara zhvillimit të zgjedhjeve, kreu i Dumanit vizitoi disa herë rrethin e Shkodrës, duke përçuar mesazh se SPAK po hetonte mbi shitblerjen e votës. Qarku Shkodër jo pak herë është vënë në dukje për këtë fenomen.
Më herët një tjetër kryetar bashkie, ai i Kolonjës, Erion Isai, u mor i pandehur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për kryerje të veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Gjatë dy viteve të fundit, Isai ishte parë të paraqitej jo pak herë në SPAK, ku kishte dhënë shpjegime lidhur me procedurat e ndjekura në disa tendera. Sipas prokurorisë, ai dyshohet se bashkë me punonjës të tjerë të bashkisë kanë favorizuar operatorë ekonomikë të caktuar gjatë procedurave të tenderave.
ACQJ iu drejtua SPAK për koment, nëse ka emra të tjerë nën hetim? Duke qenë se shumë emra të tjerë kryebashkiakësh janë parë të kalojnë derën e SPAK, si ish-kryebashkiaku i Matit, Agron Malaj, sot aktualisht mban statusin e deputetit;
ish-kryebashkiaku i Kamzës dhe kryebashkiaku aktual; ish-kryebashkiaku i Kavajës Roshi; kryebashkiaku në detyrë i Shkodrës, Beci; kryebashkiakja e Lushnjës, Eriselda Sefa; kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi; etj.
Pa dyshim afro 70% e drejtuesve apo ish-drejtuesve të pushtetit lokal kanë qenë së paku të pyetur në SPAK një herë, një pjesë në hetim, disa të pandehur, e disa të dënuar tashmë.
Por deri më tani SPAK nuk u përgjigj.
Por nuk ndalet me kaq.
“Surpriza” e GJKKO-së me gjyqtar Erion Çela ishte urdhërimi i SPAK që të nisë hetimet për deputetin, njëherazi ish-prokurorin e shkarkuar nga vettingu, Arjan Ndoja. Nga dyshime për pastrim parash e deri te mosdeklarim pasurie.
Për ta përmbyllur javën që ishte intensive, i pandehur u mor dhe ish-drejtori i përgjithshëm i burgjeve, Agim Ismaili. Akuzat lidhen me hakerimin e të dhënave të SPAK në mars të 2025.
Krahas të gjithë emrave dhe akuzave që ka ngritur SPAK për këto zyrtarë, vëmendja e madhe është se çfarë do të ndodhë më tej me çështjen e numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur për Tunelin e Llogarasë me akuzën “Shkelje e barazisë në tendera”.
Kur na ndajnë pak javë nga mbyllja e vitit, bilanci i SPAK na tregon se këtë vit, më shumë zyrtarë prodhuan dosje hetimore sesa kryen detyrën. /acqj.al