Ida Ismalaj
UPDATE ( 19 Dhjetor 2024)
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka reaguar për raportin e RASFF, për 3 ngarkesa me mandarina me pesticide, që vinin nga Shqipëria. Reagimi i Ministrisë së Bujqësisë, vjen vetëm pasi raporti u bë publik në media. Ministria bën të ditur se janë tre ngarkesa me Mandarina clementine, të eksportuara nga subjektet grumbulluese ushqimore me vendndodhje në Berat dhe Fier.
“Dy prej ngarkesave kanë mbërritur në vendin e origjinës. Njëra prej ngarkesave është dërguar nga AKU- Pika e Inspektimit Kufitar, në subjektin eksportues dhe ngarkesa është asgjësuar nga fermerët me adresë Fshati Gorican, Bashkia Dimal, Qarku Berat dhe Fshati Mursi, Bashkia Konispol, Qarku Vlorë”-thuhet nga Ministria e Bujqësisë, por pa vendosur në dispozicion pamje të asgjësimit.
Përsa i përket ngarkesës tjetër, Ministria e Bujqësisë deklaron se mbahet e bllokuar në subjektin grumbullues të ndodhur në Qarkun e Fierit dhe procedura e asgjësimit të produkteve do të kryhet nga ky Operator i Biznesit Ushqimor në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale të Tatimeve, Autoritetin Kombëtar të Ushqimit dhe Autoritetin Kombëtar të Mjedisit. Kjo ngarkesë nuk është shoqëruar me një raport laboratorik, pasi nuk është detyrim ligjor për subjektet eksportuese, të cilat e kryejnë këtë proces ne kuadër të vetë kontrollit. Ndërsa ngarkesa e tretë e njoftuar me mbetje mbi normë të Produkteve të Mbrojtjes së Bimëve, ende nuk ka mbërritur në Republikën e Shqipërisë. As kjo ngarkesë nuk ka qenë e shoqëruar me një fletë analize.
Në lidhje me masat e ndërmarra, Ministria e Bujqësisë deklaron se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka gjobitur dhe bllokuar subjektin në Berat, për moszbatim të legjislacionit në fuqi. Po ashtu, po mbikqyren dhe merren masa për fermerët, të cilët kanë përdorur produkte për Mbrojtjen e Bimëve të ndaluara në Republikën e Shqipërisë.
Gjatë periudhës 29 nëntor-11 dhjetor 2024, sistemi Europian i Sigurisë Ushqimore RASFF ka raportuar tre raste të ndotjes me mbetje të pesticideve Chlorpyrifos dhe Phosmet, në ngarkesa mandarinash me origjinë nga Shqipëria. Këto substanca janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe të ndaluara në Bashkimin Europian për shkak të dëmeve të tyre afatgjata. Por, Ministria e Bujqësisë po fsheh rastin, duke mos bërë asnjë publim për qytetarët, nëse këto produkte janë konsumuar në tregun vendas apo janë asgjësuar sipas ligjit.
Detaje nga raportet e RASFF:
1. 29 nëntor 2024 – Chlorpyrifos në mandarina. Ngarkesa nga Shqipëria është zbuluar në Kroaci.
2. 11 dhjetor 2024 – Phosmet në mandarina. Ngarkesa është identifikuar në Kroaci.
Të gjitha këto raste janë EC-validated, që do të thotë se janë verifikuar si të sakta dhe përmbajnë mbetje të larta të këtyre pesticideve.

ÇFARË ËSHTË CHLORPYRIFOS?
Chlorpyrifos-ethyl është një pesticid që:
• Ndikon në zhvillimin e trurit tek fëmijët, veçanërisht në fazat e hershme të jetës.
• Shkakton dëmtime të sistemit nervor dhe çrregullime të sistemit endokrin.
• Rrit rrezikun për sëmundje kardiovaskulare dhe kancer.
Chlorpyrifos është ndaluar plotësisht në BE për përdorim dhe tregtim me Rregulloren Implementuese të Komisionit 2020/18/BE, datë 10 janar 2020, e cila hyri në fuqi më 16 shkurt 2020.
Në Shqipëri, ndalimi i përdorimit të tij është bërë me Urdhrin e Ministrit Nr. 26, datë 22.1.2020, ku përcaktohet se:
“Të kryhet çregjistrimi i produkteve të mbrojtjes së bimëve që përmbajnë Chlorpyrifos brenda datës 16 shkurt 2020”.
Çfarë ndodh në Shqipëri?
Ndërkohë që legjislacioni shqiptar është harmonizuar me atë të BE-së, realiteti në terren tregon një mungesë totale të mbikëqyrjes dhe transparencës.
Ngarkesat e bllokuara nga BE tregojnë se këto pesticide ende qarkullojnë dhe përdoren në vendin tonë.
Tregtarët dhe fermerët vazhdojnë të përdorin produkte të ndaluara, duke rrezikuar shëndetin publik dhe reputacionin e eksporteve shqiptare.
Dështimi i autoriteteve për të kontrolluar produktet ushqimore
Këto raste tregojnë qartë një dështim të sistemit të kontrollit të produkteve ushqimore nga autoritetet shqiptare. Për më tepër:
1. Ministria nuk ka informuar publikun për rrezikun e konsumit të këtyre mandarinave.
2. Nuk dihet nëse produktet janë bllokuar dhe groposur, apo kanë përfunduar në tavolinat e qytetarëve shqiptarë.
3. Eksportet e produkteve shqiptare po dëmtohen në tregjet europiane, për shkak të mbetjeve të pesticideve të ndaluara.
Mungesë transparence dhe masat që duhet të merren
A janë konsumuar këto ngarkesa në tregun vendas?
Çfarë masash janë marrë për ndalimin e importit dhe përdorimit të produkteve që përmbajnë Chlorpyrifos?
Pse nuk ka transparencë për asgjësimin e tyre sipas ligjit?
Kjo është një çështje e shëndetit publik dhe nuk mund të neglizhohet.