polic qe vendos gjoba per makinat polic qe vendos gjoba per makinat

Sistemi i gjobave perfekt për policinë, por jo për qytetarët

polic qe vendos gjoba per makinat

Qytetarët “përballë” Policisë

Ida Ismalaj

Imagjino të zbulosh se ke gjoba për të paguar për makinën tënde, pa e ditur fare! Kjo është situata për shumë drejtues në Shqipëri, të cilët po përballen me surpriza të hidhura kur zbulojnë gjobat e grumbulluara krejt rastësisht. Rasti i I.K., një qytetar nga Tirana, i cili hasi një sërë gjobash të pa-lajmëruara teksa kontrollonte aplikacionin Easy Pay, na tregon një situatë alarmante: ndonëse shumë qytetarë mendojnë se janë të përditësuar për penalitetet e makinave, sistemi funksionon për policinë, por jo për qytetarët.

Mund të marrësh 6 gjoba nga policia dhe të mos jesh në dijeni për to.

I tillë është rasti i I.K, rreth të 40-tave nga Tirana që gjobat imori vesh krejt rastësisht kur pa aplikacionin Easy Pay. Më pas ai kontrolloi gjobat në portalin e-Albania

Shqetësimi i mosdijenisë për gjoba nuk është një rast i izoluar. Janë me dhjetëra qytetarë të cilët nuk janë të informuar për masat administrative që mund të ketë ndërmarrë policia.

A është njoftimi në e-Albania zgjidhje?

“Është e vështirë të përdorësh e-Albania për të verifikuar automjetin nëse ke gjobë apo jo, pasi nëse ke 2-3 mjete në pronësi edhe vetë aplikacioni është i paorganizuar dhe nuk jam njoftuar kurrë as me SMS, as me e-mail për masat administrative që kam marre”, thotë I. K.

Nuk është vetëm problemi i dijenisë për gjobat, por paqartësi arritet kur qytetarët nuk janë të bindur për të.

“Për disa nga gjobat shkruhej se ishin vendosur në Tiranë, por pa specifikuar në çfarë zone” thotë I.K

Duke mos qenë në dijeni në kohë, drejtuesit e mjeteve nuk kanë patur mundësi për t’u ankimuar dhe tashmë duhet të përballen edhe me kamatvonesat.

“Gjoba më e vjetër ishte 1 mijë lekë, marrë në muajin maj të vitit 2023 dhe kishte shkuar në vlerën 3.200 lekë me kamatvonesën. 5 gjobat e tjera ishin marrë në vazhdimësi dhe në total kapnin një vlerë prej 10.200 lekësh. Nuk kisha mundësi t’I paguaja të gjitha gjobat menjëherë dhe fillova të paguaj çdo muaj nga 1 ose 2 gjoba”…

Një tjetër shqetësim është edhe fakti se gjobat që vihen nga policia bashkiake nuk kalojnë direkt në sistemin e-Albania.

Gjobat e 2023-2024 për të cilën drejtuesi nuk ka marrë dijeni

Gjobat nga radarët janë tjetër telash.

A.P, me profesion ekonomist i bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes. Ai vetë është gjobitur nga një kamerë e fshehtë, edhe pse është detyrim të njoftohet për zonën ku ka kamera.

Ai nuk ka marrë informacion për gjobën as me e-mail as me sms dhe kërkon ndërhyrjen e gjykatës për “t’i dhënë fund hajdutërisë”

Gjoba për të cilën qytetari nuk është vënë në dijeni

Ndërsa ndryshe veprohet nga Posta Shqiptare, të cilën kam nisur ta përdor për verifikimin e gjobave”-shprehet qytetari me iniciale I.K.

Policia e Shtetit, në përgjigje të kërkesës së Sinjalizo, për “njoftimin” vetëm përmes aplikacionit e- Albania, sqaron se qytetarët duhet të regjistrohen në e-Albania, te rubrika Kundravajtjet Rugore, “Deklarim i të dhënave për marrjen e njoftimeve për gjobat e automjeteve”.

Vetëm në këtë mënyrë, thekson Policia e Shtetit, qytetarët do të kenë mundësi të njoftohen në kohë reale me e-mail ose SMS në rast të masave administrative.

“Përcaktimi i shkeljeve për tejkalim të normave të shpejtësisë bëhet vetëm me pajisje shpejtësi matëse (radar) elektronike në regjim “Automatik”. .. kundërvajtësi ose personi solidar (pronari i mjetit), njoftohet në mënyrë elektronike, nga platforma E-Albania, në rubrikën mesazhet e mia dhe në numrin e celularit apo adresën e e-mailit”- thotë Policia e Shtetit.

Por këto njoftime mbërrijnë vetëm nëse përdoruesi ështëregjistruar në shërbimin “Deklarimi i të dhënave për marrjen e njoftimit për gjobat e automjeteve”.

Në një anketë me qytetarë, pothuaj të gjithë nuk janë në dijeni se duhet të bëjnë një regjistrim në një rubrikë të veçantë në e-Albania.

Për periudhën Janar-Shtator 2024 janë vendosur 24.840 gjoba.

Faximile: Mënyra e regjistrimit në E-Albania, faqja zyrtare e Policisë së Shtetit
Faximile: Hapat që duhet të ndiqen për t’u regjistruar, faqja zyrtare e Policisë së Shtetit
Faximile: Regjistrimi për t’u njoftuar për gjobën me SMS ose e-mail, faqja zyrtare e Policisë së Shtetit

Por, shërbimi nga e-Albania për t’u regjistruar përmes asistentit virtual nuk ofrohet. Në momentin që kërkojmë se si të regjistrohemi për t’u njoftuar mbi masat administrative, asistenti virtual na sjell një link, përmes të cilit na dërgon direkt tek sistemi i gjobave. Në këtë mënyrë nuk na jep shërbimin e kërkuar për t’u regjistruar në e-Albania, që të njoftohemi në kohë reale për gjobat përmes e-mail ose sms.

Faximile: Mënyra e regjistrimit permes asistentit virtual, faqja zyrtare e-Albania

Akoma më i ndërlikuar është sistemi manual, për regjistrimin në e-Albania, për njoftimin për gjobat në kohë reale, Në momentin që kërkojmë shërbimin përmes sistemit manual, nuk të ofrohet një link për t’u regjistruar, por duhet të plotësosh të dhëna të sakta në hapësirën e kerkimit, pasi në të kundërt faqja nuk hapet. Më pas duhet të ndjekësh një sërë hapash deri tek regjistrimi, për t’u njoftuar për gjobat me e-mail ose sms.

Për të krijuar lehtësi tek qytetarët dhe për t’iu kursyer atyre kohë, duhet që e-Albania të krijonte një fushatë informuese rreth kësaj risie dhe në faqen e saj të shfaqte një link, i cili të jep mundësine e regjistrimit menjëherë, për t’u njoftuar në kohë reale, për gjobat.

Shefi i Sektorit të Analizës në Drejtorinë e Policisë Rrugore Albert Pataj shpjegon për “Sinjalizo” procedurën që ndiqet nëterren, njoftimin dhe rivendosjes në afat për rastet e tejkalimit të afateve dhe rritjes së kamatëvonesave.

“Kur shkelja konstatohet përmes pajisjeve elektronike dhe automatike, përveç Proces-Verbalit, përfshihen edhe dokumentetë tjera si foto/video, bileta e testit të alkoolit apo drogës, e peshmatjes etj. Të gjitha këto dokumente mund t’i vihen në dispozicion kundërvajtësit”.

Për rastet e gjobave në mungesë z. Pataj thotë se njoftimi bëhet brenda 30 ditëve për mjetet me targa shqiptare dhe 360 ditë vepër ato me targa të huaja.

Për rastet kur kundërvajtësi nuk merr njoftimin, ai ka të drejtën të ankohet te Organi Administrativ Shtetëror përkatës. Në këto raste, mund të rivendoset afati për pagesën e gjobës me zbritje prej 50% brenda 15 ditëve”.

Në rastet kur nuk ka fletëgjobe për parkimet e gabuara, z. Pataj thotë se punonjësit e policisë rrugore e dokumentojnë shkeljen përmes fotografive

Për qytetarët që nuk përdorin e-Albania apo që nuk kanë qasje në internet, një rrugë alternative mbetet posta.

“A nuk mundet që posta të më sjellë njoftimin në shtëpi?”- pyet një taksist 62-vjeçar nga kryeqyteti. 

“Adresat e deklaruara nga poseduesit e automjeteve shpesh janë të pasakta. Ligjvënësi ka marrë parasysh këtë fakt dhe për këtë arsye është vendosur si mënyrë njoftimi edhe “njoftimi elektronik i certifikuar”, thotë Z.Pataj.

Mungesa e fushatave sensibilizuese nga Policia e Shtetit, për të njoftuar qytetarët për gjobat në mungesë, përmes regjistrimit në një rubrike të veçantë e-Albania përveç fatures financiare ka sjellë edhe sorollatjet në gjykata.

Përsa i përket ankesave të qytetarëve që kanë kundërshtuargjobat në organet e gjyqësorit, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë bën të ditur për “Sinjalizo” se është e pamundurtë evidentohen çështjet e gjobave në mungesë, pasi aktet e dosjes i shqyrton vetëm trupi gjykues që ka dosjen në gjykim. Gjykata Administrative deklaron se numri i përgjithshëm i gjobave për çështjet e policisë për vitin 2023 është 65 çështje, ndërsa për vitin 2024 janë 46 çështje.

Faximile: Kthim përgjigje, Gjykata Administrative për çështjet e gjobave të policisë

Në një vend ku çdo gjobë pa lajmërim kthehet në një faturë të rëndë me kamatë, transparenca dhe lehtësia e informimit janë më shumë se nevojë – janë domosdoshmëri.

Deri kur të përmirësohen sistemet e njoftimit dhe qytetarët të kenë besim se çdo gjobë arrin tek ata në kohë, çështja e gjobave të pa-dëgjuara do të mbetet një burim i vazhdueshëm pakënaqësie, ndaj policisë dhe sistemit.

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/