Denada Jushi
Me rënien e regjimit komunist në Shqipëri, pas afro 5 dekadash pa e njohur nocionin e lirisë, premtimi i madh i klasës politike dhe i shoqërisë në tërësi ishte rikthimi te liria.
Franklin D. Roosevelt shprehej se: “Liria nuk mund të dhurohet; ajo duhet të arrihet.”
Pas 36 vitesh, ende nuk kemi arritur tek liria; mbetemi “pjesërisht të lirë”, sipas raportit Freedom in the World 2025 të Freedom House.
Shqipëria shënoi një përparim modest, me vetëm një pikë më shumë krahasuar me raportin e vitit të kaluar. Nga 100 pikë, Shqipëria u vlerësua me 68 pikë. Në Ballkan, vendet kryesisht janë vlerësuar me të njëjtin status, por me pikë të ndryshme.
Shqipëria është vlerësuar pak më mirë se Serbia me 53 pikë dhe Bosnja me 54 pikë. Mali i Zi ka 68 pikë dhe Maqedonia e Veriut 67 pikë.
Ndërsa diferencë në status dhe në pikë kanë vendet në rajon që tashmë janë pjesë e BE-së, si Sllovenia, Kroacia dhe Greqia, të cilat kanë një diferencë shumë më të madhe pikësh.
Megjithatë, në rajon nuk ka asnjë vend të klasifikuar “jo të lirë”, por shumica e Ballkanit Perëndimor mbetet “pjesërisht e lirë”.
Raporti Liria në Botë përfshin vlerësime për të drejtat politike dhe liritë qytetare në 195 vende dhe 13 territore në mbarë botën. Raporti i këtij viti mbulon zhvillimet nga 1 janari 2025 deri më 31 dhjetor 2025.
Raporti zbuloi se 54 vende përjetuan përkeqësim të të drejtave politike dhe lirive qytetare, ndërsa vetëm 35 shënuan përmirësime. Sot, vetëm 21 për qind e popullsisë së botës jeton në vende të vlerësuara si të lira, një rënie nga 46 për qind që ishte para dy dekadash, thuhet në raport.
Por çfarë tregon raporti për Shqipërinë?
Raporti thekson se Shqipëria ka zgjedhje dhe disa liri themelore, por mbeten probleme serioze me korrupsionin, polarizimin politik dhe ndikimin e interesave ekonomike në media dhe politikë.
Së pari, korrupsioni mbetet një problem i madh. Raporti thekson se korrupsioni është ende një problem serioz në Shqipëri, edhe pse ka përpjekje për ta luftuar përmes reformës në drejtësi. Korrupsioni prek disa sektorë të administratës.
Së dyti, zgjedhjet janë konkurruese, por politika është shumë e polarizuar. Shqipëria ka zgjedhje konkurruese, por sistemi politik mbetet i përqendruar dhe i polarizuar. Partitë shpesh janë të organizuara rreth liderëve dhe jo institucioneve partiake.
Së treti, problemet me median dhe ndikimin ekonomik. Sipas studimit, media ndikohet nga interesa politike dhe ekonomike.
SPAK duket se merr vlerësimin e vetëm pozitiv.
“Sistemi gjyqësor është reformuar dhe SPAK ka rritur besimin publik. Por institucionet e drejtësisë ende përballen me mungesë kapacitetesh dhe ngarkesë të madhe çështjesh”, thuhet në raport.
Ndërsa sa i përket Kosovës, raporti thotë se ka shënuar një përmirësim të vogël në raportin e vitit 2026 për Lirinë në Botë, duke u vlerësuar me 61 pikë nga 100, një më shumë se një vit më parë.
Në raportin e publikuar më 19 mars thuhet se në Kosovë “gjykatat kanë nxjerrë vendime që dëshmojnë pavarësinë e tyre, megjithëse janë përballur me trysni të madhe politike”.
Sipas raportit, kriza politike dhe institucionale që goditi Kosovën gjatë vitit të kaluar, kur vendi u qeveris pothuajse gjatë gjithë kohës nga një qeveri në detyrë, ka ndikuar në përparimin e vendit në gjyqësor.
Në mbyllje, ajo që rezulton nga vëzhgimi ndër vite i këtij raporti është se Shqipëria ka qenë pothuajse gjatë gjithë periudhës “pjesërisht e lirë”.
Viti 2009 ishte rasti i vetëm kur u klasifikua “e lirë”, pas disa reformave dhe përmirësimit të procesit zgjedhor. Më pas, vendi iu rikthye statusit “pjesërisht i lirë”, duke lënë në harresë premtimin e madh të tri dekadave më parë për të qenë të lirë./acqj.al