Shqipëria po braktiset nga të rinjtë, 62% e emigrantëve nën 35 vjeç

Shqipëria po përjeton një valë të re emigracioni ku 62% e atyre që largohen janë nën 35 vjeç. Vetëm në vitin 2024, 44 mijë shqiptarë u drejtuan vendeve të BE-së, ndërsa lindjet kanë rënë me 74% krahasuar me vitet ’90.

Ida Ismalaj

Vendi ynë po përballet me një valë të re dhe të përshpejtuar emigracioni, ku në qendër të largimeve mbeten të rinjtë dhe familjet e reja. Të dhënat e publikuara nga Eurostat tregojnë se vetëm gjatë vitit 2024, rreth 44 mijë shqiptarë emigruan drejt vendeve të Bashkimit Europian, duke thelluar më tej krizën demografike që ka shoqëruar vendin për më shumë se tre dekada.

Pas pandemisë, ritmet e emigracionit janë përshpejtuar ndjeshëm. Sipas Eurostat, vetëm për periudhën 2021-2024, të paktën 180 mijë persona janë larguar nga vendi, pa përfshirë këtu të dhënat për Greqinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, kjo e fundit që përjetoi një kulm largimesh në vitin 2022.

Dominimi i të rinjve në valën e emigracionit

Sipas të dhënave të Eurostat për vitin 2024, 62% e emigrantëve ishin nën moshën 35 vjeç. Grupi më i madh përbëhej nga të rinjtë 25-29 vjeç, me mbi 6 mijë persona ose 14.3% të totalit. Pas tyre renditen grupmoshat 30-34 vjeç, që përbëjnë 13% të totalit.

Një dukuri shqetësuese është edhe largimi i familjeve të reja me fëmijë të vegjël. Grupmosha nën 15 vjeç përbënte rreth 18% të të larguarve, çka tregon se emigracioni nuk është më një fenomen individual, por një lëvizje familjare me pasoja afatgjata për popullsinë.

Ndërkohë, edhe një pjesë e konsiderueshme e forcës së punës me përvojë po largohet. Grupmosha 35-49 vjeç përbënte 20% të emigrantëve në vitin 2024.

Sipas ekspertes së punës Gertjana Hasalla, shifrat e papunësisë në Shqipëri mbeten të larta, veçanërisht për të rinjtë, ndërsa cilësia e punësimit shpesh nuk përmbush pritshmëritë.

“Njerëzit nuk e gjejnë veten në punësim. Tregu i punës në Shqipëri nuk është i lehtë. Shumë zgjedhin të bëjnë dy punë” shprehet Hasalla.

Duke mos e gjetur veten në tregun vendas, ekspertja nënvizon se një pjesë e të rinjve zgjedhin të largohen jashtë vendit për një perspektivë më të mirë dhe paga më dinjitoze, duke e parë emigracionin si zgjidhjen e vetme për stabilitet ekonomik dhe profesional.

Ikja e të rinjve dhe ndryshimi i stilit të jetesës kanë sjellë edhe një rënie të thellë të lindjeve. Në fillim të viteve ‘90, Shqipëria regjistronte 82.125 lindje në vit. Në vitin 2025, ky numër ka zbritur në vetëm 21.425 lindje, një rënie prej rreth 74%.

Shkalla e fertilitetit ka rënë në 1.21 fëmijë për grua, shumë poshtë nivelit të zëvendësimit të popullsisë. Plakja progresive, emigracioni i të rinjve dhe ndryshimi i modelit të familjes kanë ushqyer një nga krizat më të thella demografike në historinë moderne të vendit.

Nga të dhënat e INSTAT për emigracionin, diferenca mes atyre që largohen dhe atyre që kthehen konfirmojnë se vendi vazhdon të humbasë popullsi në mënyrë të qëndrueshme.

Shifrat tregojnë se Shqipëria po humbet pjesën më vitale të popullsisë së saj, të rinjtë dhe familjet e reja, duke u përballur me një sfidë demografike me pasoja afatgjata për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Shqipëria sot ndodhet përballë sfidave të mëdha sa i takon politikave që duhet të ndjekë me qëllim frenimin e largimit të të rinjve nga vendi. Ekonomia është e dobët dhe jo konkurruese dhe ofertat për punë në tregun europian janë në rritje, duke i detyruar mjaft të rinj të shohin emigrimin si alternativë për një të ardhme më të mirë./acqj.al