Rexhina Papa
Problemet me pagat e gazetarëve, vonesat apo mosmarrja e tyre, janë pasoja që vijnë nga një treg pune i parregulluar, por edhe nga një kompromis i heshtur mes punëdhënësit dhe punëmarrësit.
Fillimisht janë gazetarët që pranojnë të punojnë pa kontrata dhe të paguhen me lekë në dorë. Në fillim kompromisi pranohet për të fituar përvojë, por edhe sepse nuk kanë një opsion më të mirë. Kështu, një pjesë e gazetarëve e gjejnë veten në një treg informal, i cili sjell pasiguri në punë, humbje të viteve të punës dhe cenim të lirisë së gazetarëve.
Enit*, një gazetareje e cila ka 11 vite në profesion, sot nuk i njihen 9 vite nga puna e saj, sepse për gjithë këtë periudhë kohore i është dashur të punojë pa kontratë. Historia e saj ka filluar me pesë vite punë nëpër portale dhe më pas në Shijak TV dhe Fax News, ku nuk i janë paguar sigurimet. Paga merrej dorazi, herë e plotë, herë e pjesshme.
“Drejtuesit e Fax-it i kam telefonuar disa herë që t’i hidhnin rrogat dhe të më likuidonin, por nuk jam ankuar te inspektoriati. Këtë e kanë bërë shumë kolegë të mi dhe nuk e kanë marrë pagën. Duke qenë se ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga ana e tyre, më dukej e kotë”, thotë ajo.
Kjo ndodh për pjesën e rrogës që merret në mënyrë formale në bankë, ndërsa pjesa joformale mbetet pa u marrë në shumicën e rasteve, sidomos kur gazetari vendos që të largohet nga puna.
“Në momentin kur e merr përsipër të ankohesh, do të thotë që i ke bërë llogaritë me veten që të largohesh. Sikur të funksiononin të drejtat e gazetarit, marrëdhëniet e punës dhe kontratat, atëherë duhet të kishte një vend ku të ankoheshe dhe më pas të merrje përgjigje, pa qenë i detyruar të largoheshe”, thotë gazetarja.
“Është një situatë në përkeqësim. Nga të dhënat që ka Unioni i Gazetarëve Shqiptarë rezulton që në më shumë se 10 prej mediave audiovizive të vendit ka mungesë korrektësie prej gati 2 vitesh në mosderdhjen e kontributeve shoqërore të punonjësve mediatikë dhe kryesisht të gazetarëve”, thotë Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë.
Ai shpjegon se kontratat e punës janë të formuluara nga administratori i medias dhe të nënshkruara nga gazetari, por pa negociuar të drejtat dhe kriteret financiare në rastet e mosrespektimit të afateve kohore; kështu nuk përcaktohet kush i paguan penalitetet dhe cilat janë ato.
Kjo ka sjellë parregullsi me pagat, mungesë shpërblimesh apo benefitesh të tjera.
“Pagat e gazetarëve, ndryshe nga sistemi i pagave që ndryshon në Republikën e Shqipërisë, mbeten në harkun kohor të 10 viteve shpesh të pandryshuara. Kjo ka bërë që të bjerë dëshira për të qenë gazetar dhe për të ushtruar vetëm këtë detyrë”, përfundon kreu i Unionit.
“Mungesa e kontratave afatgjata, pagesat e pjesshme apo jashtë banke, si dhe oraret e zgjatura të punës tregojnë se pasiguria dhe shfrytëzimi i fuqisë punëtore janë bërë pjesë e strukturës së përditshme të industrisë mediatike”, thotë gazetarja Ola Mitre, duke theksuar se kjo pasiguri në punë nuk ka pasoja vetëm ekonomike, por ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e gazetarisë.
Nga të dhënat e barometrit për vitin 2024-2025, shohim një përkeqësim të treguesve të informalitetit. Kurthi i kontratave përdoret si mjet për ruajtjen e kontrollit mbi punonjësit e medias. Shifra e atyre që pranojnë se nuk kanë një kontratë të rregullt është rritur gradualisht në tre vitet e fundit dhe është dyfishuar, nga 6% në vitin 2023 në 12.9% në vitin 2025.
“Pasiguria përforcohet nga natyra e kontratave; një gazetar me kontratë afatshkurtër është më i prirur t’u trembet presioneve editoriale dhe t’i nënshtrohet vetëcensurës, nga frika e mosrinovimit”, thotë Mitre.
A po e bën punën Inspektoriati i Punës?
Nga kërkesa për informacion drejtuar Inspektoriatit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, janë siguruar të dhëna për inspektimet e bëra dy vitet e fundit në media, ku rezultojnë në total 184 inspektime: 106 në vitin 2024 dhe 78 në vitin 2025.
Të dhëna për vitet pararendëse mungojnë, duke qenë se në raportet e monitorimit nuk ka pasur një ndarje specifike që të tregojë qartë inspektimet në media. “… aktiviteti i medias klasifikohet në grupin ‘Të tjera’, ku përfshihen edhe aktivitete si shërbime, reklama dhe hulumtim i tregut, krijimtari, arte, aktivitete argëtuese etj.” – thuhet në përgjigjen e Inspektoratit.
Sipas të dhënave nga këto raporte të ISHPSHSH-së, nga viti 2021-2023, për kategorinë “të tjera” janë kryer më shumë se 1/3 e gjithë inspektimeve për shkak të ankesave. Në këto tre vite janë vendosur gjithsej 34 gjoba.
Numri më i lartë i shkeljeve të konstatuara në vitin 2024, 83 prej tyre, i përket kategorisë “Detyrimet e punëdhënësit”, që ndjek të njëjtin trend edhe në vitin 2025, dhe pse me 31 shkelje numri i tyre mbetet shumë më i lartë se kategoritë e tjera. Në vitin 2024, 149 raste janë shkelje të Kodit të Punës, ku përfshihen shkeljet me pagat dhe kontratat, ndërsa në vitin 2025 janë 52 raste.
Në total janë marrë 70 ankesa nga viti 2021-2025, dhe nga këto janë vendosur vetëm 3 gjoba.
Sipas dëshmisë së gazetarit L.M., i cili ka punuar në televizionin MCN për tre vite, aty nuk ka pasur asnjëherë kontrolle nga ISHPSHSH.
“Asnjëherë nuk kanë ardhur dhe gjoba e fundit aty është vendosur për rastin e një personazhi publik, i cili e denoncoi publikisht dhe atëherë u kujtua Inspektoriati i Punës të vizitojë ambientet e televizionit dhe të vendosë gjoba”, thotë ai.
Nga kërkesa për informacion dërguar në adresat zyrtare të email-eve të mediave të përmendura në artikull, askush nuk është përgjigjur. Shijak TV, Fax News dhe MCN TV ishin të paarritshme, ndërsa News24 nuk ka kthyer përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.
Pse nuk ka çështje gjyqësore?
Përplasja me median duket se është një proces i gjatë dhe i lodhshëm, çka përforcohet edhe nga të dhënat e marra nga një kërkesë për informacion drejtuar Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ku rezultojnë në shqyrtim vetëm 17 çështje themeli me objekt “padi për marrëdhënie pune”.
Sipas A.C., ish-punonjëse e News24, “Askush nuk ka kohë dhe energji të ndjekë një proces që zvarritet në një sistem ku pronarët e këtyre televizioneve kanë lidhje me prokurorë e gjyqtarë. Ndaj përballja në dyert e gjykatave, kur e di zhvillimin, është një opsion që nuk e merr aspak në konsideratë.”
Isa Myzyraj, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve Shqiptarë, thotë se mekanizmat ekzistojnë në letër, por funksionojnë dobët në praktikë.
“Inspektoriati i Punës ndërhyn rrallë dhe zakonisht vetëm pas presionit publik. Proceset gjyqësore janë të gjata, të kushtueshme dhe shpesh të paarritshme për një gazetar që nuk ka stabilitet financiar. AGSH kërkon kontrata të rregullta pune për të gjithë gazetarët, paga dinjitoze, mbrojtje ligjore efektive dhe ndëshkim real për shkelësit e të drejtave të punës.”
Bleriana Bino, drejtoreshë e Qendrës për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SciDev), flet për mungesat që e bëjnë të vështirë procesin gjyqësor për gazetarët në vendin tonë. Mungon legjislacioni, fuqizimi i organizatave të pavarura dhe, sipas saj:
“Janë bërë disa përmirësime, të paktën në nivel formal, për të përforcuar masat dhe detyrimet që ka shteti për të mbrojtur gazetarët, por nuk janë të mjaftueshme; ndikimi në praktikë është shumë i dobët dhe nuk ndihet ende. Për shembull, ndihma ligjore falas nuk është akoma një opsion për gazetarët.”
Nga kërkesa për informacion drejtuar Radio Televizionit Shqiptar, është siguruar informacioni se janë 46 vendime të Shkallës së Parë Tiranë me objekt gjykimi pushim i padrejtë nga puna, të marra kundër interesave të RTSH në 3 vitet e fundit. Janë 39 vendime të formës së prerë nga Gjykata e Apelit.
Fatura ekonomike totale e këtyre vendimeve është rreth 28 milionë lekë. Për vitin 2024, vlera e pagesave për vendime gjyqësore me këtë objekt është 12,541,372 lekë, ndërsa për vitin 2025 është 26,274,143 lekë.
Pavarësia e gazetarit dhe liria e medias
“Kur përballesh me realitetin kupton se në këtë vend nuk mund të bësh ansjë ndryshim ndaj me kalimin e viteve ke dy zgjedhje: ose do shkosh kundër parimeve të tua ose do të tërhiqesh në heshtje.”, thote nje i ish gazetare e News24 .
Në 2025-ën presioni ekonomik ishte një nga problemet më të mëdha që cënonte lirinë e medias, nga raporti i Reporters without Borders.
Sipas ekspertes Bleriana Bino, kjo vjen si pasojë e ndërthurjes së strukturave të pronësisë mediatike me interesa të tjerë politikë apo ekonomikë, që nuk lejojnë hapësirë të mjaftueshme që gazetarët të sigurojnë të drejtat e tyre.
“Ka një shtresë presioni të padrejtë që vjen për shkak të mospërputhjes mes interesave që anoncojnë agjenda të caktuara përmbajtje versus asaj që duhet të ishte avancimi i interesit publik dhe i agjendës publike.”, thotë ajo.
“Modeli financiar, është problemi dhe zgjidhja njëkohësisht.”, përfundon Bino, duke theksuar se diversifikimi i këtij modeli është jetik për të ulur vurnerabilitetin që mediat kanë ndaj financuesve. Kjo mund të bëhet përmes antarësimit, abonimit, donacioneve etj.
“Kërkohet transparencë në pronësinë e mediave, ndarje e qartë mes interesave politike dhe editoriale, si dhe garanci reale për pavarësinë e redaksive. Vetëm kështu mund të flasim për media të lirë dhe gazetari të pavarur.”, thotë kreu i AGSH-së.
Myzyraj e quan të rrezikshme normalizimin e kësaj situate, kur në fakt bëhet fjalë për shkelje serioze të të drejtave të punës, të cilat në çdo sektor tjetër do të trajtoheshin si abuzim i rëndë.
Në Shqipëri shpesh nuk bëhet fjalë për censurë të drejtpërdrejtë, por për një fenomen që përshkruhet si “kapje e mediave”, ku një numër i vogël aktorësh kontrollon një pjesë të madhe të tregut mediatik dhe të audiences.
Profesor Ervin Goci, nga departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit thotë se, për të përmirësuar situatën nevojiten reforma ligjore dhe institucionale që garantojnë transparencën e pronësisë së mediave, kufizojnë përqendrimin e tregut, mbrojnë pavarësinë editoriale të gazetarëve dhe garantojnë lirinë e medias dhe pluralizmin.
Ligji duhet të përafrohet me standardet europiane si European Media Freedom Act (EMFA). Duhet të krijohet një sistem që bën transparent pronarët dhe përfituesit realë të mediave. Kjo synon të shmang përqendrimin e pronësisë në pak duar dhe konfliktet e interesit.
“Bashkimi Europian insiston që gazetarët mos të jenë thjesht hallka e fundit e ekzekutimit teknik të një procesi, i cili fillesën e vetë e ka shumë herë më thellë dhe shumë herë më përpara,” shton ai.
Goci arsyeton se gazetari duhet ta mbrujti lajmin e vetë, duke mbrojtur njëkohësisht dhe peshën e vendimarrjes së vetë dhe statusin e vetë social në vendin e punës dhe për kornizat e profesionit. “Nuk duhet në mënyrë absolute që një njeri për shkak se është i punësuar mos të ketë liri të imagjinoj cilësinë e punës së vetë dhe të ardhmes së vetë.”
Ai thotë se pavarësia e gazetarit mund të matet te cilësia e informacionit. Sot gazetari mbahet larg kësaj dhe nuk i krijohen kushtet për të ushtruar një gazetari në terren, “kjo lloj lirie u mohohet duke i zhveshur nga gjithë mjetet, duke i paguar keq, duke mos i dhënë financa për të kryer raportime”
Cila është e ardhmja? Përsa i përket numrit të studentëve në degën e gazetarise, ai ka ardhur në rënie. Pedagogu Goci thote se natyra dhe vështirësitë e profesionit mund t’i bëjnë studentët të mos shkojnë drejt tij. Ndërkaq që atyre u jepet mundësia të studiojnë në fusha alternative sipas interesave, gjë që e ofron tashmë departamenti me ndryshimet në tregun e punës, ku futet marketing, menaxhimi i rrjeteve sociale etj.
Përsa i përket panoramës mediatike, tatimpagues të pajisur me nipt të cilët ushtrojnë aktivitet në fushën e mediave audiovizive, të shkruar dhe elektronike sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve janë 1048 subjekte gjatë vitit 2024, me në total po aq të punësuar.
Sipas anketës së raportit vjetor 2025: Ndjekja e progresit të Shqipërisë në lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve në përputhje me standardet e BE-së, 44.8% e gazetarëve shprehen se nuk ka pasur asnjë ndryshim nga viti 2024, në vitin 2025 përsa u përket kushteve të punës. Një pjesë e madhe e gazetarëve të anketuar për këtë raport, 41.5%, nuk perceptojnë asnjë ndryshim në kushtet e punës krahasuar me vitin e kaluar. 36.8% e tyre perceptojnë një përkeqësim.
Kështu problemet do të përmblidheshin në kompromisin që bëjnë vetë gazetarët, mosfunksionimin e instancave përkatëse, varësinë që media ka nga financuesi dhe presionet, qoftë redaksionale, apo të pushtetit politik.
E keqja është se kjo rrotullohet e gjitha mbrapsht te roli kryesor i medias, puna primare e gazetarit, informimi i publikut, çka ka mbetur në plan të dytë për këta individë që mundohen të shtyjnë muajin si gjithë të tjerët./acqj.al