Sezoni 2025, luks pa vizitorë

Turizmi 2025 në Shqipëri përballet me një paradoks: çmime të larta, por fluks më të ulët se pritshmëritë. Në jug, dhomat shiten deri 300 €, shezlongjet arrijnë 8 000 lekë, ndërsa në veri çmimet mbeten të qëndrueshme. Trafiku, mbetjet dhe shërbimet jo cilësore po zbehin imazhin e vendit, pavarësisht potencialit turistik. Bashkëpunimi mes bizneseve dhe institucioneve sjell rezultate, por pa një strategji të qartë kombëtare, suksesi i turizmit shqiptar mbetet i brishtë.

Denada Jushi

Nuk ka qënë keq, por prisnim më shumë, ne nuk i kemi luajtur çmimet as kur u shtuan turistet, kështu thotë Elton Lika i cili ka vite që merret me turizmin në zonën e Bunecit, e ndërsa zbret vijën bregetare drejt Himarës, Jalit, Dhermiut e Palasës, shezlongjet janë të zbrasura, mbushen vetëm në fundjave sipas menaxhereve të resorteve apo beach bareve.

Në kulmin e sezonit turistik veror 2025, Shqipëria përjetoi një paradoks: nga njëra anë, plazhet ishin të mbushura por shumë larg pritshmërisë që qeveria kishte paralajmeruar se mbi 14 milion turistë priteshin të vizitonin Shqipërinë, me synim tejkalimin e  11 milione vizitorët që u numëruan në pikat kufitare sezonin e shkuar.

Zërat për rritje çmimesh, shërbime që nuk justifikojnë koston dhe problematika të vjetra si trafiku, menaxhimi i mbetjeve dhe rënia e fluksit në disa zona, janë disa nga elementet e evidentuar që nuk shkuan mirë në këtë sezon turistik.

Çmimet, nga shpresa tek zhgënjimi

Në shumë destinacione bregdetare, veçanërisht në jug dhe në qytetet e mëdha turistike, çmimet për akomodim dhe shërbime kanë pësuar rritje të ndjeshme. Dhoma larg nga vija bregdetare që vitin e kaluar kushtonin 60 euro, këtë vit shiten për 80–100 euro nata, ndërsa akomodimi pranë vijës bregdetare në Jug shkon mesatarisht 250-300 euro, shezllonet në disa plazhe private kanë arritur deri në 6,000 -8,000 lekë për set, duke u krahasuar me destinacione si Greqia apo Kroacia, por shpesh pa të njëjtin standard shërbimi. Ndërsa ne Veri të Shqipërisë çmimet duket se nuk kanë patur rritje të ndjeshme.

Kryeministri Edi Rama e adresoi këtë çështje publikisht, duke paralajmëruar rrezikun që kjo politikë çmimesh sjell për sektorin:

“Një pjesë e operatorëve në turizëm nuk po mendojnë për të ardhmen, por me çmime të larta për të tashmen, duke vënë në rrezik sektorin e turizmit.”

Kjo deklaratë nuk është thjesht një kritikë politike, por një pasqyrë e një problemi ekonomik: turizmi shqiptar po mbështetet gjithnjë e më shumë në përfitime afatshkurtra, duke harruar konkurrencën rajonale.

Ndërsa marrim në shëmbuj raste si plazhi i Shengjinit,  Bashkia Lezhë tha për Sinjalizo  se ka arritur të mbajë çmimet të qëndrueshme, përmes komunikimeve të vazhdueshme me bizneset që operojnë në fushën e turizmit, për të ruajtur tregun e Kosovës dhe për të mos humbur klientelën besnike. Çmimet e shezlloneve në plazhet e menaxhuara nga bashkia variojnë nga 300 deri në 500 lekë, ndërsa në plazhet private 1000-2000 lekë. Ky model, sipas autoriteteve lokale, ka sjellë një rritje të fluksit turistik dhe një imazh pozitiv për gjatë gjithë sezoneve.

Të dhënat nga Lezha tregojnë një sezon pozitiv: rreth 300 mijë turistë më shumë në qershor 2025 krahasuar me qershorin e vitit të kaluar dhe një fluks të qëndrueshëm në korrik me rreth 500 mijë vizitorë.

Por ky sukses nuk është uniform. Në disa destinacione të tjera, sidomos në jug, raportohen shifra më të ulëta të prenotimeve krahasuar me vitin e kaluar. Sipas Zak Topuzit, një nga zërat kryesorë të sektorit të turizmit, problemi qëndron tek mungesa e një orientimi të qartë për modelin që vendi dëshiron të ndjekë:

“Shqipëria nuk mund të bëhet thjesht vend i turizmit masiv ku çdo gjë lihet spontanitetit, por as nuk mund të ketë vetëm turizëm elitar. Duhet një balancë me shërbime cilësore që justifikojnë çmimet.”

Një pjesë e fluksit turistik këto dy vite është gjeneruar nga reklama e fortë në rrjete sociale si TikTok, ku pamje spektakolare të plazheve dhe natyrës shqiptare kanë tërhequr vizitorë të rinj. Por ky grup turistësh shpesh vjen me buxhet të ulët dhe qëndron pak ditë, duke mos sjellë të ardhurat që pritet për një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit.

Trafiku, një hallkë që bllokon gjithë zinxhirin

Një nga ankesat më të mëdha të turistëve këtë vit ka qenë trafiku i rënduar në rrugët kryesore. Aksi Tiranë–Lezhë, dalja drejt jugut nga Tirana dhe rruga Orikum–Dhërmi shpesh janë kthyer në skena bllokimesh që zgjasin me orë.

Në Shëngjin ku është një nga akset më të ngjarkuara, Bashkia Lezhë thotë se ka ndërmarrë masa për ndalimin e qarkullimit të mjeteve të rënda gjatë sezonit, lirimin e hapësirave publike, parkime të kontrolluara dhe monitorim nga Policia e Shtetit. Këto masa kanë ndihmuar disi, por trafiku në fundjavë mbetet problem. Rradhët e gjata vijonin me orë.

Eksperti i turizmit Luan Dervishaj thekson se mungesa e një strategjie të mirëfilltë kombëtare që ka munguar prej vitesh, ka sjellë  mosmenaxhim të flukseve turistike.

“Strategjia e turizmit duhet të ketë në fokus kërkesat e tregut, konkurrencën dhe logjistikën. Ne kemi një strategji të miratuar në 2019, por ajo nuk është e integruar për të gjithë aktorët. Infrastrukturën rrugore nuk mund ta lëmë pas dore nëse duam turizëm cilësor,” shprehet ai.

Mbetjet, imazhi i njollosur i bregdetit

Një tjetër problematikë e mbartur për çdo sezon turistik është ajo e mbetjeve. Edhe këtë vit sezoni turistik në Vlorë u hap me zjarr në fushën e mbetjeve që gjendet në mes të qytetit, e premtuar prej vitesh Lanfilli i Sherishtës që pritet ta zgjidhë problemin e mbetjeve sapo ka nisur të punojë sipas Bashkisë Vlorë.

E cila tha për Sinjalizo që kapaciteti i grumbullimit në këtë landfill do të rritet në muajt në vijim.

Ministria e Turizmit pretendon se strategjia “Shqipëria 2030” ka në qendër zhvillimin e qëndrueshëm dhe harmoninë me mjedisin, por praktika tregon se zbatimi në terren është ende larg!

Ndërsa flasim për Shqipërinë Europiane 2030, e pritshmeri që në 2030 Shqipëria të presë 30 milion turistikë, në vendin tonë ende nuk ka ujë.

Furnizimi në ujë thuajse në të gjithë vijën bregdetare është një problematikë kryesore e ketij sektori.

Shqipëria në muajt e verës vuajti edhe nga mungesa e energjisë elektrike në disa raste, por për fat të mirë në episode të shkurtra.

Në muajsh gusht në vijën bregdetare më të frekuentuar siç është ajo e Durrësit, pamjet e derdhjeve të ujrave të zeza në det ishte një pamje që ta errëson rritjen pozitive që vendi ka patur vitet e fundit në këtë sektor.

Për të mos harruar, ndërhyrja në mes të sezonit në Theth për ndertimet pa leje.

Në kulmin e pronotimeve nga turistë të huaj, qeveria vendosi të shpertheje me tritol godina të ngritura në këtë zonë, kjo çoi në një përplasje mes policisë dhe banorëve, duke bërë që dhjetra pronotime të zhbeheshin në pak orë.

Turizmi shqiptar ka potencial të madh, por suksesi i tij është i brishtë. Rritja e çmimeve, trafiku i rënduar, menaxhimi i dobët i mbetjeve dhe mungesa e një strategjie të qartë kombëtare rrezikojnë të minojnë përfitimet afatgjata.

Shembulli i Lezhës tregon se kur ka vullnet për koordinim mes institucioneve dhe sektorit privat, turizmi mund të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme. Por për destinacionet e tjera, sidomos ato me fluks të madh, është e nevojshme një qasje që balancon fitimin me cilësinë, për të mos humbur terren në një treg gjithnjë e më konkurrues rajonal.

Deklarata e kryeministrit për çmimet duhet të shërbejë si një alarm i hershëm, jo si një reagim pas krizës. Sepse nëse sektori turistik nuk menaxhohet me vizion, Shqipëria rrezikon të shndërrohet nga “zbulimi i vitit” në një “destinacion të harruar” më shpejt se sa mund ta imagjinojmë.

A e ka luksin Shqipëria të humbasë, një mundësi të artë, në sektorin që është thesari më i madh që vendi ka?