Rruga e (artë) e Arbrit: Një histori premtimesh dhe vonesash

Ida Ismalaj

Plot 37 vjet më parë, në vitin 1988, një grup inxhinierësh vizatuan për herë të parë në hartën strategjike të vendit Rrugën e Arbrit, një lidhje e shpejtë dhe funksionale mes Tiranës dhe Dibrës, e më pas me Maqedoninë e Veriut.

Sot, pas tre dekadash planesh, premtimesh dhe zvarritjesh, kjo rrugë është inauguruar disa herë, ndërsa problemi kryesor nuk është më nëse do të përfundojë, por nëse kjo rrugë është ndërtuar me përgjegjësi, cilësi dhe për të mirën publike.

Si e mori emrin rruga e Abrit dhe kur u fol për herë të parë publikisht

Për herë të parë u fol publikisht për këtë rrugë në vitin 1995, ndërsa në vitin 1996, 45 intelektualë nga Peshkopia i dërguan një peticion qeverisë Meksi për ndërtimin e saj. Rruga mori emrin e Arbrit për të nderuar trashëgiminë historike të kësaj krahine.

Rruga e Arbrit, pjesë e premtimeve në fushata elektorale

Në çdo cikël zgjedhor që pas viteve 2000, Rruga e Arbrit është rikthyer në diskursin publik si një premtim i përsëritur i çdo qeverie.

Në vitin 2003, kur kryeminister i kohës ishte Fatos Nano, u vendos që të bëhej i pari studim fizibiliteti, me buxhetin e shtetit. Inxhinieri Faruk Kaba tregon se pas studimit të fizibilitetit u bë dhe projekti i zbatimit, në mënyrë që të financohej dhe ndërtimi, por përfundoi në vitin 2010-2011, pra 7-8 vite më vonë. Vonesat sipas inxhinierit vinin nga interesat kundër ndërtimit të kësaj rruge.

Kostoja e rrugës: Nga 184 milionë në 460 milionë euro

Në vitin 2015, një kompani kineze ofroi ndërtimin e rrugës përmes një koncesioni me vlerë 184 milionë euro dhe afat përfundimi 36 muaj. Por marrëveshja dështoi. Në vend të saj, në vitin 2017, projekti iu dha kompanisë shqiptare “Gjoka Konstruksion” përmes një koncesioni PPP me një vlerë fillestare prej 33.6 miliardë lekësh (rreth 270 milionë euro).

Gjatë viteve në vijim, kjo shumë u rrit me 45%, duke arritur në 460 milionë euro, për shkak të “vështirësive gjeologjike” dhe shembjes në zonën e tunelit të Murrizit. “Do të ndërtojmë Rrugën e Arbrit, pa pagesë për qytetarët. Kjo është rruga e besës mes nesh dhe dibranëve,” deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë një nga inagurimet e rrugës.

Vlera e kontratës së Rrugës së Arbrit ndër vite

Rruga e Arbrit u inagurua tre herë nga qeveria Rama

Rruga u inagurua për herë të parë nga kryeministri Rama në nëntor 2021, më pas sërish në mars 2022, në prag të zgjedhjeve të pjesshme në Dibër.

Kryeministri Rama dhe ministrja Balluku, në inagurimin e Rrugës së Arbrit

Më 14 mars 2025, në Ditën e Verës, u inagurua për herë të tretë Tuneli i Murrizit, një segment kyç i kësaj rruge.

“Sot hapim tunelin e Murrizit, një nga sfidat më të mëdha inxhinierike, që dëshmon fuqinë e transformimit infrastrukturor që kemi nisur,” u shpreh kryeministri Rama në këtë rast.

Ekspertët për cilësinë e rrugës së Arbrit, shkeljet e konstatuara

Por sipas ekspertëve, rruga nuk mund të cilësohet e përfunduar: Ventilimi në tunelin 3.8 km nuk është funksional, ka hyrje-dalje të paligjshme në Gjoricë dhe segmenti Maqellarë-Peshkopi, si dhe lidhja me Dibrën e Madhe nuk janë përfunduar .

Foto, ventilatorë që nuk janë vendosur në funksion

Eksperti Faruk Kaba, projektues i rrugës në vitet ‘90, shprehet se tuneli i Murrizit mund të ishte më i shkurtër dhe më ekonomik:

“Jam i bindur që kjo rrugë mund të ishte bërë më mirë, më shpejt dhe më lirë. Por vendimmarrja teknike u zëvendësua nga logjika e interesit politik.”

Shkeljet me ndërtimin e Tunelit të Murrizit, Balluku: Përfundon brenda 2022

Kalimit të afateve për ndërtimin e rrugës së Arbrit, qeveria ia ka faturuar gjeologjisë së Tunelit të Murrizit.

Ministrja e Infrastrukturës Balluku tha që “Kontrata ka afatdorëzimi fundin e prillit 2022 dhe do të bëjmë të pamundurën për të dorëzuar gjithcka në kohën e duhur”.

Por, ky afat u kapërcye me më shumë se dy vite.

Inxhinieri Faruk Kaba: “Tuneli shkoi 3.8 km, mund të reduktohej në gjysmën e tij. Kam qenë gati të bashkëpunoj, por për fat të keq këto procese nuk gjykohen nga ekspertët. Një tunel i sugjeruar 1.7 km, i thonë gjysma e ndërtimit dhe koha do ishte shumë më e shkurtër”.

Shqetësim, mbikëqyrja e punimeve në Rrugën e Arbrit

Ndërkohë, një shqetësim tjetër është mbikëqyrja e punimeve: Sipas Kabës, kontraktori caktoi vetë supervizorin, duke kompromentuar integritetin teknik dhe financiar të projektit.

Bujar Karoshi, një prej nismëtarëve të kërkesës për rrugën e Dibrës, që më pas mori rruga e Arbrit, është i prerë:

“Rruga e Arbrit nuk është e përfunduar. Nuk ka lidhje reale me Maqedoninë e Veriut dhe segmenti drejt Peshkopisë nuk është pjesë e projektit. Premtimi i integrimit rajonal ka mbetur në letër.”

Rruga e Arbrit është shembulli më ilustrues i mënyrës si një projekt infrastrukturor mund të përdoret si mjet elektoral. Tre inaugurime, premtime për përfundime që shtyhen dhe rritje të kostove pa justifikim transparent, e shndërrojnë këtë rrugë në një “aks të florinjtë”, siç e ka quajtur opozita, më shumë për shkak të çmimit se sa për ndikimin ekonomik të saj.

Rruga e Arbrit mbetet një histori komplekse ku ndërthuren vizioni inxhinierik, interesat politike, vonesat sistematike dhe mungesa e transparencës. Ajo është simboli i një vendi që shpesh i jep prioritet propagandës para infrastrukturës dhe fasadës para funksionit. Në këtë kuptim, nuk është thjesht një rrugë që lidh Dibër me Tiranën, por një rrugë që tregon se si ndërtohet dhe shpesh keqmenaxhohet zhvillimi në këtë vend.

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/