Ida Ismalaj
Nga janari i vitit 2026, qeveria premton se do të çojë pagën minimale në 500 euro, ndërsa paga mesatare pritet të kalojë mbi 900 euro. Rritja e pagës mesatare është një nga premtimet më të përsëritura të qeverisë shqiptare gjatë dekadës së fundit. Nga viti 2013 e deri sot, çdo mandat politik ka përfshirë në program rritjen e pagave si garanci për “jetesë më të mirë” dhe “shqiptarë me të ardhura dinjitoze”. Por, përtej shifrave zyrtare, a do të përkthehet kjo rritje në një përmirësim real të jetesës së shqiptarëve, në një kohë kur kostoja e jetesës po rritet më shpejt se pagat?
Ekspertja e punës Gertjana Hasalla shprehet se rritja e pagës mesatare mund të ketë efekt pozitiv vetëm nëse shoqërohet me politika të tjera mbështetëse për qytetarët:
“Në kushtet kur inflacioni është i lartë, efekti i rritjes së pagës duhet të shoqërohet me një kontroll të çmimeve, qofshin ato të ushqimeve, qirave dhe energjisë”.
Për të kuptuar më mirë efektin e kësaj rritjeje, vlen të hedhim një sy pasqyrës historike të pagës minimale: Në 12 vite, nga 22 mijë lekë në 40 mijë lekë. Ndërsa në 2026, pritet 500 euro.

Kjo pasqyrë tregon se rritja e pagës minimale ka qenë graduale, por fuqia reale e saj ka mbetur e kufizuar përballë inflacionit dhe shtrenjtimit të shërbimeve bazë.
Një nga shqetësimet kryesore është ndikimi që do të ketë kjo rritje në bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat përbëjnë mbi 90% të ekonomisë shqiptare. Hasalla thekson se, ndryshe nga paga minimale, rritja e pagës mesatare nuk është detyrim ligjor, por presioni i tregut do ta bëjë të ndjeshme për punëdhënësit:
“Tregu vetë do ndikojë në një detyrim ndaj bizneseve, pasi do të përballen me mungesë punëtorësh nëse nuk rrisin pagat. Për konsumatorin final kjo përkthehet në çmime më të larta të mallrave apo shërbimeve. Megjithatë, nëse masa zbatohet me mbështetje
fiskale të përkohshme dhe nxitje për produktivitetin, ajo mund të kthehet në mundësi për stabilizim të tregut të punës, jo në kërcënim për të” shpjegon Hasalla.
Ekspertët sqarojnë se sektoret me paga të ulëta, si tregtia, turizmi, ndërtimi dhe shërbimet, do të përfitojnë më drejtpërdrejt, ndërsa sektorët me varësi nga eksportet mund të përballen me presion për të ruajtur konkurrueshmërinë.
Rritja e pagave nga qeveria paraqitet si garant i “rritjes ekonomike të qëndrueshme”. Por, pa politika për uljen e kostos së jetesës, ndihma fiskale për bizneset dhe kontroll të çmimeve, çdo rritje do të mbetet e përkohshme. Ashtu siç e thekson ekspertja Gertjana Hasalla “Impakti pozitiv do varet nga menaxhimi i kostos së jetesës nga qeveria dhe bizneset”. /acqj.al