Rreziku në tryezë! Shqiptarët konsumojnë produkte të pasigurta

Në një vend ku kontrollet ushqimore janë më shumë formale sesa reale, ku laboratorët janë jashtë funksionit dhe reagimet e institucioneve vijnë vetëm pas sinjalizimeve ndërkombëtare, siguria ushqimore mbetet një rrezik i përditshëm për qytetarët.

Ida Ismalaj

Shqipëria po përballet me një krizë serioze të sigurisë ushqimore. Frutat, perimet dhe produktet me origjinë shtazore që shiten çdo ditë në tregje e supermarkete shpesh mbërrijnë te tryeza e konsumatorit pa kaluar nëpër filtrat bazë të kontrollit. Alarmi nuk vjen nga institucionet vendase, por nga Brukseli përmes Sistemit të Alarmit të Shpejtë për Ushqimet në Bashkimin Europian (RASFF), që në mënyrë të përsëritur ka sinjalizuar praninë e pesticideve të ndaluara, baktereve dhe parazitëve të rrezikshëm në produktet shqiptare.

Shifrat alarmante, mbi 163 ton produkte të ndaluara

Nga janari 2023 deri në shtator 2025, rreth 163.383 kg produkte të pasigurta janë hedhur për konsum në tregun shqiptar. Këto produkte, të cilat përmbanin substanca të ndaluara dhe të rrezikshme për shëndetin e konsumatorit, janë identifikuar nga RASFF dhe janë kthyer ose bllokuar nga autoritetet vendase. Vetëm për pesticidin Chlorpyrifos, i ndaluar në Shqipëri që prej vitit 2020, janë zbuluar disa ngarkesa problematike:

  • 8.216 kg speca të kontaminuar me tre insekticide të ndaluara: Flonicamid, Chlorfenapyr dhe Tebufenpyrad.
  • 10.700 kg luleshtrydhe me pesticide mbi normën e lejuar, e kthyer nga Kroacia.
  • 5.562 kg pjeshkë shqiptare me përmbajtje nikeli tej normave të lejuara.
  • 8000  kg domate pesticide
  • 26.325 kg fileto pule dhe derri, me prani të baktereve Salmonella spp.
  • 985 kg acuge e kriposur me prezence të parazitit L3 Anisakis, e importuar në vendin tonë.

Ndërkohë që institucionet përgjegjëse të kontrollit vendas, përkatësisht Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) dhe Autoriteti i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) raportojnë masa pas alarmit, ekspertët paralajmërojnë se tregu vendas është i pambrojtur dhe se kontrollet në vend janë më shumë formale sesa parandaluese.

Eksperti i sigurisë ushqimore Ervin Resuli paralajmëron për pasoja të rënda shëndetësore.

 “Helmimet nga pesticidet, bakteret si Salmonela apo parazitët si Anisakis mund të shkaktojnë ga të vjellat, diarre, temperaturë e deri tek dëmtimet e organeve jetike si melçia, veshka etj.”

Mandarinat, hetimet dhe skandalet

Në dhjetor 2024, një ngarkesë prej 21 ton mandarina të prodhuara në Shqipëri u refuzua nga Kroacia për shkak të pesticideve të ndaluara. Produktet duhej të ktheheshin për asgjësim, por hetimet zbuluan se ato u rishpërndanë tek fermerët në Berat dhe Konispol. Prokuroria e Beratit nisi hetimin penal ndaj subjektit të Arben Dylit, për veprën “Prodhim, importim dhe shitje të ushqimeve të dëmshme për jetën dhe shëndetin”. Sipas dokumenteve zyrtare, sasia 21.593 kg mandarina humbi gjurmueshmërinë pas kthimit. Nën hetim edhe fermeri Elton Tafa dhe punonjësi i AKVMB Elson Tahiraj për veprat penale “Mashtrim me produktet ushqimore” dhe  “Shpërdorim të detyrës”.

Rasti i dytë është ai i specave të Divjakës, ku një ngarkesë 8.216 kg u kthye nga Kroacia.

Sipas Granit Sokolajt, drejtor i Qendrës “Alert” në speca janë gjetur tre insekticide, njëri prej të cilëve është totalisht i ndaluar. Sokolaj shpjegon: “Ka mungesë kontrolli në të gjithë zinxhirin nga ferma deri te tregu. Kontrolli duhet të nisë në sera, ku AKVMB ka tagrin ligjor të verifikojë përdorimin e pesticideve. Fatkeqësisht, kontrollet bëhen vetëm pas eksportit, kur dëmi është bërë”.

Një tjetër rast shqetësues lidhet me një ngarkesë 52 kg luleshtrydhe të importuara nga Greqia, ku analiza laboratorike konstatoi pesticide të ndaluara. AKU deklaroi se e gjithë sasia ishte shitur përpara se të dërgohej për analiza. Për pjeshkët, analizat zbuluan mbetje të larta nikeli. Sokolaj sqaron: “Pjeshkët janë një rast më specifik, nuk lidhet me fermerin, por me ndotjen e ujit. Nikeli që është gjetur në pjeshkë mendohet se vjen nga lumi Shkumbin, që kalon në Divjakë dhe Peqin.”

Ngarkesa e radhës e kthyer ishte në gusht 2025, 8 ton domate shqiptare u refuzuan nga Kroacia për shkak të pesticidit Chlorfenapyr mbi normën e lejuar. Për këtë rast, u la në burg eksportuesi Mariglen Qorri, ndërsa në “arrest shtëpie” dy inspektorë të rinj të AKU-së, Ronaldo Lika dhe Griselda Doksani.  Sokolaj thekson se përgjegjësia po bie mbi punonjësit më të vegjël: “Në burg janë dërguar dy inspektorë të rinj që nuk kishin as një vit në detyrë dhe që duhet të shoqëroheshin patjetër nga një i tretë me përvojë. Ndërkohë që drejtori i AKU Berat dhe prodhuesi që janë përgjegjës janë lënë jashtë hetimit.”

Laboratorët jashtë funksionit! AKU në krizë

Eskperti i sigurisë ushqimore Granit Sokolaj ngre alarmin për mungesën e laboratorëve funksionalë në vend: “AKU ka 7 laboratorë rajonalë që janë thuajse jashtë funksionit sepse nuk janë të akredituar dhe nuk kanë pajisjet e nevojshme.

Analizat zyrtare mund t’i kryejë vetëm Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV), por që prej urdhrit të ish-ministrit të Bujqësisë Bledar Çuçi në vitin 2018, palët e treta si eksportuesit nuk mund të dërgojnë mostra atje, por vetëm në laboratorë privat”.

Nisur nga rastet e viteve të fundit, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do të pezullojë aktivitetin e AKU-së për shkak të “zullumeve” të konstatuara në inspektime.

Sokolaj tha: “Reforma e re parashikon bashkimin e AKU, AKVMB dhe Inspektoratit të Peshkimit, tre inspektoriate të rëndësishme të sigurisë ushqimore. Duhet kohë, pasi ka ende shumë VKM dhe akte nënligjore që nuk janë miratuar”.

Statistikat e viteve të fundit, masat e institucioneve

Sipas të dhënave zyrtare të AKU, janë 116 raste me pesticide të konstatuara për vitin 2023, 110 raste në 2024 dhe 54 raste jokonforme (me Chlorpyrifos) në periudhën janar-shtator 2025. Autoriteti i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve thekson se lënda Chlorpyrifos është ndaluar në Shqipëri që prej 16 shkurtit 2020, por monitorimet tregojnë se ajo vazhdon të përdoret gjerësisht në bujqësi. Referuar planit të marrjes së mostrave, AKVMB bën me dije se gjatë vitit 2024 janë marrë 1014 mostra në treg, nga të cilat 54 kanë rezultuar me përmbajtje të chlorpyrifos.

Pas sinjalizimeve të vazhdueshme nga RASFF, AKU dhe AKVMB raportojnë se janë kallëzuar penalisht 6 fermerë për përdorim të pesticideve të ndaluara, ndërsa 2 të tjerë janë nën hetim për mungesë të gjurmueshmërisë. AKU bën të ditur për “Sinjalizo” se ndaj operatorëve ushqimorë që janë konstatuar shkelje, janë vendosur gjobë 100.000 deri 500.000 lekë. AKVMB pranon vetë se ka vështirësi serioze: “Gjatë procesit është konstatuar mungesë interesi nga ana e fermerëve për raportimin korrekt të përdorimit të produkteve të mbrojtjes së bimëve dhe ruajtjen e dokumentacionit që dëshmon furnitorin.”

Ekspertët paralajmërojnë se problemi nuk është vetëm te fermerët, por edhe tek farmacitë bujqësore që tregtojnë pesticide të ndaluara, shpesh të importuara kontrabandë nga Kosova nën etiketa “biocidesh” apo nga Greqia.

“Të ndryshojë e gjithë fryma”-thotë Sokolaj. “Duhet hetim për importet e pesticideve të ndaluara, për farmacitë bujqësore që i tregtojnë dhe për fermerët që i përdorin. Kemi legjislacion të mirë të BE-së, por kemi probleme në zbatim. Duhet rritje kapacitetesh, pasi AKU ka vetëm 290 inspektorë në të gjithë Shqipërinë, ndërsa vetëm në Tiranë janë 25 mijë operatorë biznesi ushqimor”.

Rastet e mandarinave, specave, luleshtrydheve, domateve dhe produkteve të tjera tregojnë se Shqipëria nuk ka ende një sistem funksional të mbrojtjes ushqimore. Deri sa AKU, AKVMB dhe Ministria e Bujqësisë të ndërtojnë një sistem monitorimi dhe transparence, alarmet e Brukselit do të mbeten mënyra e vetme për të zbuluar çfarë konsumojmë çdo ditë.