Rivlerësimi i pronës, përfitim apo humbje?

Tregu imobiliar po mban frymën. Një rivlerësim i ri i pasurive nga janari 2026 pritet të ulë tatimin nga 15% në 5%, duke nxitur shitjet, çliruar tregun dhe mbushur arkën e shtetit. Por kush përfiton realisht dhe kush mbetet jashtë skemës?

Ida Ismalaj

Për ata që kanë në plan të shesim pronën koha më e mirë është 12 muajt e ardhshëm. Nga 1 janari deri në dhjetor 2026. Nga 15% taksë që paguan sot, me rivlerësimin mund të paguash 5%. Grupet e interesit kërkuan një tatim mbi fitimin prej 3%, por kërkesa e tyre nuk u mor parasysh.

Kjo nismë është vlerësuar si një mundësi e mirë për qytetarët dhe bizneset për të ulur barrën fiskale. Ministri i Financave, Petrit Malaj gjatë një takimi me Shoqatën e Ndërtuesve dhe Dhomat e Tregtisë, e cilësoi procesin si një reformë të domosdoshme në kushtet e rritjes së çmimeve në tregun imobiliar.

“Nga 1 janari 2026 do të hyjnë në fuqi çmimet e reja të referencës për rrethet dhe rivlerësimi i pasurive të paluajtshme. Metodologjia e re do t’u japë individëve dhe bizneseve kohë të mjaftueshme për të vlerësuar pasuritë e tyre dhe për të kryer pagesat e taksave mbi këto vlera,” deklaroi Malaj.

Si funksionon rivlerësimi?

Rivlerësimi përllogaritet me përafrimin e vlerës së regjistruar të pronës në Kadastër, me çmimin aktual të tregut. Tatimi paguhet mbi diferencën mes vlerës së blerjes dhe çmimit të shitjes.

Nëse një qytetar ka blerë një pronë 100 mijë euro dhe sot e shet 120 mijë euro, tatimi mbi diferencën prej 20 mijë eurosh është 3 mijë euro me normën aktuale 15%. Me rivlerësimin e ri, tatimi do të jetë vetëm 5% ose 1 mijë euro. Kursimi është i ndjeshëm, por vetëm për ata që kanë pronë të certifikuar dhe të përfshirë në skemë.

Përveç individëve, edhe bizneset mund të bëjnë rivlerësimin e pronave, përfshirë apartamentet dhe truallin, po me tatim 5%. Rivlerësimi i pronave nuk është risi, pasi në 13 vitet e fundit janë zhvilluar 5 fushata të tilla.

  • 2011-2013, tatim 1%
  • 2016-2017, tatim 2%
  • 2020-2022, tatim 3%
  • Aktualisht,  tatim 15%
  • 2026 (i planifikuar) tatim 5%

Në vitet 2011-2013 u rivlerësuan më shumë se 95 mijë prona, me një normë tatimore 1% dhe buxheti i shtetit fitoi 39.8 milionë euro të ardhura, si rezultat i pagesës që bënë qytetarët dhe biznese, për diferencën midis vlerës që kishte prona e tyre dhe asaj që doli pas rivlerësimit.

Tre vite më vonë, në vitet 2016-2017 u realizua fushata e dytë rivlerësuese. Këtë herë interesi ishte më i ulët pasi interesi u dyfishua, nga 1 në 2%. Në total iu nënshtruan këtij procesi 64 mijë e 686 pasuri të patundshme, ndërsa buxheti i shtetit përfitoi më shumë 56.9 milionë euro si rezultat i tatimit më të lartë.

Rivlerësim i fundit u krye në periudhën 2020-2022, me normë tatimore 3%. Nga 168.200 pasuri të përfunduara, shteti arkëtoi 12.7 miliardë lekë, falë rritjes së ndjeshme të çmimeve në tregun imobiliar.

I radhës pritet nga janari 2026, dhe duke u bazuar në të dhënat e INSTAT dhe CENSIT të vitit 2023, rreth 500 mijë banesa janë potencialisht për t’u rivlerësuar, shumica prej tyre mbi 25 vite vjetërsi. Por, ky cikël ka krijuar një sjellje të re në treg: Pritjen. Pronarët mbajnë banesat e bllokuara dhe presin rivlerësimin e radhës për t’i shitur.

Treg i ngrirë, çmime të larta

Krahas pronarëve dhe blerësve, ata që po presin rivlerësimin e pasurive të paluajtshme janë agjentët imobiliarë dhe ekspertët e tregut. Ata konfirmojnë se norma aktuale ka ndikuar drejtpërdrejtë në ngrirjen e transaksioneve.

“Kur tatimi është 15%, pronari nuk e përballon dot dhe e shton këtë kosto te çmimi final. Kjo ka fryrë artificialisht çmimet dhe ka larguar blerësit” thotë  A.A., agjente imobiliare në Tiranë.

Ndërsa eksperti i pasurive të paluajtshme, Ervin Demirxhiu thekson se rivlerësimi mund të krijojë një efekt të përkohshëm normalizimi:

“Gjatë gjashtë muajve të fundit, shumë prona të certifikuara nuk janë shitur sepse pronarët presin rivlerësimin. Pasi t’i nënshtrohen procesit, pronat do të rikthehen masivisht në treg, duke i hapur rrugë edhe blerësve me kredi bankare” shpjegon Demirxhiu.

Sipas ekspertit, rivlerësimi krijon përfitim për tri kategori: Qytetarët që ulin barrën fiskale, shtetin që arkëton më shumë të ardhura edhe me normë të ulët dhe blerësit që përballen me më shumë oferta.

Por, jo të gjitha pronat mund të përfitojnë nga skema e rivlerësimit. Të përjashtuar janë pronat në legalizim, për të cilat projektligji nuk jep zgjidhje të qartë, ndonëse një pjesë e madhe e stokut të banesave në periferi nuk ka ende titull përfundimtar.

Më problematik është edhe përjashtimi i apartamenteve të blera me kontrata sipërmarrje, një formë blerje e përhapur masivisht në dekadën e fundit. Këto kontrata regjistrohen në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe përdoren si kolateral për kredi bankare, por nuk përfshihen në rivlerësim.

Paradoksi është i qartë: Prona njihet nga banka, por jo nga skema e i rivlerësimit. Situata është përkeqësuar nga udhëzimi i fundit i Kadastrës, i cili parashikon refuzim të regjistrimit të kontratave të porosisë nëse ka ndryshime planimetrie apo pasaktësi në dokumenta, një problem i zakonshëm në ndërtimet e viteve të fundit.

Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme (NAREA) ka paraqitur zyrtarisht një paketë propozimesh për ndryshime në projektligj, ku ndër pikat kryesore është vendosja e tatimit mbi fitimin 3% për banesat dhe 5% për pronat e tjera. NAREA propozoi gjithashtu përfshirjen e kontratave të porosisë, lehtësira për shtëpinë e parë dhe korrigjim të fitimit kapital me inflacionin dhe kostot financiare.

Ndërsa ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi tha se individët që kanë një pronë dhe për momentin nuk kanë plane ta shesin, mund të zgjedhin të mos bëhen pjesë e rivlerësimit. Sa i përket uljes së tatimit të fitimit me 10%, Radonshiqi nënvizoi se norma aktuale ka qenë e lartë dhe ka nxitur mosdeklarimin e saktë dhe fryrjen e çmimeve të pasurive të paluajtshme.

“Procesi i rivlerësimit i shërben edhe qeverisë, pasi për një periudhë të shkurtër kohore mundëson mbledhjen e të ardhurave nga pagesa e tatimit të rivlerësimit,” shprehet ajo.

Zyrtarisht, rivlerësimi synon drejtësi fiskale dhe harmonizim me tregun. Në praktikë, një fushatë e marrë disa herë ndër vite, duket se ka funksionuar edhe si instrument për mbledhjen e shpejtë të të ardhurave për arkën e shtetit./acqj.al