Riparimi falas i karrigeve me rrota, për lëvizje më të sigurt

Kur një karrige me rrota dëmtohet, jeta ndalet. Në një vend ku mungojnë shërbimet bazë për personat me aftësi të kufizuara, një nismë lëvizëse ka sjellë zgjidhje konkrete: riparime falas, dinjitet, lëvizshmëri dhe një model solidariteti që funksionon aty ku institucionet mungojnë.

Ida Ismalaj

Në një realitet ku personat me aftësi të kufizuara përballen me mungesë aksesi në infrastrukturë dhe në shërbime, një nismë e thjeshtë, por jetike ka sjellë ndryshim në jetën e dhjetëra individëve në mbarë vendin.

Projekti i Fondacionit “Së Bashku” për fuqizimin e personave me aftësi të kufizuara përmes ekonomisë qarkulluese, për herë të parë në Shqipëri, ka ofruar riparim falas të karrigeve me rrota dhe mjeteve të tjera ndihmëse, duke u ardhur në ndihmë më shumë se 50 personave. Përmes një shërbimi lëvizës, një mekanik dhe një asistent kanë udhëtuar nga qyteti në qytet, duke riparuar mbi 70 mjete ndihmëse dhe duke zgjatur jetëgjatësinë e tyre.

Kristiana Lee është asistente e projektit dhe vetëpërdoruese e karriges me rrota, e cila është bërë zëri dhe ndihmesa e parë për çdo përfitues. Për të, kjo nuk është thjesht një punë, por një mision personal.

“Kam kuptuar se nuk jam e vetmja që nuk di ku të drejtohet kur karrigia dëmtohet. Karrigia me rrota për mua janë “këmbët”, pa të cilën nuk lëviz dot. Ky shërbim ka qenë i munguar prej vitesh dhe nevoja është shumë e madhe” tregon ajo.

Kristiana tregon se interesimi për projektin ishte i lartë, ku kontaktohej nga persona të qyteteve të ndryshme, të cilët ndiheshin të lehtësuar kur mësonin se shërbimi ishte falas.

“Për shumë prej tyre, ishte hera e parë që merrnin një shërbim të tillë, pa patur nevojë të shkonin diku, por duke iu ardhur në banesën ku ata ndodheshin,” nënvizon Kristiana.

Në terren ka qenë edhe Flamur Balaj, pjesë e ekipit të riparimit, i cili tregon për sfidat dhe angazhimin e përditshëm.

“Ishte një hap shumë pozitiv për t’iu ardhur në ndihmë personave me aftësi të kufizuara. Kisha shumë vështirësi në gjetjen e mjeteve apo për porositë online, të cilët shpesh vinin me vonesë,” shprehet ai.

Ekipi ka punuar me orar të zgjatur, duke shkuar drejtpërdrejt në banesat e përfituesve, në çdo cep të Shqipërisë.

“Kemi mbuluar 4-5 raste në ditë dhe shpesh kemi punuar edhe në orët e vona sepse e dinim sa e rëndësishme ishte që këto mjete të viheshin sa më shpejt në funksion,” shton Flamuri.

Përveç ndikimit të drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së jetës, projekti ka patur edhe ndikim mjedisor. Më shumë se 4 ton mbetje janë reduktuar, përfshirë mbetje toksike nga bateritë e karrigeve elektrike, duke kontribuar në ekonominë qarkulluese dhe në mbrojtjen e mjedisit. Suela Lala, drejtuese e fondacionit “Së Bashku” shprehet se është krijuar edhe një rreth dhurimesh me mjete ndihmëse për personat në nevojë, të cilët përballen me varfëri dhe me mungësën e gjërave më bazike.

Nisma për riparimin e karrigeve me rrota është një shembull konkret i përfshirjes dhe solidaritetit, ku vetë personat me aftësi të kufizuara janë bërë pjesë aktive e zgjidhjes. Në një shoqëri ku barrierat fizike dhe institucionale ende ekzistojnë, kjo nismë dëshmon se ndryshimi fillon nga vetë komuniteti, që përmes përkushtimit të tyre po përmirësojnë jetën e shumë të tjerëve./acqj.al