Denada Jushi
Reforma territoriale e vitit 2014 u hartua me premtimin se do të sillte më pak shpenzime dhe më shumë efikasitet. 11 vite më vonë, sipas politikanëve, analistëve dhe ekspertëve, kjo reformë nuk pati efektin që pritej.
Kështu, dje Parlamenti i ri votoi, me bashkimin e dy forcave të mëdha, dy komisione parlamentare, ku njëri prej tyre ishte mbi Reformën Territoriale.
Dy bashkëkryetarë, një nga PS dhe një nga PD, do të mblidhen për të hartuar dhe diskutuar mbi reformën e re.
Për Reformën Territoriale votuan 115 deputetë pro, 3 kundër dhe zero abstenime.
Ndryshimet në ndarjen territoriale në Shqipëri datojnë herët, prej fundviteve ’20.
Më pas, gjatë komunizmit u ndryshuan, duke sjellë prefekturat, rrethet si dhe lokalitetet. Sërish gjatë komunizmit pati bashkim të fshatrave, qyteteve e më pas rretheve.
Pas rënies së sistemit dhe qetësimit të situatës, në vitin 1992 vjen edhe ndryshimi sërish, tani më në pluralizëm, i reformës territoriale. Njësitë administrative dhe territoriale konsideroheshin tashmë bashkitë, komunat, rrethet dhe prefekturat.
Në 2014, opozita nisi bojkotin me Reformën Territoriale, bojkot që vijoi deri në Parlament më pas.
Sipas ekspertit Selami Xhepa, ndryshimet e bëra në reformën e vitit 2014 nuk konsiderohen të suksesshme, edhe pse mazhoranca e ka konsideruar të tillë, ndërsa PD e quan një dështim.
Një tjetër reformë që ka parë ndryshime gjatë këtyre dekadave ka qenë reforma zgjedhore, një proces që i nënshtrohet reformës thuajse në mënyrë të përvitshme, me Kodin Zgjedhor që, prej hyrjes së tij në fuqi në 2008, i është nënshtruar mbi 6 amendime të ardhura me ligj. Edhe kjo reformë do të shihet nga komisioni i ri.
Deputetët votuan me 113 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim për zgjedhoren, ndërsa në menjanim u lanë Agron Shehaj, Erald Kapri si dhe Redi Muçi. Deputetët e partive të reja e kundërshtuan këtë komision me pretendimin se partitë e mëdha duan të “zhdukin” partitë e reja.
Shqipëria ka përdorur që nga vitet ’90 një sërë sistemesh zgjedhore:
Sistemin mazhoritar, sistemin e përzier dhe sistemin proporcional rajonal.
I fundit që u përdor në zgjedhjet e 11 majit ishte një sistem i ri zgjedhor që përfshinte një kombinim të listave të mbyllura dhe të hapura. Rreth një e treta e listës së kandidatëve është e mbyllur dhe emrat janë të fiksuar nga kryetari, ndërsa dy të tretat e tjera janë të hapura.
Por mesa duket, as ky version nuk i është përshtatur partive politike, të cilat po bëhen gati për ndryshime të tjera.
Kreu i PS për këtë komision nuk përjashtoi mundësinë e ndryshimit të sistemit zgjedhor. Ai tha se do të diskutohej edhe kjo mundësi.
Sipas komisionit, kësaj here është në fokus edhe financimi i partive, problem që vijon të mbetet në politikën shqiptare.
Reforma, reforma, reforma, ky është padyshim himni i Shqipërisë në dekadat e fundit. Megjithatë, progres raportet e BE-së ende vijojnë të paraqesin shumë rrugë për t’u bërë në reformat kryesore në vend, duke nisur nga drejtësia te lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe duke vijuar te transparenca e financimit të partive dhe mediave.
Konfiskimi i aseteve është ende një fushë ku nevojitet punë e madhe. Po ashtu, mangësi ka në administratën publike, pluralizmin mediatik, qeverisjen lokale dhe decentralizimin.
Kështu që komisionet për reformat, me siguri, do të vijojnë përpos reformës zgjedhore dhe territoriale.