Raporti: Drogë apo dije, çfarë po konsumojnë të rinjtë?

Përdorimi i drogës tek të rinjtë në Shqipëri po nis gjithnjë e më herët dhe po bëhet më i rrezikshëm. Nga kanabisi te kokaina, shifrat zyrtare tregojnë konsum alarmant, përdorim të shumëfishtë dhe rritje të veprave penale.

Ida Ismalaj

Përdorimi i substancave narkotike tek të rinjtë në Shqipëri po shfaqet gjithnjë e më herët, duke sinjalizuar jo vetëm një problem shëndetësor, por një krizë të gjerë sociale dhe institucionale. Të dhënat e publikuara në raportin e Qëndresës Qytetare tregojnë se Shqipëria po përballet me një profil përdorimi më të rrezikshëm krahasuar me vendet e rajonit, ndërkohë që politikat publike mbeten kryesisht reaguese dhe të fokusuara vetëm në fazat e vona të varësisë.

Sipas raportit Health Behaviour in School-aged Children (HBSC), rreth 7% e nxënësve 15-vjeçarë në Shqipëri kanë provuar kanabis të paktën një herë, ndërsa 5% raportojnë përdorim në 30 ditët e fundit. Këto shifra tregojnë një ekspozim të hershëm ndaj substancave psikoaktive dhe rrisin ndjeshëm rrezikun për zhvillim të varësisë në moshë të rritur. Ekspertët e shëndetit publik theksojnë se sa më herët të nisë përdorimi, aq më e lartë është probabiliteti i dëmtimeve afatgjata neurologjike, emocionale dhe sociale.

Paralelisht me përdorimin e hershëm, Shqipëria spikat në mënyrë alarmante në konsumin e kokainës. Sipas rezultateve të fundit të Anketës Evropiane Online mbi Drogat, 41% e përdoruesve shqiptarë raportojnë përdorim gjatë 12 muajve të fundit, krahasuar me 21% në Ballkanin Perëndimor dhe 29% në Bashkimin Evropian. Ky realitet sinjalizon një zhvendosje të qartë drejt substancave më të forta dhe më të rrezikshme, me pasoja të rënda për shëndetin mendor dhe fizik të të rinjve.

Edhe pse kanabisi mbetet substanca më e përdorur (56% e përdoruesve), fakti që kokaina renditet si substanca e dytë më e përdorur përbën një veçanti shqetësuese për Shqipërinë.

Raporti konstaton gjithashtu se përdorimi i shumë substancave njëkohësisht është bërë praktikë e zakonshme. Shumica e përdoruesve të kanabisit dhe kokainës i kombinojnë këto substanca me alkool dhe nikotinë, duke rritur ndjeshëm rrezikun për varësi të shumëfishtë, mbidozë dhe probleme serioze shëndetësore. Ky model përdorimi tregon, sipas raportit, mungesë të ndërgjegjësimit dhe ndërhyrjes së strukturuar nga sistemi shëndetësor.

Të dhënat klinike e përforcojnë këtë panoramë. Gjatë viteve 2020-2024 janë trajtuar mbi 1.032 raste intoksikimi nga substanca psikoaktive, përfshirë edhe të mitur. Raporti thekson se prania e kanabisit, opioideve, kokainës dhe përdorimit të shumëfishtë tregon se përdorimi ka kaluar nga eksperimentimi në faza të rrezikshme për jetën dhe zhvillimin.

Nga ana tjetër, raporti evidenton rritje të përfshirjes së të rinjve në vepra penale të lidhura me drogën. Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, numri i rasteve është rritur ndjeshëm në vitet e fundit, duke reflektuar jo vetëm përdorim, por edhe përfshirje në shpërndarje dhe aktivitet kriminal të lidhur me substancat. Në grupmoshën 15-17 vjeç, autorët e dyshuar janë dyfishuar nga 75 raste në vitin 2020, në 147 raste në vitin 2025, ndërsa në grupmoshën 18-29 vjeç janë regjistruar 1.797 raste vetëm gjatë vitit 2025.

Megjithatë, përgjigjja institucionale mbetet e fragmentuar dhe e përqendruar kryesisht në trajtimin e varësisë së konsoliduar. Programi i Trajtimit Mbajtës me Metadon financohet 100% nga buxheti i shtetit që prej vitit 2024, me mbi 22 milionë lekë të shpenzuara deri në qershor 2025. Ndërkohë, investimet në parandalim, shërbime psikosociale dhe ndërhyrje të hershme për të rinjtë janë të paqarta dhe dukshëm të pamjaftueshme.

Kapacitetet e trajtimit dhe rehabilitimit nuk përputhen me kërkesën reale. Vetëm për 6-mujorin e parë të vitit 2025, Teen Challenge Albania raportoi 125 aplikantë, por vetëm 23 pranime dhe vetëm 3 përfundime të suksesshme të programit 12-mujor.

Të gjitha këto të dhëna tregojnë se përdorimi i substancave narkotike tek të rinjtë në Shqipëri nuk është një fenomen i izoluar, por një problem kompleks shëndetësor, zhvillimor dhe social. Rritja e hershme e përdorimit, normalizimi shoqëror dhe boshllëqet e thella në parandalim, trajtim dhe rehabilitim po krijojnë një cikël që rrezikon të prodhojë pasoja afatgjata për brezat e ardhshëm, nëse nuk ndërhyhet me politika të qëndrueshme, të koordinuara dhe të fokusuara tek të rinjtë./acqj.al