Autore: Ina Allkanjari
Mendoni pak vetëm 24 orë mes dates 10 dhe 11 shkurt. Zjarr në Memaliaj. Zjarr në Fier. Zjarr në Vlorë. Zjarr në Orikum. Zjarr në shërbimin e urgjencës spitalore në Tiranë.
Zjarre në mes të dimrit që siç raportohet, janë shkaktuar nga vetë njerëzit.
Përballë flakëve dhe emergjencave të papritura, ndodhen zjarrfikësit. Shpeshherë të gjendur në situata sfiduese dhe të rrezikshme. Numri i ulët i efektivëve, mungesa e hapësirave për stërvitje, mungesa e pajisjeve të nevojshme, si dhe rrugët e ngushta, janë disa nga sfidat që shoqërojnë zjarrfikësit në punën e tyre të përditshme.
Shqetësimet e zjarrfikësve nuk kanë të bëjnë me kërkesa luksi. Jane kërkesa elementare që t‘i përgjigjen më mire zjarrit dhe emergjencës së radhës.
Një dëshmi e këtij realiteti trishtues është historia e Shkëlqim Kllogjeri, komandant i shërbimit zjarrfikës në Lushnjë me 27 vite përvojë pune. Ai tregon për Sinjalizo se mungesa e mjeteve dhe kushteve të përshtatshme janë pengesë kryesore në punën e tyre.
“Jeta jonë kryesisht është e rrezikuar sepse ne kemi të bëjmë me ndërhyrje në fenomene të vështira dhe të mëdha natyrore. Kemi disa mungesa përsa i përket aparateve të oksigjenit që ne i përdorim në vendngjarje kur ambientet janë të mbyllura dhe mundësia për tu futur pa mjete është e pamundur. Ne na mungon një makinë autoshkallë, edhe mjete të tjera pastaj që duken më të thjeshta, por që në vendngjarje kryejnë rolin e tyre”, thotë Kllogjeri.
Mungesa e mjeteve të duhura dhe të nevojshme shpeshherë bëhet shkak i ngjarjeve tragjike, ose mos dhënien e ndihmës së duhur në kohë. Zjarrfikësi Kllogjeri ndalet edhe te aksidentet rrugore dhe rëndësia që mjetet kanë në emergjenca të tilla.
“Në aksidentet rrugore është një vështirësi e madhe sepse njerëzit bllokohen brenda automjeteve. Për të bërë të mundur nxjerrjen e tyre duhet të jenë mjete efikase të cilat bëjnë prerjen e automjeteve”, thotë zjarrfikësi nga Lushnja.
Puna e zjarrfikseve kërkon përgatitje të veçantë dhe përgatitja e tyre varet shumë nga stërvitjet. Megjithatë, në shumë stacione zjarrfikëse në Shqipëri mungojnë hapësirat e përshtatshme për stërvitje duke u kthyer në një pengesë kryesore.
Shkëlqim Kllogjeri zjarrfikësi nga Lushnja thekson rëndësinë që kanë stërvitjet dhe trajnimet e duhura në punën e tyre të përditshme.
“Stërvitja dhe trajnimi përbëjnë elementin bazë për një zjarrfikës, sepse sa më shumë të njohë metodat e ndërhyrjes aq më i aftë bëhet dhe aq më i guximshëm bëhet për të kryer dhe për të trajtuar të gjithë elementët e vendngjarjes”, thotë ai.
Por, në stacionin e zjarrfikëses Lushnjë, ambientet janë në kushte të mjerueshme. Zjarrëfikësit e kanë tejet të vështirë që të bëjnë stërvitjet e duhura.
“Ne kemi bërë kërkesë herë pas here dhe kemi rënë dakord që brenda 6 muajve të parë të këtij viti do të rregullohen kushtet e jetësës së efektivit. Po të ishim në një vend që mund të kishim ambiente më të përshtatshme, qoftë edhe një mini palestër, mirë do të ishte. Ne e kemi një aty, por nuk është fort e përshtatshme, vetë e kemi sajuar në kat të parë, një nga dhomat”, thotë kreu i zjarrfikëses Lushnje, Xhezmi Metushi.
Vendndodhja e stacionit të zjarrfikëses Lushjë është një tjetër shqetësim i ngritur nga kreu i zjarrfikëses, i cili thekson se shkak i vonesave në raste emergjence është edhe vendndodhja.
“Kemi dashur të lëvizim si destinacion objektin, sepse po ta shikosh nga pozicioni që jemi nuk i shërben ky vend zjarrfikësve. Na merr shumë kohë dalja e mjetit zjarrfikës nga këtu në rrugë kryesore. Do të ishte më mirë që shërbimi zjarrfikës, ky reparti, të ishte në rrugë kryesore“, thotë Metushi.
Infrastruktura dhe trafiku si pengesë për zjarrfikësit
Rrugët e ngushta dhe qasja e kufizuar në vendet e emergjencës e vështirësojnë punën e zjarrfikësit. Drejtori i Zjarrfikëses Tiranë Shkëlqim Goxhaj flet për oraret më të vështira për të operuara për shkak të trafikut të rënduar në kryeqytet.
“Patjetër që hasim vështirësi sidomos në orët e trafikut (07:30-09:00 dhe 16:00-18:00). Ne në territorin e Bashkisë së Tiranës kemi 7 stacione të shërbimit zjarrfikës dhe i kemi të shtrirë në të gjithë territorin e bashkisë. Kjo shtrirje na ndihmon që edhe kur ngjarja është në momentet e pikut të trafikut, të arrijmë shpejt në vatrat e zjarrit”, thotë Goxhaj.
Ndërkohë për kreun e zjarrfikëses Lushnje rrugët e ngushta dhe parkimet e makinave në hapësira të papërshtatshme, janë një ndër problemet kryesore.
“Penalizojnë tej mase, këtë e tregoi dhe zjarri i fundit në qendrën tregtare Metropol, sepse kur kemi shkuar kishte shumë makina të parkuara rreth objektit. Pritëm sa u larguan makinat pastaj u futëm ne. Ne kemi përcaktuar disa pika që i dimë, por ka dhe lagje që janë rrugë të ngushta dhe mezi futet zjarrfikësja… ose nuk hyn fare”, thotë Metushi.
Pak zjarrfikës
Një tjetër problematikë shqetësuese është numri i ulët i jarrfikësve në të gjithë vendin. Ministria e Brendshme në faqen zyrtare të saj shkruan se shërbimi zjarrfikës është përmirësuar duke theksuar se përgjatë kësaj dekade numri i efektivëve është rritur.
“Në 61 bashkitë në vend janë instaluar 70 stacione zjarrfikëse, nga 38 që ishin në 2014, me 1,315 punonjës. Ky numër u shtua gjatë periudhës së decentralizimit. Në vitin 2014 ky numër ishte 749 punonjës”, shkruan Ministria e Brendshme.
Por shifrat e paraqitura janë larg standarteve të parashikuara në ligjin nr. 152 të vitit 2015 i cili thekson se “Për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”, raporti duhet të jetë 1 zjarrfikës për 1.500-2.000 banorë. Kjo situatë rrit presionin mbi zjarrfikësit, duke i lënë ata të përballojnë sfidat me një numër të kufizuar të efektivëve.
Drejtori i zjarrfikëses Tiranë, Shkëlqim Goxhaj thotë për Sinjalizo se Bashkia e Tiranës ka marrë formën e një metropoli evropian dhe shërbimi që ofrohet nga zjarrfikësit në këtë qytet duhet të jetë në nivelet e një qyteti evropian. Ai tregon rritjen e numrit të efektivëve zjarrfikës në kryeqytet përgjatë dekadës së fundit duke theksuar se kjo rritje nuk është shoqëruar me të njëjtin ritëm në bashki të tjera.
“10 vite më parë kur kemi nisur këtë shërbim kemi pasur rreth 90 forca të shërbimit zjarrfikës, ndërsa tani kemi 166. Pra do të thotë që janë shtuar me 76 forca të tjera. Shërbimi zjarrfikës i Tiranës ndryshe nga shumë shërbime të tjera në territorin e Republikës së Shqipërisë, ku numri i punonjësve ka mbetur i pandryshuar, ka një moshe shumë të re. Thashë kanë ngelur pa ndryshuar sepse shumë bashki nuk është se kanë shtuar efektiv aq sa ka shtuar Tirana”, thotë Goxhaj.
Duke krahasuar numrin e efektivëve të cilët operojnë në kryeqytet me numrin e popullsisë së regjistruar në Bashkinë Tiranë, shihet qartazi se kjo bashki operon me 50% të kapacitetit të nevojshëm. Në një popullsi me rreth 680 mijë banorë, numri i efektivëve zjarrfikës duhet të rezultonte minumumi 340 efektivë.
Bazuar në ligjin 152 të vitit 2015, kjo shifër paraqitet akoma më e ulët në Lushnje, ku aktualisht operojnë vetëm 12 efektivë, çka e vështirëson punën e tyre për tu përgjigjur në mënyrë efikase ndaj emergjencave civile.
Nevoja për një përmirësim të menjëhershëm të kushteve të punës dhe pajisjeve të zjarrfikësve është e domosdoshme për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen e qytetarëve në situata emergjente.
Zjarrfikësit janë në vijën e parë të frontit, duke përballuar me guxim fatkeqësitë natyrore dhe ato të shkaktuara nga njeriu. Eshtë detyrë e autoriteteve dhe komunitetieve lokale që jo vetëm të njohin problemet por edhe të ofrojnë zgjidhje, sidomos për çështje urgjente. Zjarri nuk shuhet as me ujë dhe as me guxim. Kërkohen mjete, kushte dhe pajisje bashkëkohore. Duke marrë në konsideratë se çfarë shpëton, asnjë investim për zjarrëfikësit nuk është i tepërt.
Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/