Pse mbeti pa kripë autostrada më e shtrenjtë në vend

Akull në asfalt, dhjetëra aksidente dhe një autostradë me pagesë pa kripë. Në ditët e para të janarit, Milot–Morinë u shndërrua në një rrugë rreziku, ku siguria u ofrua vetëm pasi ndodhën përplasjet. Një koncesion milionash, detyrime kontraktuale të qarta dhe një pyetje që mbetet: kush mban përgjegjësi?

Ida Ismalaj

Akulli në asfalt dhe mungesa e hedhjes së kripës, në ditët e para të janarit, e kthyen segmentin Milot-Morinë në një skenë përplasjesh zinxhir automjetesh dhe qytetarësh të plagosur. Aksidentit nuk i shpëtoi as mjeti i kompanisë që mirëmban rrugën, ndërsa ndërhyrja e Policisë së Shtetit dhe e kompanisë së mirëmbajtjes nisi vetëm pas aksidenteve.

Në një reagim zyrtar, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë ka shprehur shqetësim të thellë për situatën në akset e Veriut dhe Verilindjes. Sipas Shoqatës, është e papranueshme që përgjegjësia t’u lihet vetëm drejtuesve të mjeteve, kur mirëmbajtja rrugore ka detyrime të qarta kontraktuale për pastrimin dhe kriposjen.

“Dëmet që sot mbulohen nga sigurimet nuk janë vetëm ‘pasojë e motit’, por edhe rezultat i mungesës së masave të detyrueshme të mirëmbajtjes. Duhet të funksionojë mekanizmi i përgjegjësisë rrugore, për të mos ia lënë gjithë koston qytetarëve dhe siguruesve,” thekson deklarata.

Kjo është një rrugë me pagesë, ku çdo drejtues mjeti paguan nga 5 euro ose 660 lekë, deri në 22.5 euro për kalim, me detyrimin kontraktual se koncesionari garanton mirëmbajtje dhe siguri maksimale. Në praktikë, ajo që u ofrua ishte një rrugë e ngrirë dhe e rrezikshme. Ndërsa, sapo kalon pikën kufitare, në Morin rruga që mirëmbahet nga pala kosovare nuk ka patur asnjë problematikë me rrugë të ngrira apo aksidente.

Koncesioni Milot-Morinë: Kush mban përgjegjësi?

Autostrada Milot-Morinë është dhënë me koncesion/PPP që prej 27 dhjetorit të vitit 2016. Shteti shqiptar ka kontraktuar kompaninë Albanian Highway Concension (AHC) sh.p.k, në pronësi të 50% të Kastrati Group dhe 50% të Salillari sh.p.k. Dy kompani që rezultojnë ndër përfituesit më të mëdhenj të kontratave publike në Shqipëri. Sipas kontratës së koncesionit, AHC ka detyrime të qarta dhe të panegociueshme për mirëmbajtjen e plotë të rrugës gjatë gjithë vitit, garantimin e qarkullimit të sigurt edhe në kushte ekstreme, menaxhimin e situatave dimërore, hedhjen e kripës dhe përdorimin e mjeteve borëpastruese, si dhe mirëmbajtjen e tunelit të Thirrës.

Sipas kontratës, hedhja e kripës dhe menaxhimi i situatave dimërore nga 15 nëntori deri më 31 mars është detyrim i panegociueshëm. Megjithatë, praktika tregoi një realitet tjetër: Ndërhyrja e kompanisë nisi vetëm pasi ndodhën aksidentet.

Ndërsa në pjesën e Shqipërisë rruga ishte e ngrirë, sapo kalohet pika e Morinit, pjesa e Kosovës (e mirëmbajtur me standarde të ngjashme) nuk paraqiti asnjë problematikë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar konfirmon se kompanitë kontraktore duhet të jenë të përgatitura paraprakisht për situatat dimërore. Arjana Hasani, përgjegjëse e sektorit të mirëmbajtjes në ARRSH deklaron se autoriteti u kërkon drejtorive rajonale dhe kontraktorëve përgatitjen e stafit, gatishmërinë e e makinerive të pastrimit të borës dhe depozitimin e kripës.

 “Ne gjithmonë i paraprijmë situatës dhe kompanitë duhet të jenë gati për hedhjen e kripës që në fillim të reshjeve” nënvizon Hasani.

Pavarësisht kësaj, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka refuzuar të japë informacion nëse ka patur problematika të mëparshme me kompaninë e mirëmbajtjes dhe çfarë masash janë marrë për mosrespektim të detyrimeve të parashikuara në kontratë.

Ekspertët: Situata nuk ishte e papritur, kompanitë të mbajnë përgjegjësi

Eksperti i ekonomisë Pano Soko thotë se mos-hedhja e kripës në rrugë në kohë dimri, duke shkaktuar 20 aksidente është krim dhe neglizhencë e kompanive të mirëmbajtjes. “Akulli nuk formohet për 10 minuta. Ai krijohet për disa orë. Kompania ka pasur kohë të mjaftueshme për të vepruar sipas protokollit. Të gjithë të dëmtuarit në këtë rast duhet të hedhin në gjyq koncesionarin që rrit fitimin vit pas viti por nuk ka kripë për të hedhë në rrugë”.

Edhe eksperti i sigurisë Fatjon Softa kërkon hetim penal dhe kompansim financiar ndaj të dëmtuarve: “Vendosja e kripës bëhet në sezon. Efekti kryesor i saj është parandalimi i ngrirjes së rrugës, sidomos në akse problematike. Nuk mjaftojnë vetëm tabelat paralajmëruese. Duhet të jenë masat paraprake të hedhjes së kripës. Në këto raste, përgjegjësia nuk është vetëm e drejtuesve të automjeteve për pajisje me goma dimërore, por edhe e atyre që administrojnë rrugën”.

Të dhënat zyrtare të Policisë së Shtetit tregojnë se aksidentet në rrugën e Kombit janë në rritje nga viti në vit. Segmentet më problematike sipas policisë janë Milot-Rrëshen, Gziq, Reps, Fan, tuneli i Kalimashit, Kolsh, Kukës dhe Përbreg-Morinë. Shkaqet përsëriten: Shpejtësia, humbja e kontrollit, por gjithnjë e më shpesh edhe kushtet e pafavorshme atmosferike dhe lagështia në rrugë.

  • Në 2023: 224 aksidente me dëme materiale, 29 me pasoja, 8 viktima
  • Në 2024: 240 aksidente me dëme materiale, 24 me pasoja, 3 viktima
  • Në 2025: 259 aksidente me dëme materiale, 28 me pasoja, 6 viktima

Politika dhe përgjegjësia penale

Për situatën në rrugën e Kombit nuk kanë munguar as akuzat e politikës. Opozita ka denoncuar situatën, duke e cilësuar atë si dështim të sigurisë publike dhe duke kërkuar hetim penal për koncesionarin dhe institucionet përgjegjëse.

Deputeti i PD Agron Gjekmarkaj tha se kjo është një tjetër provë e dështimit të qeverisë për të garantuar sigurinë publike dhe e arrogancës së një pushteti që ka braktisur qytetarët e tij: “Partia Demokratike denoncon me forcë papërgjegjshmërinë e plotë të institucioneve shtetërore, të cilat, edhe pse ishin të paralajmëruara për motin e keq, nuk morën asnjë masë parandaluese në Rrugën e Kombit. Mos-hedhja e kripës dhe neglizhenca e plotë e qeverisë kanë sjellë kaos në qarkullim dhe një numër alarmant aksidentesh, duke vënë në rrezik serioz jetën e qytetarëve”.

Ndërsa ish deputeti Petrit Vasili ka kërkuar nga Prokuroria që të nisë hetim për dhjetëra aksidente në rrugët e mbuluara nga akulli, pasi shqiptarët kanë paguar qindra milionë euro për të udhëtuar në rrugë të sigurta.

Rruga e Kombit është ndërtuar me paratë e taksapaguesve, mirëmbahet me paratë e taksapaguesve dhe paguhet çdo ditë nga udhëtarët. Megjithatë, kur kushtet bëhen të vështira, siguria duket se mbetet në plan të dytë.

Siguria rrugore në Rrugën e Kombit nuk mund të mbetet një “përgjegjësi individuale” e shoferëve. Siç vëren edhe shoqata e Siguruesve, ajo fillon me rrugë të mirëmbajtura sipas standardeve. Nëse një kompani përfiton miliona euro nga tarifat e traut por dështon në masat minimale të sigurisë, qytetarët përfundojnë duke paguar dy herë: një herë me para në kabinat e traut në Kalimash dhe një herë me jetën e tyre në asfalt./acqj.al