Projektbuxheti 2026: Rriten shpenzimet, thellohet borxhi

Projektbuxheti 2026, më i madhi në historinë e vendit, sjell rritje shpenzimesh, më shumë paga e më shumë infrastrukturë, por jo domosdoshmërisht më shumë shërbime. Ndërsa deficiti thellohet, dilema mbetet: kush përfiton realisht dhe a do të ndryshojë jeta e qytetarëve?

Denada Jushi

Prej ditësh në parlament, por edhe jashtë tij, diskutohet mbi projektbuxhetin e vitit 2026.

I konsideruar si projektbuxheti më i madh në historinë e Shqipërisë dhe që do të na kushtojë shtrenjtë, nuk premton  më shumë shërbime, sepse gllabëruesit më të mëdhenj të parasë publike vijojnë të mbeten administrata, pra pagat e tyre, si dhe infrastruktura.

Shpenzimet publike për vitin e ardhshëm janë planifikuar rreth 8.9 miliardë dollarë, duke e rritur buxhetin me 6.7%.

Shqipëria është konsideruar si një nga vendet që ka numrin më të lartë të administratës në raport me popullatën dhe gjeografinë, ndaj edhe paratë më të mëdha shkojnë për zyrtarët e shtetit.

Shpenzimet e personelit për vitin 2026 reflektojnë këtë tendencë: shpenzimet për pagat e administratës në nivel qendror për 87,112 punonjës planifikohen në masën 140.1 miliardë lekë, duke marrë parasysh edhe premtimin për rritjen e pagës minimale.

Një tjetër “gropë” që thith buxhetin janë investimet në infrastrukturë. Ministria e Infrastrukturës rrit shpenzimet për infrastrukturën dhe energjinë, duke parashikuar t’i çojë në 78.3 miliardë lekë, me një rritje prej 3.1 miliardë lekësh krahasuar me buxhetin e vitit 2025.

Investimet do të përqendrohen në përmirësimin e rrugëve, transportin hekurudhor, si dhe infrastrukturën e ujësjellës-kanalizimeve, duke mbështetur objektivin për modernizimin e rrjetit kombëtar të transportit dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve publike.

Në mënyrë paradoksale me atë që premtonte Kryeministri Rama në vitin 2013  “Shqipëria ka mbetur rrugëve, këta duhet të hapin rrugën”, duke anatemuar fushatën e asaj kohe të PD-së që i kishte çuar gjithë investimet në infrastrukturë, sot, katër mandate më pas, projektet kryesore të qeverisë lidhen pikërisht me infrastrukturën.

Konkretisht, parashikohet mirëmbajtja e 3,522 kilometrave rrugë, financimi i aksit Elbasan–Lekaj, si dhe zgjerimi i segmenteve si autostrada Tiranë–Durrës dhe segmenti rrugor Berat–Ballaban.

Parashikohen gjithashtu financime për zgjerimin e rrugës së Ksamilit, ndërtimin e bypass-it të Sarandës, ndërtimin e rrugës Kashar–Nyja e Vaqarr-it dhe rikonstruksionin e rrugës së vjetër Kombinat–Ndroq–Plepa, si dhe zgjerimin e rrugës Elbasan–Qafë Thanë.

Fonde parashikohet të shkojnë edhe drejt sektorit hekurudhor, ku do të vijojë rehabilitimi i linjës Durrës–Tiranë dhe ndërtimi i linjës së re Tiranë–Rinas.

Po ashtu, janë planifikuar ndërhyrje në linjat ekzistuese Vorë–Hani i Hotit dhe Durrës–Rrogozhinë.

Rritja e pensioneve pritet të thellojë defiçitin në skemën e sigurimeve, e cila e ka të pamundur përballimin e plotë të pagesave të pensioneve përmes kontributeve të fuqisë punëtore dhe kërkon mbështetje të vazhdueshme nga buxheti.

Për deputeten Jorida Tabaku, ky buxhet nuk e përmirëson jetën e qytetarëve, madje e vështirëson atë për shtresën e mesme.

“Deri sa të vijojë tradita e koncesioneve, ku të pasurit marrin më shumë dhe qytetarët më pak, buxheti është i padrejtë,” thotë ajo.

Lajmi i mirë për këtë vit është përmirësimi i buxhetit sa i takon shëndetësisë.

Fushatat mediatike negative dhe protestat e shumta qytetare, kryesisht për mungesat e theksuara të shërbimit në onkologjik, duket se janë reflektuar në buxhet.

Rreth 82.5 miliardë lekë në vitin 2026 do t’i shkojnë këtij sektori, ku përveç pagave të “bluzave të bardha”, do të përfshihen edhe investime të domosdoshme në pajisje dhe infrastrukturë.

Kur shpenzimet po rriten, kostot nuk janë të vogla.

Deficiti buxhetor do të thellohet, dhe parashikohet të shkojë në 63 miliardë lekë, nga 61 miliardë që ishte një vit më parë.

Ndërsa premtimet rriten dhe buxheti zmadhohet, ajo që duhet të reflektohet është përmirësimi i jetesës së qytetarëve por nëse do të ndodhë apo jo, mbetet për t’u parë. /acqj.al