Denada Jushi
Pas 3 vjetësh e gjysëm ngërç, së shpejti Shqipëria shpreson të ketë emrin e ri të Avokatit të Popullit.
Një muaj më parë , Komisioni i Ligjeve shpalli sërish vakancën për postin e Avokatit të Popullit, tre vite e gjysem pas përfundimit të mandatit të Avokatit të Popullit aktual, znj. Erinda Ballanca, në maj 2022. Vendimi u miratua vetëm me votat e deputetëve socialistë, ndërsa anëtarët e opozitës bojkotuan votimin, duke argumentuar se vakanca ishte shpallur tashmë gjatë legjislaturës së kaluar dhe nuk kishte nevojë të përsëritej.
Kreu i Komisionit, Ulsi Manja, e hodhi poshtë këtë argument, duke theksuar se disa deputetë të asaj legjislature nuk janë më pjesë e Kuvendit, çka e bën procedurën e mëparshme të pavlefshme. Nga ana tjetër, opozita rikujtoi se kandidati i saj, Besim Ndregjoni, plotësonte të gjitha kriteret ligjore dhe akuzoi mazhorancën për bllokim të qëllimshëm politik.
Mazhoranca theksoi se procesi duhet të zhvillohet sërish në mënyrë transparente dhe me disa kandidatura, duke kujtuar se për zgjedhjen e Avokatit të Popullit nevojiten 84 vota.
Në maj të vitit 2022, duhet të ishte zgjedhur pasuesi i Erinda Ballancës, e cila u zgjodh në vitin 2017 dhe prej 42 muajsh është në tejkalim të mandatit.
Dakordësimi fillestar për Avokatin e Popullit u bë në marrëveshjen e njohur Basha-Rama në vitin 2017, për një mandat 5-vjeçar, që përfundoi në vitin 2022. Por, në pamundësi të gjetjes së pasuesit, Erinda Ballanca vijon të kryejë detyrën në pritje të zëvendësuesit.
Një “ping-pong” politik po ndodh prej 3 vjetësh me këtë post, duke mos dhënë ende rezultat, kjo duke treguar edhe një mospërfillke të politikës ndaj këtij pozicioni kyç, fuqia e të cilit janë vetëm rekomandimet.
Ndërkohë, pas hapjes së procesit të përzgjedhjes sërisht, 23 kandidatë janë ofruar për këtë post përfshirë politikanë, aktivistë dhe personazhe që vijnë nga drejtësia.
Ndër ta mund të përmenden:
- Adriana Kalaja
- Aranita Brahaj
- Anton Kosteri
- Anton Lleshaj
- Besim Ndregjoni
- Dardan Mustafaj
- Endri Papajorgji
- Endrit Shabani
- Fatjona Male
- Genta Tafa
- Gerti Shella
- Ismail Tafani
- Jola Hysa
- Juliana Hoxha
- Laureta Roshi
- Lulzim Hamitaj
- Myrteza Myftari
- Saimir Vishaj
- Shkëlqim Sulo
- Suela Koçibellinj,
- Tartar Bazaj
- Valentina Teodoresku
- Skënder Haluci
Është krijuar një traditë që kandidatura e Avokatit të Popullit zgjidhet nga propozimet e opozitës.
Në qershor 2023, procesi dështoi për shkak të mosmarrëveshjeve mes PS dhe PD. Kryeministri Rama atëherë refuzoi të votonte kandidatin e PD-së, Ledio Braho, duke argumentuar se “nuk do të votohej një avokat partie”, ndërsa opozita kundërshtoi votimin e Ardian Dvoranit si gjyqtar kushtetues.
Po ashtu, procesi u rihap në janar të këtij viti, ku shtatë kandidatët që kishin kaluar filtrin e Komisionit të Ligjeve dhe kishin siguruar firmat mbështetëse të deputetëve do të ishin në garë për të marrë 84 votat e nevojshme në seancën plenare.
Kanidatët ishin Vitore Tusha, Bledar Dervishaj, Tartar Bazaj, Besim Ndregjoni, Dardan Mustafaj, Edison Frangu dhe Erald Aga. Të gjithë ishin propozuar nga opozita, ndërsa për zgjedhjen e njërit prej tyre kërkohej edhe mbështetja e deputetëve socialistë. Edhe ky proces dështoi.
ACQJ kontaktoi një prej kandidateve që po garon, Suela Koçibellinj, e njohur për rolin aktiv në mbrojtje të fëmijëve, një emër apolitik që vjen nga shoqëria civile.
Ajo thotë se e sheh këtë institucion si një rol themelor në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të çdo qytetari, përballë veprimeve abuzive, shpërfilljes apo mungesës së përgjegjësisë nga ana e institucioneve publike.
Ndërsa opozita e ka shprehur dëshirën që të votohet emri i Besim Ndregjonit, mazhoranca ende nuk ka shprehur mbështetje për një nga 23 kandidatët e ofruar.
Avokati i Popullit në Shqipëri ka për detyrë të ndihmojë në përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies në administratën publike. Ky rol do të duhej të ishte tejet i rëndësishëm, por shpeshherë rekomandimet e Avokatit të Popullit, i vetmi instrument i pushtetit që ushtron, mbeten në letër. /acqj.al