Pesë vite më pas, premtimet që u harruan për Qytetin Studenti

Në vitin 2019, studentëve në Qytetin Studenti iu premtuan kushte më të mira jetese, por pesë vite më vonë, shumica ende jetojnë në godina të degraduara, me higjienë të dobët dhe premtime të papërmbushura. Disa konvikte u rinovuan, por shumica mbeten larg standardeve minimale, duke lënë studentët të zhgënjyer dhe të përballur me kushte të vështira.

Autorë: Freard Rista dhe Marsel Vocaj

Në prill të vitit 2019, Anila Shehu, drejtoresha e Rezidencës Studentore (RSU), në Qytetin Studenti të Tiranës, siguroi studentët, që ndryshime të mëdha ishin në prag.

“Godinat do të rikonstruktohen me projektin e financuar nga KFË dhe kapacitetet e Qytetit Studenti do të shtohen me 700 studentë të rinj”, – tha ajo në një intervistë. Kjo deklaratë ofroi shpresë për mijëra studentë, që përballen çdo ditë me vështirësi në ndërtesa të vjetra dhe të degraduara.

Pesë vite më vonë, optimizmi i nxitur nga fjalët e Shehut është zbehur ndjeshëm. Ndërkohë që disa godina janë rinovuar, nga ana tjetër shumica e konvikteve mbeten në një gjendje të mjerueshme dhe studentët vazhdojnë që të jetojnë në kushte larg standardeve të premtuara.

Një vizitë në Qytetin Studenti zbulon realitetin e hidhur. Muret e godinës 26 janë dukshëm të dëmtuar, me copa suvaje, që mungojnë dhe me myk, që përhapet në sipërfaqe të lagështa.

“Vetëm disa godina janë rinovuar plotësisht dhe ato rinovime shpesh nuk i përmbushin nevojat apo pritshmëritë e studentëve, – thotë Aurel Kujtimi, një aktivist studentor, që ka folur hapur për kushtet e jetesës. – Për tarifat që paguajnë, studentët meritojnë shumë më tepër”, – thotë ai me një shprehi fytyre, ku zhgënjimi është i dukshëm.

Problemet në Qytetin Studenti nuk janë të kufizuara vetëm në dëmet strukturore. Studentët kanë vite që përballen me probleme të vazhdueshme në lidhje me kushtet higjieno-sanitare.

Banja kolektive, të ndara mes dhjetëra studentëve të një godine, ku mungojnë edhe elementet më bazë.

“Nuk ka kapakë tualetesh, nuk ka çelësa në dyer dhe në dimër rrallë ka ujë të ngrohtë, – thotë një studente e irrituar, ndërsa nxiton për të shkuar në orën e leksionit. – Problemi me ujin është aq i përhapur, saqë edhe pas rikonstruksionit fuçi me ujë të ftohtë vendosen në banja si një kujtesë e përditshme e kushteve të vështira. Ne paguajmë rregullisht, por asgjë nuk ndryshon”, – shton ajo me zhgënjim.

Jetesë pa kushte minimale

Problemi me ngrohjen e pamjaftueshme shton vështirësitë, me të cilat përballen studentët gjatë muajve të ftohtë të dimrit.

“Nuk e ndezin ngrohjen pjesën më të madhe të kohës. Thjesht mbështillemi me batanije dhe presim ato momente të rralla, kur ngrohja ndizet”, – thotë një tjetër studente, duke shprehur frustrimin, që shumë studentë ndajnë.

Kujtimi i përsërit këto shqetësime. “Konviktet e studentëve janë menduar që të jenë më shumë se thjesht një strehë mbi kokën tonë, ato supozohet të ofrojnë një cilësi të mirë jetese, por për shumë prej nesh Qyteti Studenti mezi është i banueshëm”, – shprehet ai.

Problemet shtrihen përtej vetë konvikteve. Koncepti i mensave publike – një shërbim thelbësor për çdo kompleks rezidencial, studentor – mbetet pothuajse inekzistent në Qytetin Studenti. Nëpër kampus janë disa mensa private, ku një vakt fillon nga 400 lekë, shumë larg mundësive të shumicës së studentëve.

“Ka mensa, por janë të gjitha private dhe të shtrenjta, – shpjegon Suela, studente e Gazetarisë, që ka tre vjet që jeton në Qytetin Studenti. – Ka pasur biseda për një mensë të re, publike vite më parë, por kjo nuk ka ndodhur kurrë”, – shton ajo.

Në vitin 2019, Shehu kishte premtuar gjithashtu një mensë të re, një strukturë moderne, që do të shërbente vakte të përballueshme për studentët, por në vitin 2024 studentët ende presin. E vetmja përgjigje nga RSU në lidhje me këtë premtim ka ardhur në formën e referencave të paqarta për një plan të ardhshëm të kampusit, i cili supozohet se përfshin një mensë publike. Ndërkohë, dy nga gjashtë mensat private janë mbyllur, për shkak të numrit gjithnjë në rënie të studentëve dhe të mungesës së fitimeve.

“Është e vështirë që ta mbash hapur biznesin, kur çdo vit ka më pak studentë, që jetojnë këtu; edhe ata që janë, nuk kanë mundësi që të hanë jashtë, – thotë pronari i njërës prej mensave, që kanë mbetur hapur.

“Ne mbijetojmë falë klientëve besnikë, por as ata nuk mund ta mbajnë biznesin për shumë gjatë”, – tregon ai.

Në një mensë tjetër vetëm tri tavolina janë të zëna në kohë dreke, një sinjal i qartë i rënies së konsumit.

“Ku janë studentët? Nuk ka më si dikur, – thotë pronari. – Vendi ishte plot dikur. Tani mezi mbijetojmë”.

Rinovime gjysmake

Me gjithë kushtet e vështira, RSU këmbëngul se progresi po bëhet. Në një përgjigje zyrtare, të dhënë në prill të vitit 2024, RSU njoftoi se shtatë godina janë rikonstruktuar. Këto përfshijnë godinat 6, 11, 12, 20, 21, 22 dhe 23. Një nga rastet më të përmendura është godina 6, e cila u rinovua me parime të eficiencës energjetike, me financimin e qeverisë turke përmes TIKA-s, me një kosto prej 953.263 eurosh. Megjithatë, një inspektim më i afërt i ndërtesës tregon një histori tjetër. Suvaja e dëmtuar dhe myku janë të dukshëm me sy të lirë, duke ngritur pikëpyetje për cilësinë e punës së kryer.

“Kam jetuar në godinën 22 vitin e kaluar dhe, ndërkohë që disa gjëra janë përmirësuar, problemet kurrë nuk zhduken, – thotë Jozefi, një student i dizajnit grafik, që tani banon në godinën 6. – Dushet prishen vazhdimisht dhe me fillimin e semestrit të ri situata do të përkeqësohet”.

Për shumë studentë këto rinovime të pjesshme ofrojnë pak komoditet.

“Ne jetojmë në këto konvikte, por nuk janë ato që janë premtuar, – thotë Stiveni, një student i vitit të dytë në degën e Drejtësisë, që gjithashtu banon në godinën 6. – Na duhet të presim në radhë për të bërë dush dhe shpesh herë, kur na vjen radha, nuk ka as ujë të ngrohtë”.

Ai shpjegon se sistemi i ngrohjes ndizet, por vetëm kur temperatura zbret nën 3 gradë Celsius.

“Ne paguajmë 50.000 lekë në muaj, që është 10.000 lekë më shumë se vitin e kaluar, por kushtet nuk janë përmirësuar.”

Në të njëjtën kohë ai shpreh shqetësim edhe për sa i përket hapësirës në dispozicion.

“Dhoma ku qendroj unë është e projektuar për 2 persona, ndërsa në dhomë jemi 3”.

Norma e strehimit për programet e strehimit social, në përputhje me parimet e politikave të strehimit, bazuar në nenet 3 deri 10, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, është 30 m2 sipërfaqe neto për personin e pare dhe për çdo person shtesë, sipërfaqja neto shtohet me 10m2. Megjithatë, këto kushte minimale nuk plotësohen. Vetue në përgjigjen e RSU, parashikohet që tipologjia e dhomave parashikon një hapësirë për person prej 13-22 m2 sipërfaqe për dhomë.

Historia është e ngjashme në godinat 11 dhe 12, të cilat u rikonstruktuan me një buxhet prej më shumë se 2.7 miliardë lekësh. Sot, çarje të dukshme përgjatë bazës së ndërtesave tregojnë për çështje të mundshme, strukturore, pavarësisht investimit të madh.

Premtime të thyera dhe studentë të frustruar

Frustrimet janë në rritje, veçanërisht ndërsa RSU vazhdon që të promovojë planet e saj për rindërtim pas tërmetit të vitit 2019. Godinat 3, 4, 14, 16 dhe 17 janë aktualisht në proces rikonstruksioni, të financuara nga Banka Gjermane, KFË. Megjithatë, studentët, që jetojnë aktualisht në godinat funksionale të RSU, përshkruajnë kushte larg idealeve.

“Muret e jashtme të godinave 9 dhe 10 janë aq të dëmtuara, saqë mund ta heqësh suvanë me dorë, – shpjegon një student. – Brenda situata nuk është më e mirë. Muret janë të vjetra, të plasaritura dhe të mbuluara me myk dhe nuk është bërë asnjë përpjekje për t`i përditësuar pllakat apo elementet e tjera, të brendshme. Gjithçka është e vjetruar, – shton studenti. – Është e qartë se këto ndërtesa nuk janë mirëmbajtur për vite të tëra”.

Godinat 24 dhe 25, në vend që të duken si konvikte studentësh, ngjasojnë me lavanderi të improvizuara. Rrobat varen nëpër ballkone dhe nëpër korridore, për shkak të mungesës së shërbimeve funksionale të lavanderisë. Sara, një banore e godinës 21, ndan zhgënjimet e saj. “Makineritë e lavanderisë janë të prishura pjesën më të madhe të kohës, kështu që ne i lajmë rrobat me dorë. Nuk mund t`i përballojmë lavanderitë private”.

Situatën e përkeqëson më tepër edhe prania e ujërave të zeza jashtë disa ndërtesave. Në bazën e godinës 21, ujërat e zeza kanë shpërthyer dhe kanë formuar një pellg, që përbën një rrezik serioz për shëndetin e studentëve. “Është një vatër infeksioni dhe askush nuk po bën asgjë për këtë”, – thotë Sara.

Situata është e njëjtë në godinat 26 dhe 27, ku era e plehrave dhe e ujërave të zeza përhapet në dhomat e studentëve. “Është i njëjti problem çdo vit. Asgjë nuk ndryshon”, – thotë një prej studentëve.

Mungesa e transparencës dhe e llogaridhënies

Pavarësisht problemeve të dukshme, RSU ka qenë e ngadaltë në përgjigje të shqetësimeve. Kërkesat e shumta për informacion, të bëra nga ACQJ, bazuar në Ligjin për të Drejtën e Informimit (Ligji Nr. 119/2014), janë injoruar ose janë vonuar përtej afateve ligjore. Më 5 prill 2024, ACQJ kërkoi zyrtarisht detaje nga RSU për projektet e rikonstruksionit, përfshirë planet për godinat që ende nuk ishin rindërtuar. Pas marrjes së një përgjigjeje të paplotë në fund të muajit, ekipi investigativ paraqiti një ankesë pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit.

U desh më shumë se një muaj – dhe një tjetër ankesë formale – që RSU të ofronte informacionin e munguar. Në përgjigjen e saj, përfundimtare RSU deklaroi se rinovimet janë në vazhdim, por nuk arriti të shpjegojë, pse mensa e premtuar nuk ishte ndërtuar. ACQJ vazhdon të kërkojë përgjigje, por përgjigjet e vonuara dhe të paqarta nga RSU sugjerojnë mungesë transparence në proces.

Në një nga rastet, ACQJ paraqiti një kërkesë më 1 gusht 2024, duke kërkuar informacion për numrin e dusheve dhe të ambienteve higjieno-sanitare në të gjitha godinat e Qytetit Studenti. U desh deri më 26 gusht që RSU të kthente një përgjigje, shumë përtej afatit të parashikuar me ligj. Edhe atëherë, përgjigjja ishte e paplotë, duke lënë shumë pyetje pa përgjigje.

Më 30 gusht, ACQJ dërgoi një kërkesë tjetër për informacion – këtë herë duke kërkuar numrin e studentëve të akomoduar në pesë vitet e fundit dhe kapacitetet minimale dhe maksimale të godinave të rinovuara dhe të parinovuara.

Gjatë pesë viteve të fundit, numri i studentëve që kanë përdorur rezidencat studentore ka treguar një tendencë të dukshme rënieje, ndonëse në vitin e fundit ka pasur një rritje të lehtë. Në vitin akademik 2018-2019, numri i studentëve që përdornin rezidencat arriti në 4808, duke shënuar kulmin për këtë periudhë. Më pas, gjatë viteve 2019-2020, ky numër ra ndjeshëm në 4356, dhe rënia vazhdoi në vitet në vijim. Në vitin 2020-2021, numri zbriti në 3869, dhe në vitin 2021-2022 u regjistruan 3821 studentë. Rënia më e madhe u vu re në vitin 2022-2023, kur vetëm 3570 studentë përdorën rezidencat. Megjithatë, në vitin 2023-2024 u vu re një rikuperim, me një rritje në 3965 studentë.

Premtime boshe dhe një e ardhme e zymtë

Në qershor të vitit 2024, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, vizitoi Qytetin Studenti dhe bëri një sërë premtimesh të reja.

“Do t`i befasojmë studentët këtë shtator, – tha ai. – Kushtet do të jenë më të mira se shumica e shtëpive të tyre dhe më të mira se shumë hotele në Tiranë”.

Për studentët që jetojnë në godinat 7 dhe 8 – dy nga konviktet më të vjetra dhe jo të mirëmbajtura – fjalët e Veliajt tingëllojnë bosh.

“Është e vështirë që të imagjinojmë se do ndihemi më mirë këtu se në shtëpitë tona, – thotë një studente e Gazetarisë. – Banjat janë të rrezikshme. Sistemi elektrik është i dëmtuar dhe rreziku për t`u prekur nga rryma, ndërsa bën dush, është real”.

Me pamjet e mureve me myk, suva të plasaritura dhe telave të rrezikshëm, elektrikë fjala “luksoz” duket të jetë shumë larg realitetit të studentëve. Ndërkohë që viti i ri, akademik afrohet, studentët në Qytetin Studenti po përgatiten për të përballuar një tjetër vit të vështirë, larg luksit të premtuar nga zyrtarët.

Për momentin e ardhmja e Qytetit Studenti duket e zymtë. Ndërsa studentët presin për rinovimet që janë premtuar – dhe që vazhdimisht vonohen – ata vazhdojnë të jetojnë në godina, që mezi i përmbushin standardet minimale të jetesës.

“Ky është realiteti ynë, – thotë Kujtimi. – Dhe, derisa të ndodhë një ndryshim i vërtetë, nuk do të bëhet më mirë.”

Ky shkrim është pjesë e projektit Laboratori i Gazetarisë Investigative, që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.