Denada Jushi
Shqipëria është e bekuar me pasuri natyrore që do ta kishin zili edhe vendet nordike me marketing më të mirë: male, lugina dhe Alpe që i bëjnë turistët të pyesin nëse kanë gabuar kontinentin. Por si çdo pasuri, edhe kjo vjen me një paralajmërim: nëse e keqmenaxhuar, mund të humbasë shpejt.
Në këtë frymë, Parlamenti shqiptar miratoi me shumicë votash një ligj të ri — të ashtuquajturën “Paketa e Maleve”. Me 73 vota pro, 1 kundër dhe 1 abstenim, deputetët hapën rrugën për një regjim të ri investimesh në zonat malore, me qëllimin e deklaruar për të zhvilluar turizmin dhe për të ringjallur ekonominë rurale. Por nën këtë premtim zhvillimi, ekspertët dhe aktivistët shohin një tjetër skenar të mundshëm: betonim, kaos urbanistik dhe dëm të pakthyeshëm për mjedisin.
Zhvillim pa busull? Zgjedhja e zonave “prioritare”
Qeveria ka bërë të ditur se nuk ekziston një listë fikse e zonave që do përfitojnë nga kjo paketë. Vendimi për cilësimin e zonave si prioritare do të bëhet më vonë nga Këshilli i Ministrave. Me pak fjalë: ende nuk dihet ku do të ndërtohet, kush do ndërtojë dhe si do matet suksesi i ndërhyrjes.
Sipas ministrit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku:
“Projektligji nuk përmban një listë fikse zonash. Zonat me përparësi zhvillimi malor nuk përcaktohen apriori nga ligji, por do të shpallen me vendim të Këshillit të Ministrave.”
Ligji parashikon disa kritere për përzgjedhjen e këtyre zonave:
- Potenciali turistik, ekonomik ose industrial;
- Prania e “poseduesve jopronarë” – një kategori juridikisht konfuzë që pengon zhvillimin;
- Vështirësia në pajisjen me leje për shkak të mungesës së dokumentacionit të qartë pronësor.
Në letër, duket si një përpjekje për të ndihmuar zonat e braktisura. Në realitet, ekspertët e shohin me dyshim mënyrën se si kjo mund të zbatohet pa një plan të detajuar.
A janë gati malet për të përballuar këtë ‘dashuri’ të re?
Eksperti i turizmit rural, Luan Dervishi, ngre një alarm të qartë:
“Zonat rurale prej kohësh po përballen me depopullim. Mungesa e fuqisë punëtore dhe largimi i të rinjve e bëjnë të vështirë çdo lloj investimi që kërkon bashkëpunim lokal.”
Sipas tij, zhvillimi malor nuk mund të bazohet vetëm në ndërtime e asfalt. Duhet një qasje e integruar që përfshin mbështetje për bujqësinë, pylltarinë, infrastrukturën, turizmin dhe kapitalin social.
Një ligj që nuk parasheh hartë paraprake, nuk ofron mekanizma për konsultim me komunitetin dhe nuk ka qartësi mbi kriteret për përzgjedhje, rrezikon të prodhojë më shumë kaos se zhvillim.
Turizëm me kosto? Kur “projekti i bukur” kthehet në beton të shëmtuar
Një nga kritikat më të forta është mungesa e qartësisë mbi tipologjinë e investimeve. Ligji nuk vendos kufij për ndërtimet, nuk specifikon vlera minimale ose maksimale dhe lejon që projekte të miratohen edhe jashtë planeve urbanistike ekzistuese.
Kujtoni rastin e Thethit, Valbonës apo edhe bregdetit jugor: ndërtimet pa kriter, shpesh të shëmtuara dhe të dëmshme për natyrën, janë tashmë pjesë e realitetit turistik shqiptar.
Eksperti i mjedisit, Abdulla Diku, paralajmëron:
“Çdo ndërhyrje në natyrë mbart rrezik për dëmtimin e ekosistemeve, veçanërisht në zonat malore që janë habitate të ndjeshme për florën dhe faunën.”
Ai shton se problemet më të mëdha vijnë nga:
Shpyllëzimi, Humbja dhe fragmentimi i biodiversitetit, Zëvendësimi i peizazhit natyror me infrastrukturë betoni.
Ligj për zhvillim apo manual për abuzim?
Qeveria ka përmendur shpesh synimin për tërheqjen e 500 investitorëve të huaj përmes dhënies së tokës shtetërore me 1 euro, një skemë që në letër tingëllon si shpëtim, por në praktikë mund të përfundojë si një tjetër kapitull i zymtë i zhgënjimeve.
Pa transparencë, pa pjesëmarrje të komunitetit dhe pa kritere të qarta mjedisore, rreziku i transformimit të maleve shqiptare në qendra pseudo-luksoze të betonit është më i afërt sesa zhvillimi i qëndrueshëm.
Paketa e Maleve mund të jetë një shans i artë për zonat e braktisura, por vetëm nëse shoqërohet me planifikim serioz, transparencë dhe respekt për natyrën. Përndryshe, do të kemi vetëm një kapitull të ri në romanin tragjik të “zhvillimit shqiptar” ku gjithçka fillon me pasion dhe përfundon me beton.