Ida Ismalaj
Në një sektor ku qytetarët prej vitesh denoncojnë ryshfetin për shërbim shëndetësor, statistikat zyrtare flasin për heshtje. Gjatë vitit 2024, në shumicën e institucioneve në shëndetësi nuk është regjistruar pothuajse asnjë ankesë për korrupsion. Raporti më i fundit i Shoqatës Together for Life, i bazuar në monitorimin e 13 institucioneve të shëndetësisë, nxjerr në pah një paradoks shqetësues: Ose korrupsioni nuk raportohet, ose mekanizmat për ta denoncuar nuk funksionojnë.
Sipas të dhënave zyrtare të institucioneve të monitoruara, shumica prej tyre raportojnë zero ankesa për ryshfet apo abuzime korruptive. Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor (OSHKSH) deklaron se gjatë vitit 2024, pranë Drejtorisë Qendrore nuk është regjistruar asnjë ankesë e tillë.
Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) raporton vetëm një ankesë të vetme, e cila është trajtuar sipas procedurave ligjore.
Gjatë tryezës së rrumbullakët të organizuar nga Together for Life, përfaqësuesja e ILDKPKI-së, Majlinda Thomaj bëri të ditur se nga viti 2016 deri në 2024 janë hetuar rreth 90 raste sinjalizimi dhe 12 kërkesa për mbrojtje nga hakmarrja në të gjithë sektorët. “Nga shëndetësia, vetëm 5 raste janë paraqitur pranë ILDKPKI-së, prej të cilave dy lidhen me konflikt interesi” nënvizoi Thomaj.
Ndërsa përfaqësuesja e Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Silvana Ramadani foli për rëndësinë strategjike të shëndetësisë në luftën kundër korrupsionit: “Sistemi shëndetësor është një nga shtyllat më sfiduese dhe më jetike, pasi shërbimet që ofrohen në këtë sektor na prekin të gjithëve. Kjo është arsyeja kryesore se pse ky sektor paraqitet më prioritar në luftën kundër korrupsionit.”
Ajo nënvizoi gjithashtu se qeveria ka vendosur koordinatorë antikorrupsion në 9 institucione qendrore në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, duke përfshirë QSUT-në dhe spitalet kryesore të vendit, si një përpjekje për të rritur përgjegjësinë publike dhe integritetin institucional.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm u ngrit nga drejtoresha e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Jeta Deda, e cila theksoi kufijtë ligjorë të rolit të institucioneve shëndetësore.
“Hetimi për korrupsion nuk është detyrë e institucioneve për shkak se ligji për kujdesin shëndetësor i ngarkon të ofrojnë shërbimin shëndetësor,” u shpreh ajo.
Megjithatë, Deda shtoi se kjo nuk do të thotë që mund t’i shmangen detyrës për të referuar në raste korrupsioni.
Transparenca që mungon dhe rekomandimet
Raporti evidenton gjithashtu mungesën e regjistrave publikë të ankesave për korrupsion në shëndetësi, duke kufizuar transparencën dhe llogaridhënien. Në këtë kontekst, Together for Life rekomandon ngritjen e një sistemi të unifikuar të menaxhimit të ankesave, i cili të shkojë përtej një regjistri formal dhe të shërbejë si mekanizëm real raportimi, monitorimi dhe ndjekjeje institucionale.
Shoqata Together for Life ka rekomanduar ndërmarrjen e një strategjie gjithëpërfshirëse ndërinstitucionale, në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe ekspertët e fushës, me qëllim promovimin e kulturës së raportimit të korrupsionit në sektorin e shëndetësisë.
Gjithashtu, evidentohet nevoja për një rishikim të koordinuar të kuadrit ligjor dhe nënligjor, me fokus në qartësimin e kompetencave institucionale, si në nivel normativ ashtu edhe në nivel zbatueshmërie, me synim shmangien e mbivendosjes së funksioneve dhe duplikimit të strukturave që kryejnë funksione të ngjashme brenda të njëjtit institucion.
Duke marrë në konsideratë edhe vakancën e raportuar në një prej institucioneve spitalore për pozicionin e Koordinatorit Kundër Korrupsionit është rekomanduar ndërmarrja e masave të nevojshme për plotësimin e menjëhershëm të kësaj dhe vakancave, në funksion të forcimit të mekanizmave institucionalë të parandalimit dhe raportimit të korrupsionit./acqj.al