Denada Jushi
Sektori privat çdo ditë e më tepër vuan nga pasojat e emigracionit. Fuqia punëtore mungon në mënyrë të theksuar, madje as prurjet nga vende si Azia dhe Afrika nuk po sjellin përmirësim.
Ndërsa një pjesë e lartë e popullsisë duket se ka gjetur “zgjidhje” te puna në shtet.
Numri i të punësuarve në administratën publike në Shqipëri ka arritur nivelin më të lartë në më shumë se dy dekada, sipas INSTAT.
Të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se në tremujorin e fundit të vitit 2025 numri i punonjësve në sektorin shtetëror arriti në 186,581 persona, ndërsa mesatarja vjetore për gjithë vitin ishte 185,386 punonjës.
Sipas statistikave zyrtare, krahasuar me vitin 2024 administrata publike është zgjeruar me rreth 3 mijë punonjës, ose rreth 1.6% më shumë, duke shënuar nivelin më të lartë që nga viti 2002.
Në vitin 2002, kur Shqipëria numëronte mbi 3 milionë banorë, sektori publik kishte rreth 186 mijë punonjës. Sot, pas më shumë se dy dekadash, administrata ka pothuajse të njëjtin numër punonjësish, ndërsa popullsia e vendit ka rënë ndjeshëm. Sipas të dhënave demografike, popullsia është tkurrur me rreth 22%, duke zbritur në rreth 2.36 milionë banorë. Kjo rënie lidhet kryesisht me emigrimin masiv dhe rënien e lindshmërisë.
Megjithatë, në vend që të reflektonte këtë ndryshim demografik, administrata publike ka vijuar të zgjerohet, veçanërisht pas vitit 2018. Ky trend është bërë edhe më i dukshëm në vitet e fundit, kur paralelisht me rritjen e numrit të punonjësve është rritur ndjeshëm edhe fondi i pagave për sektorin publik.
Sipas të dhënave buxhetore, në vitin 2014 fondet për paga dhe kontribute për punonjësit e shtetit ishin rreth 71.4 miliardë lekë, ndërsa numri i të punësuarve në sektorin publik ishte rreth 163 mijë persona. Njëmbëdhjetë vite më vonë, në vitin 2025, administrata publike numëron mbi 185 mijë punonjës, ndërsa shpenzimet për personelin janë rritur në rreth 125.7 miliardë lekë.
Kjo do të thotë se ndërsa numri i punonjësve është rritur me rreth 12.7%, shpenzimet për paga dhe kontribute janë rritur me rreth 76%, duke shtuar ndjeshëm peshën e administratës në buxhetin e shtetit.
Një nga fushatat më të mëdha të qeverisjes Rama në vitet e fundit ka qenë kalimi në epokën e digjitalizimit. Sot shumë shërbime ofrohen online, por ky fakt nuk e ka reduktuar administratën.
Të dhënat e Eurostat tregojnë se shqiptarët përdorin shërbimet e qeverisjes elektronike më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian. Rreth 78% e qytetarëve shqiptarë kanë ndërvepruar me autoritetet publike në mënyrë online gjatë 12 muajve të fundit, ndërsa mesatarja në vendet e BE-së është rreth 72%.
Megjithatë, funksionimi i shërbimeve digjitale ka shfaqur edhe probleme gjatë muajve të fundit. AKSHI është duke u përballur me probleme, por edhe me një sërë akuzash që lidhen me korrupsionin. Mungesa ose ndërprerja e këtyre shërbimeve ka krijuar vështirësi për qytetarët dhe bizneset në marrjen e dokumenteve apo në përmbushjen e procedurave administrative.
Në këtë kontekst, debati për administratën publike lidhet jo vetëm me madhësinë e saj, por edhe me mënyrën se si ajo funksionon. Raportet e Bashkimit Europian ndër vite kanë theksuar vazhdimisht nevojën për modernizimin dhe depolitizimin e administratës publike, duke e konsideruar këtë një nga elementët kyç për funksionimin e shtetit dhe për procesin e integrimit europian.
Në Shqipëri, ekspertët theksojnë se administrata publike vijon të përballet me disa sfida strukturore, mes të cilave politizimi, mungesa e stafit të specializuar dhe konkurrenca gjithnjë e më e fortë me sektorin privat për profesionistët e kualifikuar.
Një tjetër faktor që ka ndikuar në tregun e punës është emigrimi masiv. Sipas vlerësimeve të ekonomistëve dhe aktorëve politikë, largimi i një pjese të konsiderueshme të forcës aktive të punës ka reduktuar numrin e profesionistëve që mund të angazhohen në administratë, veçanërisht në qytetet jashtë Tiranës.
Nga ana tjetër, përfaqësues të qeverisë, konkretisht ministrja Adea Pirdeni, për ACQJ thekson se sektori publik ofron më shumë siguri në punë dhe të drejta të garantuara për punonjësit, veçanërisht në aspektin e kontratës së punës, kontributeve dhe mbrojtjes ligjore.
Megjithatë, ndërsa sektori publik vijon të zgjerohet, tregu i punës në sektorin privat po ndryshon me ritme të shpejta. Sipas platformave të punësimit, kërkesa për profesione të reja, sidomos në teknologji, financë apo marketing digjital, është rritur ndjeshëm në vitet e fundit.
Në një vend ku popullsia është në rënie dhe ekonomia përpiqet të përshtatet me transformimet teknologjike, fryrja e administratës publike mbetet një çështje e debatueshme. Për ekspertët, sfida nuk është vetëm sa e madhe është administrata, por sa efikase, profesionale dhe e depolitizuar arrin të jetë në shërbim të qytetarëve./acqj.al