Denada Jushi
Çdo ditë, secili prej nesh hedh diçka tutje ose sheh dikë që e bën këtë veprim në rrugë, në lum apo në det, mund të jetë një shishe plastike, një qese, apo mbetje të tjera.
Pa menduar gjatë se gjithçka hedhim tutje, na kthehet në një formë në shtëpinë tonë, tek ajri që marrim apo uji që pijmë.
Shqipëria ka ndërmarrë jo pak herë nisma për eliminimin e qeseve plastike, të cilat konsiderohen një rrezik i madh në shëndetin e secilit qytetar.
Në 2020 Blendi Klosi në parlament shpalosi nismën “qesja e fundit” e cila do të eliminonte qeset nga përdorimi.
Natyrisht që nuk u arrit dot.
I njëjti propozim kësaj here nga Ministrja Kumbaro, që u shoqërua edhe me lajmërimin se do të kishte gjoba të rënda për ata që nuk respektonin ligjin.
Ky ligj parashikonte ndalimin e prodhimit, importimit dhe tregtimit të qeseve plastike mbajtëse si dhe qeseve plastike mbajtëse të oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme, me trashësi të mureve të qeses për çdo anë jo më pak se 70 mikron, me kapacitet mbajtës jo më pak se 10 kilogramë dhe me përmasa jo më pak se 50 cm gjatësia dhe 24 cm gjerësia.
Pati një reagim asokohe edhe nga Kryeministri Edi Rama i cili thoshte se nuk do të ketë asnjë lëshim për prodhuesit të qeseve plastike.
Masat ndëshkuese si zakonisht në Shqipëri viheshin më të lartat, në këtë rast shkonin deri në ekstrem.
Masa e gjobës shkonte nga 500 mijë lekë të reja, pra 5 milionë lekë të vjetra, deri në 1 milion e 500 mijë, ose 15 milionë lekë të vjetra. Por u parashikua edhe masa më të rënda se kaq për shkelësit. Në radhë të parë sekuestrimi i të gjithë mallit që do të gjendet sepse konsiderohet i paligjshëm. Nëse kjo përsëritet, do të hiqet licenca e aktivitetit për shkelësit e ligjit.
Me gjithë bujën e këtij ligji, asgjë nuk ndryshoi.
Sipas shifrave, në vend janë më shumë se 25 biznese që ushtrojnë aktivitetin e prodhimit të qeseve dhe numri total që prodhojnë i kalon 5 milionë copë në ditë.
Sipas Ornela Çuçit, eksperte e mjedisit, shteti nuk mund të funksionojë me inspektoriate, aksione dhe kontrolle; këto kanë treguar në Shqipëri që nuk japin rezultat.
Mënyra e duhur është ndërgjegjësimi.
BE prezantoi disa ditë më parë fushatën “Redukto, Ripërdor, Riciklo në një Shqipëri më të gjelbër”.
Kjo fushatë lidhet me kapitullin 27 “Mjedisi dhe ndryshimet klimatike” që Shqipëria ka për rrugën e negociatave.
Ambasadori Gonzato tha se
“Është e rëndësishme që shoqëria dhe qytetarët shqiptarë të kuptojnë kalimin nga një ekonomi lineare tek ajo qarkulluese, e gjelbërta.
Efektet e ndryshimeve klimatike janë të dukshme.”
Ai e konsideroi këtë një nga çështjet më të vështira e komplekse, por edhe të kushtueshme.
Progres raporti i BE-së për vitin 2025 nxjerr në pah problematikat e shumta që Shqipëria ende vijon të ketë në këtë aspekt.
Raporti thekson që Shqipëria ka “kapacitet të dobët për planifikim strategjik, investime mjedisore dhe koordinim institucional”. Ky raport vlerëson që cilësia e Vlerësimeve të Ndikimit Mjedisor (EIA) është e ulët, dhe që rekomandimet rrallë zbatohen ose monitorohen.
Gjetjet e raportit do të tregojnë për një përmirësim vetëm kur të kuptojmë se mjedisi është mirëqenia jonë.
Ndotja përcakton ajrin që thithim, ujin që pimë, shëndetin tonë dhe koston e jetesës. Vetëm kur të riciklojmë, kur zgjedhim produkte ekologjike dhe kur ulim mbetjet, po bëjmë diçka konkrete në përmirësimin e shëndetit tonë./acqj.al