Denada Jushi
Ka disa poste ku jetëgjatësia në detyrë është thuajse e pamundur. Njëra nga këto “karrige të mallkuara” duket se është ajo e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Nga sot, Ilir Proda nuk do të jetë më drejtuesi i uniformave blu, duke u bërë “kurban” i radhës në shkarkimet e Kryeministrit.
Me marrjen e pushtetit në vitin 2013, në drejtimin e Policisë u vendos Artan Didi, një emër i njohur në radhët e saj, i rikthyer nga Amerika, pasi kishte emigruar në SHBA pas lirimit nga detyra gjatë qeverisjes së Berishës.
Ai qëndroi në krye të Policisë për dy vjet. Detyrën e mori në vitin 2013 dhe e mbajti deri më 31 mars 2015. Ai zëvendësoi në këtë post Hysni Burgajn, i cili qëndronte prej vitit 2009 në krye të Policisë me një mandat të plotë.
Artan Didi u dorëhoq pas skandalit të asaj kohe që lidhej me një deputet të mazhorancës dhe lidhjet me dosje në Belgjikë.
Menjëherë pas tij u emërua Haki Çako, i cili e drejtoi Policinë nga 15 prilli 2015 deri më 8 janar 2018. Edhe ky drejtues u lirua nga detyra, sipas Ministrit të Brendshëm të asaj kohe, për shkak se nuk përmbushi objektivat dhe nuk arriti efikasitetin e kërkuar në rendin dhe sigurinë në vend.
Por, në fakt, shkarkimi i tij erdhi mes skandalit që kishte kapluar vendin. Furtuna e akuzave u ngrit mbi Çakon pas skandalit të përgjimeve të trafikantëve Habilaj, ku ishte i përfshirë edhe ish-ministri Tahiri.
Më 5 shkurt 2018 u emërua një tjetër emër në krye të Policisë: Ardi Veliu, i cili qëndroi në detyrë deri më 8 tetor 2021.
Gjatë drejtimit të tij, në tri vite, disa ngjarje të rënda ndodhën në Shqipëri. Shkarkimi i Veliut, që më pas u “përkthye” si dorëheqje, ishte kërkuar disa herë. Një prej rasteve më të bujshme ishte vrasja e Klodian Rashës më 8 dhjetor 2020. 25-vjeçari u qëllua për vdekje nga një efektiv policie në një .
Këto dhe ngjarje të tjera sollën reagime të shumta, ku u kërkua largimi i Drejtorit të Policisë. Kryeministri Edi Rama nuk e shkarkoi gjatë valës së protestave që kapluan vendin, por u vendosi 100 ditë afat drejtuesve të Policisë së Shtetit për të gjetur dhe për të çuar para drejtësisë të gjithë të infiltruarit brenda uniformave blu që bashkëpunonin me krimin.
Dhjetë ditë para përfundimit të afatit, Kryeministri Rama publikoi dorëheqjen e Ardi Veliut. Edhe pse si motivacion u dha fakti se dëshironte të merrte kohë për familjen, më pas ai u emërua në poste të tjera.
Pasuesi i tij, Gledis Nano, u emërua më 8 tetor 2021 dhe qëndroi deri më 31 gusht 2022. I ardhur nga drejtimi i Antiterrorit, me një figurë të pastër dhe me misionin për të pastruar imazhin e krijuar nga skandalet e mëparshme, Nano u bë një nga drejtorët që nuk e mbajti postin as një vit të plotë.
Nano u shkarkua pas dy episodeve të ndodhura në vend: një aksident ku një efektiv policie, teksa drejtonte një mjet lundrues, goditi për vdekje një fëmijë në bregdetin e Himarës, si dhe zhdukja e Ervis Martinajt në gusht, një ngjarje e bujshme ende e pazbardhur. Këto bënë që Kryeministri të shkarkonte Gledis Nanon.
Pasuesi i tij, një javë më vonë, ishte Muhamet Rrumbullaku, i emëruar më 8 shtator 2022 dhe qëndroi deri më 5 shtator 2024, duke forcuar precedentin se drejtorët e përgjithshëm të Policisë nuk do të qëndronin gjatë në këtë detyrë.
Megjithatë, në këtë periudhë, më shumë sesa aftësitë e drejtuesve apo mungesa e rezultateve, emrat e emërimeve dhe shkarkimeve u lidhën me ndërrimet e befta të Ministrave të Brendshëm.
Si i besuar i ish-ministrit Taulant Balla, u emërua Ilir Proda më 2 tetor 2024 dhe qëndroi deri më 1 mars 2026. Pas protestës së opozitës dhe episodit të hedhjes së molotovëve drejt vilës së diktatorit Hoxha, fillimisht u lajmërua si shkarkim, e më pas, sipas precedentëve të mëparshëm, u paraqit si dorëheqje e Prodës.
Por, më shumë sesa mosmenaxhimi i protestave të opozitës, të cilat janë përballur me dorë të hekurt nga policia, Ilir Proda duket si një “kurban” i një praktike që ka nisur prej vitesh: sa herë ka skandale, duhet një “kokë turku”.
Kësaj here ishte radha e Ilir Prodës.
Në pritje të drejtuesit të ri dhe të kohëzgjatjes së tij në këtë post!/acqj.al