Ida Ismalaj
Prej tre ditësh, 10 naftëtarë dhe sindikalistë të sektorit të hidrokarbureve ndodhen në grevë urie pa afat në Marinzë të Fierit, duke kërkuar trajtim dinjitoz dhe barazi në sistemin e pagave. Ky reagim ekstrem i naftëtarëve erdhi pas katër protestave të zhvilluara përgjatë këtyre muajve nga punonjësit e “Bankers Petroleum”, por pa asnjë zgjidhje konkrete nga drejtuesit e kompanisë.
Kreu i sindikatës Dritan Shahu shprehet se greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave. “Të rritet 18% fondi i përgjithshëm i pagave. Janë 150 punonjës, ku kërkojmë dinjitet dhe përmirësim të kushteve të punës,” shprehet ai.
Inxhinieri Malvin Goxhaj tregon se paga mesatare e punonjësve është vetëm 60 mijë lekë dhe kërkesa e tyre është që të shkojë në 100 mijë lekë.
“Ka 10 vite që pagat nuk janë rritur. Deri tani janë tallur me ne,” shtoi tekniku i naftës Stjuart Isufi.
Gjendja shëndetësore e naftëtarëve që prej ditësh ndodhen në grevë urie është përkeqësuar. Sipas kreut të Sindikatës së Sektorit të Hidrokarbureve, Dritan Shahu, disa prej grevistëve po përjetojnë tension të lartë, lodhje të theksuar, dhimbje koke dhe marramendje.
Kujtojmë se protesta e naftëtarëve zhvillohet në një kohë kur “Bankers Petroleum Albania” po hetohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për mashtrim fiskal, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash.
Në korrik të 2025, Prokuroria e Fierit e cila kishte nisur fillimisht hetimet, ia kaloi dosjen SPAK-ut pasi dërgoi në gjykatë 14 masa sigurie, mes tyre edhe për D rejtorin e Ekzekutiv aktual të kompanisë, shtetasin kinez Hongping Xiao dhe ish-drejtorin Leonidha Çobo, të dy të arrestuar.
Sipas organit të akuzës është dokumentuar se drejtues të kompanisë kanë ngritur skema mashtruese me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), kanë deklaruar shpenzime fiktive dhe kanë fshehur të ardhurat reale nga prodhimi i naftës në zonën Patos-Marinëz-Fier. Dyshohet se kompania i ka shkaktuar shtetit shqiptar një dëm ekonomik prej 11.7 miliardë lekësh.
Në lidhje me hetimet ndaj “Bankers Petroleum” reagoi Kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar një hap të rëndësishëm drejt drejtësisë. “Shyqyr që ka ardhur dita që Prokuroria investigon në mënyrë të pavarur. I heq kapelën hetuesve për punën e bërë dhe uroj t’i nxjerrin ujin e zi asaj ndërmarrjeje, ku realisht ka pasur shumë problematika,” u shpreh ai.
Rama shtoi se koncesioni i Bankers është i trashëguar nga qeveritë e mëparshme: “Është akoma sot e gjithë ditën, kostoja e një koncesioni të dhënë para se unë të merrja detyrën. Koncesionet e trashëguara janë vrima të zeza.”
Megjithatë, në vitin 2015, vetë kryeministri Rama ka marrë pjesë në aktivitete publike me përfaqësues të kompanisë “Bankers Petroleum”, në samitin “Albania Oil, Gas e Energy 2015”. ku shprehej: “Drejtimi ynë është ai i politikave energjetike të Bashkimit Evropian, për të përdorur me kapacitet të plotë potencialin e vet natyror dhe gjeografik.”
“Bankers Petroleum Albania” është themeluar në vitin 2004 dhe ka marrë me koncesion fushën e naftës Patos-Marinëz, me detyrimin për të ndarë 50% të fitimit me shtetin shqiptar pasi të shlyente investimet. Në vitin 2016, aksionet e saj u shitën tek një grup i ri investitorësh.
Kjo nuk është hera e parë që autoritetet shqiptare e hetojnë “Bankers Petroleum”. Në vitin 2012, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore e akuzoi “Bankers” për shmangie të pagesave ndaj shtetit, përmes nënkontraktimeve të shtrenjta. Në vitin 2024, shteti shqiptar fitoi padinë në arbitrazh kundër kompanisë, e cila duhet të paguajë dëmin prej 240 milionë eurosh.
Në një kohë kur kompania është nën hetim për mashtrim fiskal dhe shpërdorim detyre dhe punonjësit e saj ndodhen në grevë urie për paga dinjitoze, kriza në “Bankers Petroleum” duket se ka kaluar tashmë nga një konflikt sindikal, në një çështje që prek drejtësinë, ekonominë dhe dinjitetin e punëtorëve shqiptarë.