Denada Jushi
“Jam përdoruese e monopatinave prej pesë vitesh, sepse ishte zgjidhja e vetme për të përballuar distancat brenda Tiranës.”
“Jetoj në Fresk dhe më duhet të shkoj në zona të ndryshme për punë. Me urban më merr deri në tre orë, nëse gjej vend,” – thonë protestuesit.
Katër muaj pas ndalimit të qarkullimit të monopatinave elektrike, një grup qytetarësh, aktivistësh, përdoruesish, por edhe përfaqësuesish biznesesh u mblodhën përpara Ministrisë së Brendshme, duke kërkuar rikthimin e mjeteve të sekuestruara, anulimin e vendimit dhe dëmshpërblimin për humbjet ekonomike.
Protestuesit e konsiderojnë vendimin të padrejtë, duke kujtuar se premtimi fillestar ishte për një bllokim njëmujor, i cili tashmë ka tejkaluar 120 ditë.
Mes zërave kryesorë ishte ai i Rigers Xhemollarit nga Qëndresa Qytetare, i cili akuzoi publikisht ministren Albana Koçiu për mashtrim dhe mungesë transparence.
“Jemi sot këtu për të dëshmuar se ministrja na gënjeu,” deklaroi ai, duke iu referuar afatit njëmujor që, sipas tij, u premtua në fillim të vendimit. “Kaluan 120 ditë dhe vijon bllokimi.”
Xhemollari ngriti disa akuza konkrete. Së pari, ai tha se ministria kishte premtuar hartimin e rregullave të qarta për përdorimin e monopatinave, por sipas tij kjo nuk ka ndodhur.
“Na thatë se do të nxirrnit rregulla për lëvizjen e tyre. Jo vetëm që nuk i nxorët, por u shprehët krenarë për sekuestrimet,” u shpreh ai.
Një tjetër pikë e debatit lidhet me çështjen e faturës së blerjes. Qytetarëve u është kërkuar të paraqesin faturën për të shmangur sekuestrimin e mjetit. “Ligji thotë se fatura duhet të mbahet ditën e blerjes, jo përjetësisht.”
Protestuesit kundërshtuan gjithashtu argumentin se monopatinat janë ndaluar për shkak të aksidenteve. Në pesë vite, makinat kanë shkaktuar mijëra aksidente, mijëra të plagosur dhe qindra viktima, por makinat nuk janë hequr nga qarkullimi, duke shtuar se problemi qëndron te zbatimi i ligjit dhe jo te vetë mjeti.
Një tjetër argument i ngritur nga aktivistët lidhet me infrastrukturën. Ata kujtuan se në kryeqytet janë ndërtuar 52 kilometra korsi biçikletash, investim për të cilin autoritetet janë promovuar edhe ndërkombëtarisht. “Nuk mund të thuhet sot se mungon infrastruktura,” u shpreh ai.
Në protestë folën edhe qytetarë të prekur drejtpërdrejt nga vendimi. Një biznesmen tha se ndalimi ka ndikuar ndjeshëm në aktivitetin e tij ditor. Ata e cilësojnë sekuestrimin si të paligjshëm dhe të padrejtë.
Protestuesit sollën në vëmendje edhe histori konkrete qytetarësh: një picier që jeton në Yzberisht dhe punon në Ali Dem; një financier nga Fresku që udhëton drejt Laprakës; një studente nga Shkoza që punon në Astir dhe studion në Politeknik. Sipas tyre, për këta qytetarë monopatina nuk është luks apo sport, por mjet jetese.
Në fund të fjalës së tij, Qëndresa Qytetare i bëri thirrje ministres Koçiu të anulojë vendimin, të hartojë rregullat përkatëse dhe të kthejë mjetet e sekuestruara.
“Anulo urdhrin, ktheji pronat qytetarëve dhe dëmshpërbleji ata që kanë pësuar humbje,” deklaroi ai, duke paralajmëruar se çështja mund t’i drejtohet gjykatës dhe prokurorisë.
Nga ana tjetër, ministrja Albana Koçiu ka deklaruar disa ditë më parë se nuk do të tërhiqet nga vendimi për ndalimin e monopatinave dhe se po punohet për përmirësimin e kuadrit ligjor përpara se ato të rikthehen në qarkullim.
Palët mbeten në qëndrime të kundërta, ndërsa qytetarët që përdornin monopatina vijojnë të presin një zgjidhje, qoftë përmes rregullimit të qartë të përdorimit, qoftë përmes rikthimit të mjeteve të tyre./acqj.al