Ida Ismalaj
Dy protesta u zhvilluan në dyert e Kuvendit të Shqipërisë, teksa brenda sallës zhvillohej seanca plenare. Punonjësit e minierës së bakrit në Spaç dhe pensionistë nga disa qytete të vendit u bashkuan në dy protesta të ndara, por me një të përbashkët: Paga dhe pensione dinjitoze.
Pas disa ditësh grevash dhe pezullimi të punës në minierë, punëtorët e Spaçit vijojnë protestat deri në plotësimin e kërkesave, si nënshkrimin e kontratës kolektive, rritjen e pagave dhe kushte të sigurta pune.
“Kërkojmë që deputetët të sensibilizohen me kërkesat tona të drejta, pa dallim politik. Jemi të vendosur për një kontratë kolektive dinjitoze, për të punuar në mënyrë të ndershme dhe të sigurt. Nuk jemi skllevër të askujt,” tha një prej minatorëve.
Një tjetër minator u shpreh se punëtorët shqiptarë po trajtohen si skllevër, ndërsa kompanitë koncesionare punësojnë të huaj me paga shumë më të larta. “Po punësojnë të huaj dhe punonjësit shqiptarë po i trajtojnë si skllevër. Kërkojmë që të respektohet ligji minerar, të bëhen kontrolle dhe të ketë transparencë për kontratat koncesionare.”
“Kemi 9 vite punë aty dhe na larguan. Na trajtuan si skllevër,” shprehet një tjetër.
Protesta e minatorëve u mbështet nga disa deputetë të majtë dhe të djathtë.
Deputetja Jorida Tabaku tha: “Do t’i kërkoj ministres së Ekonomisë të presë një përfaqësi dhe do kërkoj dhe njëherë ligjin për “Statusin e minatorit”, për të mbështetur këtë grup, që është më i përsekutuar dhe më pak i vlerësuar.”
Nga ana tjetër, deputeti socialist Erion Braçe i kujtoi kompanisë koncesionare përgjegjësinë ndaj punëtorëve.
“Sa kohë kjo kompani po shfrytëzon punën tuaj, po bën biznes, natyrisht duhet që të rishpërndajë nga të ardhurat. Pagat duhet të indeksohen me inflacionin dhe të përfshihen në një kontratë kolektive. Është e turpshme që punëtorët turq paguhen shumë herë më shumë se shqiptarët për të njëjtin proces pune,” tha ai.
Ndërsa deputeti i PD Agron Gjekmarkaj e cilësoi situatën në minierë si “dramë” që po konsumohet në malet e Mirditës: “Minatorët po trajtohen si armiq në vendin e tyre. Një biznes turk, që erdhi për të investuar, po sillet si dikur otomanët. Qeveria duhet të kujdeset dhe të mbrojë interesat e punëtorëve.”
Pensionistët: “Rritët pagat për vete, bukën e popullit e përgjysmuat”
Në të njëjtën kohë, përpara Kuvendit u zhvillua edhe një protestë e pensionistëve dhe qytetarëve kundër rritjes së çmimeve dhe varfërisë. Me brohoritje: “Rritet çmimi i bukës, rritet varfëria, pagat për vete ju i dyfishuat”, protestuesit kërkuan pensione të mjaftueshme për të jetuar dhe uljen e kostove të jetesës.
Një pensionist tha: “Për çdo vizitë shëndetësore na marrin lekë, pensionet nuk na dalin as për ilaçe. I dhamë votën, por sot fëmijët po na ikin jashtë. Nëse qeveria s’e bën dot punën, të largohet dhe t’ia lërë dikujt tjetër.”
Ish-minatori Qani Shino, në mbështetje të kolegëve të Spaçit shtoi:
“Minatorët e Spaçit janë heronj. Punojnë për oligarkët dhe shfrytëzohen nga politika dhe firmat e huaja. Ne kërkojmë statusin e minatorit dhe pensione të dinjitoze. Ilaçet që marrim janë të skaduara, kjo është ministria vrastare e shëndetësisë që kemi.”
Deputeti Redi Muçi akuzoi qeverinë për mashtrim elektoral:
“Në fushatë, kjo qeveri premtoi pension mesatar 400 euro, sot është vetëm 15 mijë lekë. Indeksimi prej 2.5% është qesharak. Asgjë nuk vjen pa protesta. Vetëm duke protestuar mund të fitoni më shumë.”
Ndërsa Arlind Qori theksoi kontrastin mes rritjes së pagave të deputetëve dhe pensioneve minimale:
“Ky parlament rriti pagat e veta 100%, ndërsa pensionet vetëm 1.5%. Kjo është tradhti ndaj popullit, ndaj pensionistëve dhe punëtorëve. Tradhëtarët nuk e kanë vendin në parlament, por në burg.”
Zërat e minatorëve, pensionistëve dhe qytetarëve u bashkuan përballë Kuvendit në një mesazh të përbashkët: Dinjitet dhe drejtësi sociale. Minatorët paralajmëruan se do të vijojnë grevën nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, ndërsa pensionistët kërkuan rritje reale të pensioneve dhe miratimin e minimumit jetik. /acqj.al
 
			 
						 
				 
				 
				 
				 
				 
							 
													 
										 
										 
										 
										