Denada Jushi
Jonida K. është mësuese në profesion, e për të shmangur trafikun dhe shpenzimet udhëton çdo mëngjes prej 6 vitesh nga Rruga e Kavajës tek Ali Demi me biçikletë, por ky rrugëtim nuk është gjithnjë i lehtë.
Itinerari që ajo ndjek është nga parku i ish autobusëve deri tek Shkolla e Baletit. Por jo në çdo aks ka korsi dhe “pengesat” nukmungojnë.
“Nga 21 dhjetori deri në rrugën “Myslym Shyri”, ka pasur rrugëpër biçikletat në trotuar, por ka më shumë se një 1 muaj qe e kanë gërryer, prishur dhe është bërë e pakalueshme.” thotë ajo.
Bashkia e Tiranës ka qenë prej vitesh promotori i përdorimit të biçikletave.
Duke investuar jo pak nga buxheti në krijimin e korsive të biçikletave, por qyteti ende nuk ka arritur të ndërtojë një sistem funksional që i shërben vërtet çiklistëve.
ACQJ për herë të përsëritur ka bërë një vëzhgim në terren, ku evidentohen segmentetë ndërprera, korsia të bllokuara nga makina, mungesë sinjalistike dhe rrugë që nuk lidhen me njëra-tjetrën.
Ama në çdo rrugë të kryeqytetit ka banderola “Me Biçikletë do kishe arritur” por e verteta është se përdorimi i biçikletave është një sfide me shumë “peripeci”.
Për Gëzim Hoxhën, ekspert i sigurisë rrugore ndërtimi i korsive të buçikletave është gjë e mirë për qytetin, por duhet bërë konform rregullave.
“Ndërtimi i korsive të biçkletave ka ndikuar pozitivisht për edukimin e biciklistëve, por edhe është keqpërdorur. Së pari nga drejtuesit e automjeteve që e përdorin në shkelje atë pjesë të aksit, tek motoçiklistët që abuzojnë me mënyrën e përdorimit. Policia vepron me dy standarte duke mos marrë masa ndaj tyre” shprehet ai.
Sa na kanë kushtuar ndërtimi dhe “shkatërrimi” i këtyre korsive?
Pas kërkimeve në dokumentat publike të bërë nga Bashkia e Tiranës, nuk arrin të përllogarisësh shifra të qarta se sa janë shpenzuar për të ndertuar apo rindërhyrë në këto korsi.
Çfarë tregon buxheti dhe raportet e fundit? Në projektin afatmesëm, është parashikuar që të ketë investime për korridore “të gjelbërta” e “blu” me korsi biçikletash (korridore natyrore) si pjesë e zhvillimit urbanistik.
Në raportin vjetor 2023, është përllogaritur ndërtim pedonale, pistë vrapimi dhe korsi biçiklete në liqenin e Farkës me vlerat e planifikuara 421,988,599 Lekë, dhe janë realizuar 391,083,499 Lekë, përafërsisht 93% e planit.
Ndërsa për 2024, sipas projektbuxheti të Bashkisë, shpenzimet kapitale janë 14,074,448,563 Lekë, ku deklarohet se prej këtyre, 27% e zë transporti (rrugë, sinjalistikë, përmirësim infrastrukturor), por nuk thuhet se sa nga 27% e kanë zënë korsitë për biçikleta.
Iu drejtuam Bashkisë së Tiranës për të ditur konkretisht sa është vlera reale që ka marrë ndërtimi dhe ndërhyrjet në akse për të krijuar këtë rrjet të korsive, apo se cilat janë rrugët që ende nuk kanë korsi biçikletash.
Por Bashkia thotë se nuk ka një përllogaritje të kostove, por se qellimi ka qenë më tepër ndikimi në mjedis dhe trafik.
“Në lidhje me raportimin, analizën dhe vlerësimin e projekteve për korsitë e bicikletave, asnjëra prej këtyre strategjive nuk ka një analizë kosto-përfitim për implementimin e infrastrukturës për bicikleta. Këto strategji identifikojnë prioritetet strategjike, hartën e rrjetit të korsive të bicikletave, si dhe indikatorë për matjen e suksesit.” shprehet Bashkia pa dhënë informacion të mëtejshëm.
Një vështirësi domethënëse e AKP-së është nevoja për të siguruar vlerë monetare për ndikimet që nuk kanë çmim tregu, sidomos ato efekte mbi mjedisin dhe barazinë. Në përgjithësi, këto vlera monetare ekzistojnë për kursimin e kohës së udhëtimit, për aksidentet dhe vetëm një numër të kufizuar efektesh mjedisore, si shkarkimet e gazrave, zhurma dhe cilësia e ajrit.
Nga vëzhgimi ne terren verejtëm se në këto akse ka një korsi të dedikuar për biçikleta duke nisur nga Rruga e Kavajës, Rruga Muhamet Gjollesha, Bulevardi Zhan D’Ark, një pjesë e Unazës së Madhe, Bulevardi Gjergj Fishta, Sheshi Willson, Stadiumi Dinamo, Kryqëzimi i Komunës së Parisit, Rruga e Dibrës, Rruga e Barrikadave, Myslym Shyri, Rruga e Durrësit, Pazar i Ri, Kinostudio, Kombinat, Rruga e Elbasanit, etj.
Ndërsa pjesë ku mungojnë janë Unaza nga Qëndra Tregtare “Ring” deri tek Tregu i Medresesë. Nga shkolla “1 Maji” e në vijim të rrugës Ali Demi, etj.
Nga bisedat me banorë të kryeqytetit, ka një ndarje midis atyre që mbështesin pozitivisht korsitë e biçikletave por ka edhe nga ata që i konsiderojnë kaotike dhe që kanë shtuar trafikun, shembulli konkret është Rruga Ismail Qemali që është kthyer në një sens kalimi dhe pjesa kryesore e gjerësisë së saj është kthyer në korsi biçiklete, por edhe raste si Rruga e Durrësit, aks në të cilin korsitë nuk respektohen dhe ka shtuar trafikun në mënyrë të konsiderueshme.
Në rrugën Myslym Shyri bizneset ankohen për shtimin e korsive të biçikletave, që sipas tyre prekin negativisht ndalesat në këto biznese.
Klodian Tomorri ka qenë një nga zërat më të ashpër për kalimin e rrugës së Durrësit me një sens, duke ngritur një sërë pikëpyetjesh.
“Këta shpikësit e Bashkisë së Tiranës ku e kanë kopjuar këtë sistemin e Rrugës së Durrësit, që arteria kryesore e kryeqytetit ka 8 metra korsi biçikletash dhe 2 metra korsi makinash? Ku? Në çfarë vendi? Apo e kanë shpikur këta? Meqë e kanë gati justifikimin dhe thonë duam të inkurajojmë biçikletat dhe shëndetin e popullsisë, të na tregojnë pak se mbi çfarë studimi e kanë bazuar vendimarrjen. Cilat janë objektivat e kësaj politike?”
Kjo dukuri edhe sipas ekspertit Hoxha ndodh sepse nuk ka një plan të mirëfilltë kur ndërhyhet në këto akse.
“Përpara se të ndërhyhet në rrugë duhet bërë studim, mbi sasinë e automjeteve, motoçikletave dhe biçikletave që qarkullojnë. Kjo matje të trafikut bëhen me mjete elektronike dhe më pas llogaritjet bëhën përmes programeve kompjuterike. Vetëm duke përfunduar të gjitha rrugët lidhëse për biçikletat do mund të kemi një mirëfunksionim”.
Jonida K. ankohet për mungesë sigurie në korsitë e biçikletaveve. Problem janë motorrat që kalojnë, makinat që e bllokojnë shpesh herë korsinë.
“Por më shumë se çdo gjë rrezikojmë nga perplasja me një kalimtar pasi janë vërtetë shumë të pa kujdesshëm,” shprehet ajo.
Në një qytet, i cili aspiron të kthehet në një “Amsterdam” dhe inkurajohet levizja e biçikletave, duhet më parë të kemi investime të qarta, rrjetëzim të vlefshëm dhe përllogaritje investimesh, në të kundërt me biçikletë jo vetëm që nuk arrin me shpejtë, por rrezikon të mos arrish…gjekundi sepse nuk ke korsi./acqj.al