“Maskat që zbulojnë”  reflektim në Spaç për të vërtetat e heshtura

Në një të shtunë me shi, mes mureve të ftohta të Spaçit, maskat e allçisë flasin. Ato nuk fshehin, por zbulojnë fytyra pa ngjyrë të ish-rojeve e të ish-të burgosurve që përballen në heshtje, duke na kujtuar se e kaluara nuk ka vdekur kurrë. “Maskat që zbulojnë” nuk është ekspozitë, por rrëfim i drejtëpërdrejtë mbi frikën, pendesën dhe mungesën e faljes në një vend ku kujtesa ende kërkon zë.

Denada Jushi

“Në një regjim tiranik, njerëzit kanë dy mundësi: të mbajnë maskë, ose të bëhen heronj.”

Në një të shtunë tetori me shi, në Spaç u mbajt aktiviteti “Maskat që zbulojnë”, me autor Arnen Sula, kurator Edison Çeraj, dhe me ndërtimin e maskave nga Trevis Çela dhe Arnen Sula.

Në këtë ekspozitë, çdo maskë mbart një histori, një fytyrë dhe një rrëfim. Janë 35 maska të ish-administratës së burgut të Spaçit dhe gjashtë maska të ish-të burgosurve politikë, të shoqëruara me dëshmitë e tyre autentike audio. Secila prej tyre është një kujtesë që flet, jo për t’u harruar, por për t’u dëgjuar.

Arnen Sula, shpjegon se maskat janë krijuar pa asnjë stilizim estetik. “Qëllimi nuk është bukuria, por e vërteta,” thotë ai. “Këto maska zbulojnë më shumë sesa fshehin.”

Përmes tyre, vizitori vihet përballë pyetjeve të vështira mbi frikën, pendesën, turpin dhe krenarinë, dy anët e një historie që ende kërkon drejtësi.

Në njërën anë, janë ata që refuzuan maskat dhe me fytyrën e tyre të vërtetë sakrifikuan gjithçka, sepse fytyra është përfaqësimi më i ndershëm i njeriut, është ajo që jemi.

Në anën tjetër, janë ata që shërbyen, dhunuan, vranë e masakruan në emër të një regjimi. Ata që zgjodhën maskat, sepse fytyra e tyre nuk vlente të shihej.

“Këto maska në allçi, të marra drejtpërdrejt nga fytyrat e ish-personelit të burgut të Spaçit, nuk fshehin por zbulojnë. Janë fytyra pa ngjyrë, pa shprehje, pa makijazh. Fytyra që na vështrojnë për të na detyruar të reflektojmë mbi të tashmen.” shprehet Arnen Sula.

Ky aktivitet u vendos të mbaj pikerisht në Spaç. Perse? Përgjigjja ndoshta gjendet tek fjalët e Nelson Mandelës:

“Nuk ka asgjë si kthimi në një vend që ka mbetur po i njëjti, për të zbuluar se sa shumë ke ndryshuar vetë.”

Burgu i Spaçit, i themeluar në vitin 1968 nga regjimi komunist, ishte një kamp famëkeq pune, i ndërtuar në një zonë të thellë malore në veri të vendit. Ai shërbeu për të izoluar kundërshtarët politikë, ndër ta shumë nga intelektualët më të shquar të shekullit XX.

Në Spaç, jeta kishte rregulla çnjerëzore, i dënuari lejohej të kishte vetëm dy palë rroba, një pagure alumini ose plastmasi, një furçë dhëmbësh, një fletore, një tas, një lugë alumini, një dyshek dhe disa batanije. Mjaftueshëm për të mbijetuar sipas regjimit gjakatar.

Në maj të vitit 1973, Burgu i Spaçit u bë vendi i revoltës së parë të burgosurve politikë në Evropën komuniste, një akt guximi që shënoi njërën nga faqet më të rëndësishme të rezistencës shqiptare ndaj shtypjes. Megjithatë, burgu vazhdoi të funksiononte si kamp pune deri në fillimin e viteve ’90, kur regjimi komunist ra përfundimisht.

Rikthimi sot në Spaç është një udhëtim në dhimbje, por edhe në njohje. Çdo vizitë sjell një rrëfim të ri, një zë tjetër që i bashkohet korit të kujtesës.

Është e njëjta dhimbje, i njëjti vend, i njëjti regjim, por çdo herë dëshmitë e reja bëjnë më të prekshme atë që ndoshta ende nuk është përballuar plotësisht.

Teksa sheh vizitorët që kanë sfiduar shiun, e afrohesh përballë maskave në mend të vijnë fjalët e Oscar Wilde i cili thoshte:

“Njeriu është më pak vetvetja kur flet drejtpërdrejt. Jepi një maskë dhe ai do të të thotë të vërtetën.”

Por ndryshe nga kjo metaforë, askush nga ata që përfaqësonin regjimin nuk e hoqi kurrë maskën. As për të kërkuar falje, as për të reflektuar mbi atë që ndodhi. Falja nuk erdhi kurrë.

Në Spaç, maskat e ekspozuara nuk janë objekte arti, por dëshmi që të shikojnë drejt e në sy, për të kujtuar se heshtja dhe harresa janë forma të reja dhune.

“Maskat që zbulojnë” nuk është vetëm një ekspozitë, por një ftesë për përballje me të shkuarën; një kujtesë e domosdoshme për të kuptuar të tashmen.

Sepse çdo heshtje që fsheh të keqen, vetëm e mbjell më thellë.

Spaçi nuk është më kamp pune, por është ende një vend që të detyron të mendosh, të reflektosh mbi lirinë, njeriun dhe përgjegjësinë.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit “SHPIRTËRIM”, i implementuar nga organizata Tek Bunkeri, e cila ka në fokus trashëgiminë e regjimit komunist dhe efektin afatgjatë të krimeve të sistemit. Ky event solli artin si mjet për reflektim dhe kujtesë kolektive.

Në fund, mes allçisë dhe heshtjes, fytyrat pa ngjyrë të Spaçit flasin më shumë se çdo fjalë. Ato do të qëndrojnë aty si dëshmi që nuk duhet harruar.