Ida Ismalaj
Aksioni kombëtar për lirimin e hapësirave publike, i nisur në korrik të vitit 2025 është shndërruar në një prej ndërhyrjeve më agresive urbane të dekadës. Ky aksion, i udhëhequr personalisht nga kryeministri Edi Rama, ndryshoi përditshmërinë në qytetet më të mëdha si Tiranë, Durrës, Vlorë e Shkodër etj.
Në portalin e vendosur në dispozicion nga qeveria, deri në nëntor 2025 u raportuan rreth 16 mijë denoncime, ku një numër i lartë i tyre ishte për zaptimin e hapësirave publike. Por, pas fasadës së aksionit, shohim një panoramë të pabarazive, tensioneve dhe praktikave abuzive që po shoqërojnë ndërhyrjen.
Në kryeqytet, shumë biznese hoqën vetë tendat dhe rrethimet për të shmangur gjobat dhe sekuestrimet. Disa e pranuan hapur se vepruan nga frika e penalizimeve. “Në vitin 2012 paguam 10 mijë euro për lejen e bashkisë, për rrethimin e lokalit. Tani nxjerrin një VKM dhe na del e pavlefshme. Po na faliemtojnë”-thotë një pronare e një lokali në zonën e “Brrylit”.
Mbyllja e shumë lokaleve në Tiranë dhe jo vetëm ka shtuar numrin e punëtorëve të papunë. Aksioni nxori në pah edhe raste korruptive brenda vetë strukturave të kontrollit. Një pronar lokali në Kombinat denoncoi katër inspektorë të IMT-së që i kërkuan 1 mijë euro për të mos i prishur tendën pa leje. Ky rast ndezi debatin se në terren, krahas zbatimit të ligjit, ekziston edhe një “treg i fshehtë” ryshfeti që ka funksionuar për vite.
Aksionet në zonat e mbrojtura: Thethi dhe Valbona në qendër të konfliktit
Në Theth dhe Valbonë, ndërhyrjet morën formën më të ashpër dhe më të diskutueshme. Prishjet e objekteve që banorët i konsiderojnë burim jetese u kryen nën praninë masive të forcave të policisë.
Ndërhyrjet në Alpe u kritikuan ashpër nga aktivistët, të cilët argumentuan se qeveria po synonte “shembjet më të dukshme për kamerat”, duke lënë të paprekura ndërtime të mëdha në bregdet. Sipas ekspertit të pushtetit vendor, Agron Haxhimali ndërhyrja ka ardhur pa strategji dhe në momentin më të gabuar. “Në 40 gradë, me fadroma në kulmin e sezonit turistik. Kanë kaluar 6 muaj, mbetjet vazhdojnë të bllokojnë hapësirat e lira. Është problem mjedisor, shëndetësor dhe social.”
Ai kritikon edhe ndërhyrjen e kryeministrit në terren: “Nuk ka kryeministër në Europë që merret me tenda, vazo apo nënkryetarë bashkie. Kjo dëmton demokracinë lokale.”
Presioni ndaj drejtësisë: Akuzat që ndezën debatin
Për herë të parë në mënyrë të drejtpërdrejtë, kryeministri Edi Rama akuzoi publikisht gjyqtarë se po pengojnë aksionin. Vendimi i gjyqtarit Klarent Demiri për të pezulluar prishjen e një ndërtimi pa leje shkaktoi shpërthimin e Ramës në rrjetet sociale. “Çfarë duhet të ketë ngrënë ky gjyqtar kur bllokon çlirimin e një “toke të xanun?”.
Ai përmendi edhe raste të tjera, si prokuroren Elsa Gjeli dhe gjyqtarin Hazni Balliu, duke kërkuar hetim nga KLGJ. Deklaratat ndezën polemika të forta mbi kufijtë mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor, me kritika për presion politik dhe mbrojtje të pavarësisë së drejtësisë.
Në terren, hapësira të çliruara apo rikthim i kaosit?
Policia e Shtetit bën të ditur se deri më tani janë vënë në pranga 11 persona dhe janë proceduar penalisht 141 të tjerë. Në nëntor, Kryeministri Rama deklaroi se në Tiranë janë liruar 100 mijë m² hapësirë publike. Por, realiteti është më kompleks:
- Shumë biznese kanë hequr tendat, por kanë shtuar karriget, duke rikthyer kaosin.
- Të tjerë janë mbyllur, duke lënë pas punëtorë të papunë.
- Në disa lagje, inertet nga aksioni janë ende aty pas 6 muajsh.
- Qytetarët raportojnë pabarazi: “Njerit ia prishin rrethimit, tjetrit jo”.
“Kjo krijon një pabarazi sociale dhe nuk janë sjellje të mira,” thekson Haxhimali.
Aksionet e Kryeministrit, nga “emergjenca” në bregdet, te konfiskimet në Tiranë
Lirimi i hapësirave publike në 2025 nuk është aksioni i parë masiv i qeverisë Rama kundër zaptimit dhe ndërtimit pa leje. Në fakt, qasja me “aksione të mëdha” është një element i përsëritur i stilit të tij të qeverisjes.
Në gusht 2013, sapo ishte zgjedhur kryeministër, Rama e shpalli “emergjencë kombëtare” pastrimin e bregdetit nga ndërtimet abuzive. Aksioni solli shembje të shumta, sidomos në zonat turistike, por u kritikua për mungesë ndëshkimesh ndaj institucioneve që i kishin toleruar prej vitesh ato ndërtime.
Pas fitores së zgjedhjeve të vitit 2021, qeveria nisi një tjetër operacion, të quajtur “Bregdeti ynë”. Sërish u premtuan shembje të ndërtimeve pa leje, verifikime masive dhe nxjerrja para ligjit e përgjegjësve. Edhe ky aksion pati bujë mediatike, por rezultatet konkrete u zbehën brenda pak muajsh.
Në vjeshtën e vitit 2022, qeveria miratoi një akt normativ për konfiskimin e shtesave pa leje në kullat e Tiranës, ndërhyrjen më agresive kundër shkeljeve urbane në kryeqytet. Por, aksioni u kthye në debat kombëtar kur, një vit e gjysmë më vonë, qeveria ua riktheu godinat pronarëve që kishin shkelur ligjin, me çmime 10 herë më të ulëta se vlera e tregut./acqj.al