Kujtimet tona nën rrënoja: Pallatet e rinj po fshijnë historinë e Tiranës

Tirana po humb kujtesën e saj historike, nën petkun e një zhvillimi që i shërben më shumë interesave ndërtimore sesa qytetit dhe qytetarëve. Vilat e vjetra, ballkonet me harqe dhe ndërtesat me histori shekullore po zëvendësohen me kulla pa identitet. Heqja e statusit të mbrojtjes për monumentet e kulturës ndodh në mënyrë të mbyllur, pa transparencë e pa debat publik. Rasti i Teatrit Kombëtar është simboli i kësaj fshirjeje të kujdesshme të kujtesës kolektive. Sot, Tirana është kthyer në një qytet spektakli, ku fasadat mbulojnë zbrazëtinë dhe historia fshihet pas skelave. Pa trashëgimi, nuk ka identitet dhe pa identitet, një qytet rrezikon të bëhet thjesht një hapësirë ndërtimi, jo një vend për të jetuar.

Denada Jushi

Tirana e fasadave me ngjyra të verdha e objekteve që ndertuara nga Italianët, tek vilat e kohës së Mbretit Zog apo ballkonet me harqe të stilit austro-hungarez duket se dotë mbetet vetëmnë fotografi.

Arkitektja Doriana Musai thotë se objektet historike po zëvendësohen sistematikisht me ndërtime të reja pa ndjeshmëri kontekstuale dhe pa lidhje me hapësirën urbane të Tiranës, e cila po humb njëherazi fizionominë dhe kujtesën e saj historike.

Tirana po e humb fytyrën si dhe po humb kujtesën. Dhe bashkë me të, po humbim edhe ne qytetin që njihnim.

“Tiranën nuk e njoh më”

Ky ndryshim nuk është thjesht pasojë e kohës apo progresit. Eshtë një politikë e heshtur,  e mirëmenduar, një strategji e braktisjes për të justifikuar shembjen.

Kur një vilë historike lihet në mëshirë të kohës, pa asnjë investim restaurimi, ajo fillon të rrënohet. Pastaj, me një vendim teknik në duar ekspertësh, shpallet si “një objekt pa vlera” dhe humbet statusin e mbrojtjes. Vite më parë në disa prej këtyre vilave binte zjarr…

Ajo çka të surprizon rast pas rasti është më pas, si me magji, trualli që kthehet në një kantier ndërtimi.

Një qytet i ri po lind por pa kujtesë e pa rrënjë.

Sipas Ligjit nr. 27/2018 për trashëgiminë kulturore, një objekt humbet statusin nëse nuk mban më vlerat për të cilat është shpallur i tillë. Por ky është një proces i mbyllur, i padukshëm për publikun. Vendimi merret nga një numër i vogël ekspertësh dhe zyrtarësh, pa diskutim, pa konsultim, pa gjurmë. Mjafton një firmë për ta nxjerrë jashtë mbrojtjes një objekt që ka jetuar një shekull.

Natyrisht që ka raste të degradimit natyror, por terreni tregon se me shumë kemi të bejmë, me një degradim të programuar. Një politikë e fshirjes së kujtesës përmes harresës dhe mosveprimit. Rasti më tipik ishte ai i

Teatri Kombëtar. .Një ndërtesë që i takonte trashëgimisë së kryeqytetit e projektuar nga italianët në vitet ’30, që mbarti ngjarje historike dhe kulturore për gati një shekull , u shemb në 2020 në emër të “zhvillimit”. Fadromat që e shembën Teatrin pavarësisht protestave dhe qendresës janë ende të freskëta në memorjen tonë.

Për Urbanisten Doriana Musai, procesi ishte i shpejtë, i mbyllur, e rasti i Teatrit Kombëtar është emblemë e kësaj praktike, pasqyron një model vendimmarrjeje të mbyllur dhe vertikale, ku shteti është aktori i vetëm dhe nuk merr parasysh komunitetin apo vlerësimin alternativ të trashëgimisë urbane.

Sipas një investigimi të Citizens Channel gjatë viteve 2020–2021, vilat historike në rrugët e Tiranës si përshëmbull ajo e Dibrës, Blloku, Kont Urani, Pazari i Ri, janë shembur ose kanë humbur statusin. Në 2015, në qarkun e Tiranës kishte 299 monumente kulture, 123 prej tyre vila. Deri në 2021, 37 kishin humbur statusin , 35 prej tyre brenda qytetit.

Sinjalizo kontaktoi Institutin e Monumenteve të Kulturës ( IKTK) e cila thotë se vetëm katër objekte e kanë humbur zyrtarisht statusin nga 2021–2025. Por terreni tregon të kundërtën. Gjysma e objekteve të mbrojtura janë sot të braktisura. Janë fshehur pas skelave dhe kantiereve të ndërtimi. Në dukje për “rindërtim”, në të vërtetë për shembje të heshtur që i pret në vijim.

Lorin Kadiu thotë se institucionet kanë vulosur shkatërrimin e monumenteve të kulturës. IKTK e as Ministria e Kulturës nuk ka akorduar asnjë fond për mirembajtjen e vilave monument kulture, të paktën në 5 vitet e fundit nga momenti i vëzhgimit  të Citizens Channel,  por edhe sot situata duket e njëjtë,

Tirana, qytet spektakli

Ligji Nr. 107/2014 për Planifikimin e Territorit premton mbrojtje për trashëgiminë por Plani i Përgjithshëm Vendor i Tiranës (TR030), miratuar në 2017 dhe rishikuar më 2019, i konsideron shumë prej këtyre zonave si zona zhvillimi. Pra, shteti vetë i jep leje shembjes në dokumentin që duhet ta mbrojë qytetin. Kjo është kontradiktë, që ka sjellë pikërisht këtë kaos me humbjen e statusit të monumentit të kultures dhe mbrojtjes që këto godina kishin.

Urbanistët flasin për një Tiranë që po kthehet  “një qytet spektakli”, por është më shumë se kaq Tirana po humbet të gjitha gjurmët e qytetit që ishte

Tirana është një qytet që po sterilizohet në emër të fitimit. Po ndërtohet jo për njerëzit, por për konsumerizmin. Jo duke patur një koncept për të ardhmen, por llogaritë e parave të shpejta të së tashmes.

Tirana nuk mund të jetë vetëm një hapësirë ndërtimi. Ajo duhet të jetë edhe kujtese. Pa kujtesë, nuk ka identitet. Dhe pa identitet, nuk ka qytet .

Siç thotë një maksime e vjetër: qytetin nuk na e kanë lënë trashëgim prindërit, por ua kemi borxh fëmijëve!

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/