Kompanitë e ndërtimit në “sitën” e Tatimeve: Paga fiktive dhe kontrata informale

Ndërtimi është një nga motorët kryesorë të ekonomisë shqiptare, por edhe një nga sektorët më të errët për informalitetin. Pas kullave dhe projekteve milionëshe, fshihen paga fiktive, punë e padeklaruar, shitje “cash” pa faturë dhe skema me furnitorë fantazmë. Administrata Tatimore ka futur në sitë mijëra kompani ndërtimi, duke zbuluar një zinxhir abuzimesh që shtrihet nga leja e ndërtimit deri te shitja finale e apartamenteve.

Ida Ismalaja

Nga pagat minimale te shitjet “cash” pa faturë, sektori i ndërtimit mbetet një nga burimet kryesore të informalitetit në ekonomi. Administrata Tatimore ka vënë në lëvizje një plan të ri menaxhimi risku, duke futur në sitë 8784 kompani ndërtimi aktive në të gjithë vendin. Qëllimi kryesor i planit lidhet me adresimin e informalitetit në sektor dhe krijimin e një mekanizmi referues për vlerësimin e pagave mesatare.

strategjinë afatmesme të të ardhurave 2024-2027, ndërtimi konsiderohet një nga sektorët kyç për arkëtimet buxhetore. Megjithatë, pas shifrave zyrtare fshihet një realitet problematik me paga nën nivelin real të tregut, punë të padeklaruar dhe përdorim faturash fiktive. Drejtoria e Menaxhimit të Riskut e ka identifikuar ndërtimin si sektor me risk të lartë fiskal, që nga leja e ndërtimit deri te shitja finale e apartamenteve.

Sipas analizës së Tatimeve, problemi kryesor lidhet me mosdeklarimin e plotë të xhiros dhe sipërfaqeve. Kjo përfshin deklarimin e çmimeve të shitjes nën nivelin e tregut dhe poshtë çmimeve referencë, si edhe shitjet “cash” pa lëshim fature apo fiskalizim, veçanërisht në fazat e para të projekteve përmes kaparëve dhe parapagimeve informale.

Një tjetër risk i lartë lidhet me nëndeklarimin e kostove të punës dhe punësimin informal. Konstatohet një numër i ulët punonjësish të deklaruar në raport me volumin e punimeve, paga shumë më të ulëta se niveli mesatar i tregut për profesionet e ndërtimit dhe përdorimi i punëtorëve të përkohshëm ose të padeklaruar në fazat intensive të punimeve.

Sipas analizës së Tatimeve, rreth 25% e punonjësve në ndërtim deklarohen me paga 40–50 mijë lekë, shumë më poshtë se niveli real i tregut për profesionet e këtij sektori. Ekspertja e punës Gertjana Hasalla thekson se ndërtimi është ndër sektorët me përqindjen më të lartë të punonjësve me paga të ulëta dhe njëkohësisht me rrezik të lartë për aksidente.

“Sektori i ndërtimit përbën rreth 24% të aksidenteve në punë dhe përmbën një nga sektorët me paga më të ulëta në treg,” shprehet ajo.

Problem serioz mbetet përdorimi i furnitorëve fiktivë dhe faturave të rreme për të rritur artificialisht kostot dhe për të ulur fitimin e tatueshëm dhe TVSH-në për t’u paguar. Tatimet kanë evidentuar raste të shumta të përdorimit të kompanive “guackë”, subjekte pa aktivitet real apo pa staf, si dhe furnitorë me histori mospagesash.

Janë konstatuar gjithashtu mospërputhje mes lejeve të ndërtimit dhe deklarimeve tatimore, ku sipërfaqet e deklaruara për qëllime fiskale rezultojnë më të vogla se ato të miratuara në leje ose të regjistruara në kadastër. Në shumë raste projektet janë të përfunduara fizikisht, por të ardhurat deklarohen me vonesë ose vetëm pjesërisht.

Për shkak të volumit të lartë të transaksioneve “cash” dhe vështirësisë në përcaktimin e kostos reale të ndërtimit, sektori shihet si i ekspozuar ndaj pastrimit të parave. Raportet sinjalizojnë përdorimin e projekteve ndërtimore për riciklim kapitali me origjinë të dyshimtë, përmes shitjeve informale dhe deklarimeve të pjesshme.

Administrata Tatimore ka paralajmëruar kontrolle të thelluara ndaj subjekteve që nuk deklarojnë paga reale sipas profesioneve, mbajnë punonjës në nivel minimal, nuk fiskalizojnë çdo shitje apo arkëtim paradhënie, përdorin furnitorë fiktivë, nuk përputhin sipërfaqet e ndërtimit me lejet zyrtare dhe krijojnë borxhe të reja tatimore, kryesisht në TVSH.

Ndërtimi mbetet një motor i rëndësishëm i ekonomisë, por njëkohësisht një nga sektorët më problematikë për informalitetin. Vendosja e pagave referuese, monitorimi elektronik dhe analiza e thelluar e riskut janë të domosdoshme, por pa zbatim real dhe ndëshkim efektiv, mbeten masa të pamjaftueshme./acqj.al