Jeta në errësirë, të verbërit pa përkrahjen e shtetit

Në Shqipëri, jeta për personat e verbër është një betejë e përditshme për dinjitet. Pa infrastrukturë të përshtatur, pa mbështetje reale nga shteti dhe me pagesa të pandryshuara prej 15 vitesh, 13.500 qytetarë jetojnë në errësirë, jo vetëm fizike, por edhe institucionale. Historia e Elsonit dhe mijëra të tjerëve zbulon një realitet ku ligjet për barazi ekzistojnë vetëm në letër, ndërsa kërkesa e tyre mbetet e thjeshtë: të jetojnë me dinjitet dhe pavarësi.

Ida Ismalaj

Në kuadër të 15 Tetorit, Ditës Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, komuniteti i të verbërve në Shqipëri zhvilloi një marshim sensibilizues, me një thirrje të fortë për mbijetesë dhe dinjitet. Rreth 13.500 persona të verbër përballen çdo ditë me mungesë infrastrukture, probleme në arsimim dhe punësim.

Elson Sinani, 22 vjeçari nga Gramshi është një nga qindra të rinj të verbër që përballen çdo ditë me pengesa të panumërta. “Që kur dal nga shtëpia më duhet të marr shoqërues, pasi në rrugë nuk ka shirita apo semaforë akustikë. Studimet i ndjek në Elbasan, pasi në të ardhmen dua të punoj si punonjës social për qytetin tim,” shprehet ai.

Familja e Elsonit ka dy fëmijë të verbër, shoqërues për ta janë prindërit, të cilët jetojnë në kushte të vështira ekonomike. Pagesa e kujdestarëve prej vetëm 14 mijë lekësh është shumë larg kostove reale që përballojnë familjet. Për më tepër, atyre nuk u njihen kontributet shoqërore, duke i lënë jashtë çdo sigurie për të ardhmen. Kërkesa e tij është që pagesa të jetë të paktën sap aga minimale.

Krahas arsimimit, sfidë për personat e verbër është edhe punësimi. Nënkryetari i Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë shprehet se as 1% e të verbërve nuk është i punësuar siç e parashikon ligji për punësimin e personave me aftësi të veçanta dhe arsimim.

Bukuria, një zonjë e verbër tregon se ka dy diploma universitare dhe eksperiencë si moderatore në radio lokale, por ende nuk ka arritur të gjejë një punë të paguar. “Punoj vullnetarisht në një radio në Elbasan. I jam drejtuar disa herë zyrave të punës, por nuk kam marrë asnjë përgjigje,” shprehet ajo.

Një tjetër plagë e hapur është mospërditësimi i pagesave për personat e verbër. Hera e fundit që këto pagesa pësuan një rritje reale ishte në vitin 2009. Që prej asaj kohe, ato janë rritur vetëm nominalisht, duke ndjekur inflacionin, por pa reflektuar koston reale të jetesës.

Presidenti i Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë Jonit Ferhati iu drejtua qeverisë me disa kërkesa: Rikthimin e shërbimeve të specializuara publike për personat e verbër në fushat rehabilitim, arsim të përshtatur, trajnim profesional, punësim të asistuar dhe pajisje ndihmëse që sigurojnë pavarësi funksionale; Rritjen e pagesave për shkak të verbërisë, me qëllim sigurimin e kushteve të barabarta për pjesëmarrje dhe jetëse të dinjitetshme. Hera e fundit që është bërë rritje reale e këtyre pagesave ka qenë në vitin 2009, ndësa për më shumë se një dekadë jetesa e pjesëmarrjes nuk ka reflektuar rritjen e kostove të jetesës; dhe vendosjen e një skeme të detyrueshme të ndihmës ekonomike për të gjithë personat e verbër të papunësuar, në mënyrë që askush të mos mbetet pa të ardhura minimale për shkak të mungesës së aksesit në tregun e punës.

Në kushte ku çmimet e ushqimeve, qirave, transportit dhe shërbimeve bazë janë rritur ndjeshëm, shumë të verbër mbijetojnë me të ardhura minimale.

“Ne kërkojmë që pagesat të rishikohen dhe të pësojnë rritje reale. Duam të jetojmë me dinjitet, të mos jemi të varur,” është thirrja e të verbërve.

Prej më shumë se një dekadë, komuniteti i të verbërve në Shqipëri është përballur me mungesë të theksuar mbështetjeje institucionale. Që nga viti 2014, asnjë shërbim i specializuar për rehabilitim, arsimim të përshtatur, orientim e lëvizshmëri, punësim të asistuar apo mbështetje teknike nuk është ofruar nga shteti, pavarësisht detyrimeve të përcaktuara në ligjet kombëtare dhe në Konventën e OKB-së për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara.

Në një vend ku politika shpesh flet për integrim e barazi, 13.500 qytetarë të verbër kërkojnë vetëm atë që u garanton ligji dhe konventa ndërkombëtare: Një jetë me dinjitet dhe të pavarur. acqj.al