Denada Jushi
Institucionet e dobëta, mungesa e transparencës dhe presioni mbi mekanizmat e kontrollit demokratik vazhdojnë të mbeten sfidat kryesore për vendet e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore në luftën kundër korrupsionit.
Kështu pasqyrohet situata në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit 2025, të publikuar nga Transparency International, një raport që vendos në qendër të analizës edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, si dy vende që ndodhen ende në një fazë të brishtë reformash institucionale.
Por a është vetëm Shqipëria në këtë situatë?
Në fakt, nga të dhënat duket se rajoni në tërësi vazhdon të mbetet nën mesataren globale, me një rezultat prej vetëm 34 pikësh nga 100, çka sipas raportit tregon një “ngecje” të reformave dhe dobësi të vazhdueshme të institucioneve. Në këtë kontekst, Shqipëria renditet me 39 pikë, duke reflektuar progres të kufizuar dhe probleme strukturore që lidhen kryesisht me transparencën në vendimmarrje, menaxhimin e fondeve publike dhe forcën e munguar të institucioneve mbikëqyrëse.
Një nga shqetësimet kryesore të evidentuara në raport është mungesa e transparencës në projektet e mëdha të investimeve dhe përdorimi i gjerë i procedurave jokonkurruese.
Transparency International thekson se në Ballkanin Perëndimor vendimet për projekte me vlerë të lartë shpesh merren me transparencë të kufizuar, duke rritur rrezikun e korrupsionit dhe duke ulur besimin e publikut te institucionet. Në rastin e Shqipërisë, raporti përmend rrezikun e degradimit mjedisor në lidhje me zhvillimet e planifikuara në ishullin e Sazanit, duke e lidhur këtë me mungesën e qartësisë në proceset vendimmarrëse.
Në të njëjtën kohë, raporti evidenton se një nga pengesat më të mëdha në luftën kundër korrupsionit mbetet reagimi ende i pamjaftueshëm i sistemit të drejtësisë. Edhe pse reforma në drejtësi në Shqipëri është konsideruar si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të institucioneve, sfidat mbeten të shumta, sidomos në garantimin e pavarësisë së plotë të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe në shmangien e presioneve politike. Për një vend që ka ndërtuar pritshmëri të larta mbi rezultatet e reformës në drejtësi, perceptimi i publikut mbi korrupsionin mbetet një test i drejtpërdrejtë për efektivitetin real të saj.
Nga ana tjetër, Kosova, ndonëse nuk trajtohet gjerësisht në raportin rajonal, mbetet pjesë e të njëjtës panoramë sfidash. Problemet me sundimin e ligjit, perceptimi për ndikim politik mbi institucionet dhe vështirësitë në ndëshkimin e korrupsionit të nivelit të lartë vazhdojnë të ndikojnë në vlerësimet ndërkombëtare. Ekspertët e antikorrupsionit kanë theksuar prej vitesh se mungesa e rezultateve të prekshme në rastet e profilit të lartë dëmton besimin qytetar dhe krijon perceptimin e pandëshkueshmërisë, një faktor kyç që ushqen korrupsionin.
Raporti i Transparency International nënvizon gjithashtu se regresi demokratik dhe përqendrimi i pushtetit janë faktorë që rrisin rrezikun e korrupsionit në rajon. Dobësimi i kontrollit institucional, presioni mbi median dhe kufizimi i hapësirës qytetare krijojnë një mjedis ku abuzimi me pushtetin bëhet më i lehtë dhe më pak i ndëshkueshëm. Edhe pse Shqipëria dhe Kosova nuk përmenden si raste ekstreme, problematika e transparencës dhe tensionet politike vazhdojnë të ndikojnë në perceptimin e përgjithshëm mbi integritetin institucional.
Në paralelizëm, raporti sjell si shembuj pozitivë vende si Ukraina dhe Moldavia, ku presioni i shoqërisë civile, medias dhe institucioneve të pavarura ka ndikuar në avancimin e reformave antikorrupsion, pavarësisht sfidave të mëdha politike dhe gjeopolitike. Ky krahasim është i rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor, pasi tregon se progresi nuk lidhet vetëm me ndryshime ligjore, por me funksionimin real të mekanizmave të llogaridhënies.
Për Shqipërinë dhe Kosovën, sfida mbetet e njëjtë: kalimi nga reforma të premtuara me bujë te rezultatet e prekshme. Në të dy vendet, proceset integruese drejt Bashkimit Evropian e kanë vendosur luftën kundër korrupsionit në qendër të axhendës politike, por raporti sugjeron se përparimi matet jo vetëm me miratimin e ligjeve, por me zbatimin e tyre dhe me forcimin e institucioneve që garantojnë kontroll dhe transparencë.
Në fund, mesazhi i raportit është se korrupsioni nuk është një fenomen i pashmangshëm. Ai lulëzon aty ku institucionet janë të dobëta, ku drejtësia është e cenueshme dhe ku hapësira qytetare kufizohet. Për Shqipërinë dhe Kosovën, sfida e viteve në vijim do të jetë forcimi i këtyre elementeve, duke e kthyer luftën kundër korrupsionit jo vetëm në retorikë apo premtim politik, por në një shpresë reale përmirësimi.
Përndryshe, perceptimi i korrupsionit do të vazhdojë të mbetet një nga pengesat kryesore në ndërtimin e besimit publik dhe në rrugën drejt BE-së./acqj.al