Fatura mbi bidon, Rama “godet” shitësit ambulantë

Nga 11 korriku, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se nuk do të lejojë më tregtimin e qumështit, bulmetit, si edhe mishit pa faturë tatimore. Më të prekurit nga vendimi janë shitësit ambulantë, të cilët çdo ditë tregtojnë në rrugët e kryeqytetit produktet që ata i sigurojnë nga bujqësia dhe blegtoria. Për ekspertët e sigurisë ushqimore, ky vendim nuk rrit garancinë ushqimore apo formalizimin e tregut.

Ida Ismalaj

Nga 11 korriku, kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se nuk do të lejojë më tregtimin e qumështit, bulmetit, si edhe mishit pa faturë tatimore. Kjo masë, sipas kreut të qeverisë do formalizojë tregun, garanton sigurinë ushqimore dhe shëndetin e konsumatorëve, duke sjellë gjurmueshmërinë e produktit nga ferma te tavolina e konsumatorit, pjese e axhendës për integrimin në Bashkimin Europian.

Më të prekurit nga vendimi janë shitësit ambulantë, të cilët çdo ditë tregtojnë në rrugët e kryeqytetit produktet që ata i sigurojnë nga bujqësia dhe blegtoria. Një ndër ta është Osmani, i cili çdo ditë përshkon rrugën nga Lundra për të shitur produktet e tij.
Osmani tha: “Blegtoria dhe bujqësia ka rënë përtokë, nuk kemi asnjë ndihmë nga shteti. Çdo gjë e kemi krijuar me djersën e ballit, ku të shkojmë? Nuk kam pension dhe asnjë të ardhur tjetër”.
Eksperti i sigurisë ushqimore Ervin Resuli shprehet se ky vendim nuk rrit garancinë ushqimore apo formalizimin e tregut, por godet sidomos shitësit ambulantë, që duhet të ishin hallka e fundit që mund të prekeshin. Resuli u shpreh: “Një vendim që në plan të parë duket i mirë në aspketin e mostregtimit të produkteve ushqimorë në kushte jo higjenike, por në thelb nuk rrit garancinë ushqimore. Shitësi ambulant e ka të pamundur të shesë me faturë”.
Teksa produktet e importit po dominojnë tregun, një pjesë e konsumatorëve zgjedhin të konsumojnë produkte vendase. Një qytetare shprehet se blen prej vitesh tek shitësit ambulantë, pasi produktet janë më të shëndetshme se ato që vijnë nga jashtë vendit.
Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se prodhimi i qumështit dhe i nënprodukteve të tij vëndase kanë pësuar rënie, duke u favorizuar ndjeshëm importet. Shifrat zyrtare tregojnë se nga viti 2020 deri në fund të 2024 janë blerë nga jashtë 300 milionë euro bulmet dhe 383 milionë euro produkte mishi dhe nënprodukte të tij.

Ky artikull u krijua bazuar në të dhëna të siguruara nga individë që kanë zgjedhur të ngrenë zërin. Ndani historinë tuaj, fuqizojini të tjerët dhe bëhuni faktor për ndryshim. Vizitoni faqen: www.acqj.al/sinjalizo-dhe-ti/