Në Shqipëri, dezinformimi politik nuk është një anomali sporadike apo thjesht produkt i padisë mediatike, është një strukturë sistematike e ndërtuar dhe mirëmbajtur nga lidhjet e ngushta midis politikës, biznesit dhe mediave. Propaganda politike gjen një terren të përgatitur mirë, ku informacioni i vërtetë përmbytet nga narrativat e prodhuara për të shërbyer qëllimeve të momentit.
Në thelb të këtij sistemi qëndron struktura pronësore e mediave, e cila në Shqipëri mbizotërohet nga familje dhe grupe biznesi që zotërojnë njëkohësisht media dhe aktivitete në sektorë të tjerë strategjikë si ndërtimi, telekomunikacioni, energjia, apo pasuritë e paluajtshme. Ky konfigurim e bën median të varur nga fondet publike dhe, si rrjedhojë, të ndikuar drejtpërdrejt nga pushteti politik. Një raport i “Media Ownership Monitor Albania” i BIRN zbuloi sesi disa prej grupeve më të fuqishme mediatike përfitojnë ndjeshëm nga kontratat shtetërore, çka përkthehet në mbështetje editoriale për qeverinë.
Kjo varësi ushqen një praktikë tashmë të përhapur në redaksitë shqiptare: “churnalism”, ose riciklimi i lajmeve të parapërgatitura nga zyrat e PR-it të institucioneve publike. Një studim i MediaLook zbuloi se përmbajtja e kronikave të transmetuara nga disa prej televizioneve kombëtare përputhej në 93-98% me njoftimet për shtyp të Bashkisë së Tiranës.
Për më tepër, programet televizive të debatit politik, që në teori duhet të jenë hapësira për diskutim të lirë dhe përballje idesh, janë shndërruar shpesh në produkte të shitura, ku politikanët ose bizneset blejnë kohën televizive për të kontrolluar narrativën. Moderatorët dhe drejtuesit e programeve rrëfejnë se shpesh janë të detyruar të ftojnë të njëjtët persona dhe të bëjnë pyetjet e dakorduara më parë, një parodi e gazetarisë së lirë.
Në këtë klimë të shtrënguar, vetë gazetarët janë të ekspozuar ndaj censurës strukturore dhe vetëcensurës. Pa kontrata pune të rregullta dhe me një pozicion të dobët në hierarkinë redaksionale, ata përballen me presione politike, veçanërisht nëse guxojnë të publikojnë investigime në media me financime të huaja ose jashtë kontrollit të qeverisë. Raportet e MOM dhe BIRN dokumentojnë raste ku gazetarët janë sulmuar publikisht pasi kanë ekspozuar abuzime me fondet publike.
Nga ana tjetër, një dimension thelbësor i mungesës së rezistencës ndaj këtij fenomeni mbetet niveli i ulët i edukimit mediatik. Kurrikulat arsimore në nivelet parauniversitare dhe universitare rrallëherë përfshijnë analiza kritike të burimeve të informacionit, duke lënë brezin e ri të pambrojtur ndaj manipulimeve, lajmeve të rreme apo panikut moral që shoqëron shpesh rritjen e përdorimit të teknologjisë.
Nga struktura te strategjia: Rasti TikTok si pasqyrim i një modeli dezinformimi
Kjo panoramë komplekse e kapjes së informacionit dhe shpërndarjes së propagandës shpjegon sesi rasti TikTok nuk ishte një veprim i izoluar por një manifestim i një modeli të ndërtuar për të prodhuar kontroll narrativ. Vendimi për të mbyllur platformën, me justifikimin e një këshillimi me prindërit, u shpall si reagim ndaj një ngjarjeje tragjike, por në fakt shërbeu për të zhvendosur vëmendjen publike nga dështimet e sistemit të sigurisë në shkolla dhe për të goditur një hapësirë të pavarur komunikimi politik – një rrjet social ku partitë e reja dhe zërat alternativë kishin gjetur ndikim.
Më 13-nëntor 2024, si rezultat i konfliktit të disa të rinjve, shumë pranë ambienteve të shkollës Fan Noli në Tiranë, Martin Cani, 14-vjeç humbi jetën pasi u godit me thikë nga bashkëmoshatari i tij Mario Prelleshaj, ndërsa Luis Meçja përfundoi në Spitalin e Traumës me plagë të rënda, që fatmirësisht nuk rezultuan fatale për të.
Ngjarja tronditi opionin publik të cilët nisën protestat masive para Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar dorëheqjen e kreut të këtij dikasteri, si një akt përgjegjësie për dështimin e një sistemi të tëre të sigurisë në shkollat publike të arsimit para universitar.
E gjendur nën kushtet e këtij presioni të qytetarëve, kryesisht prindër dhe adoleshentë, kryeministri Rama shënjestroi publikisht rrjetin social “TikTok”, si një influencë e keqe për brezin e ri, ndërsa njoftoi se do të niste një këshillim kombëtar me prindërit, për të marrë mendimin e tyre lidhur me mbylljen ose jo të platformës sociale.
Një muaj më vonë nga ngjarja tragjike, ndërsa protestat para MAS vijonin, qeveria Rama mbajti një takim përmbyllës së Këshillimit Kombëtar ku u prezantuar reforma në arsimin para universitar, që përfshinte një sërë masash mbi rritjen e sigurisë dhe nevojën për edukimin e brezit të ri në raport me mediat e reja. Gjithashtu, kryeministri njoftoi mbylljen e TikTok, të cilin e cilësoi si “rrugaçin e lagjes”, si një masë të përkohshme një vjeçare dhe nisjen e një dialogu me platformën për të rritur filtrat e sigurisë.
“Kjo masë”, – u shpreh kryeministri, “është kërkuar edhe nga 90% e 65 mijë prindërve të anketuar në 1300 takimet e organizuara në të gjithë territorin e vendit, në kuadër të Këshillimit Kombëtar me mësues dhe prindër”.
Vendimi për mbylljen e TikTok, papritur zhvendosi diskursin politik, vëmendjen e opinionit publik dhe të medias, të cilët raportuan për një masë të paprecedentë dhe radikale, pasi Shqipëria do të ishte vendi i parë në BE, që do të mbyllte plotësisht rrjetin social.
Ngjarja mori përmasa ndërkombëtare, ndërsa vetë TikTok reagoi në një intervistë për Associated Press duke theksuar se “nuk është gjetur asnjë provë që autori i vrasjes apo viktima të kenë patur llogari në TikTok dhe se shumë të dhëna tregojnë se videot që mund të kenë lidhje me incidentin janë postuar në një platformë tjetër”, duke iu referuar SnapChat-it.
Debati u amplifikua nga vetë kreu i qeverisë i cili iu përgjigj publikisht se:“Ndalimi i TikTokut për (të paktën) një vit në Shqipëri, nuk është një reagim i nxituar ndaj thjesht një ngjarjeje, por një vendim i këshilluar gjerësisht me komunitetet e prindërve në shkollat e gjithë Shqipërisë. TikToku nuk ka çfarë sqarimesh kërkon nga Shqipëria, sepse në Shqipëri vendosin shqiptarët jo pronarët e algoritmit të TikTokut”, – shkruante kryeministri Rama në rrjetin X, më 22 Dhjetor 2024.
Zgjedhja e presidentit Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhe dhe qasja e tij për mos mbyllur menjëherë TikTok pati ndikimin e tij në zbutjen e deklaratave edhe nga kryeministri Rama. Një muaj pas konfrontimit verbal me TikTok, kreu i qeverisë shfrytëzoi Forumin Ekonomik Botëror të Davos për një folur në lidhje me qasje të re me rrjetin social. Ai diskutoi për mundësinë e një rihapje të platformës, ndonëse Shqipëria ende nuk e kishte mbyllur zyrtarisht atë: “Një diskutim me frymë konstruktive, ku vendosëm piketa bashkëpunimi në javët e muajt në vijim për të siguruar rihapjen e TikTok në një kohë sa më të arsyeshme, por sigurisht me të gjitha garancitë e nevojshme në mungesë të të cilave jemi të detyruar ta mbyllim së shpejti aksesin në platformë”, – njoftoi Rama pas një takimi me përfaqësuesen e lartë të TikTok, Christine Grahn.
Koha tregoi se menaxhimi i situatës së tensionuar pas vrasjes së minorenit 14-vjecar dhe menaxhimi i krizës së sigurisë në shkolla nëpërmjet deklaratës së bujshme për mbylljen e TikTok ishte një “dead cat strategy”. Gjithë vëmendja u përqendrua te “macja e ngordhur” (mbyllja e TikTok) që u hodh paritur në tryezë nga kryeministri Rama.
Por, kjo strategji mbarte edhe një funksion të dytë: mbylljen e një platforme atipike komunikimi si TikTok nga subjektet e reja politike.
Për pedagogun e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, Ervin Goci, nxitimi për të mbyllur TikTok, në prag të fushatës elektorale, nuk mund të mos kishte lidhje me fushatën zgjedhore: “…ka qenë e qartë që kemi të patur të bëjmë me një manovër elektoraliste tipike, që bëhej me një synim konkret dhe praktik: Pengimin e kryerjes së fushatës nga aktorë konkurrent, me performancë më të mirë dhe jashtë kontrollit të mekanizmave që përdor pushteti për të ndikuar komunikimin virtual”.
Në fillim të muajit mars, Këshilli i Ministrave miratoi VKM-në nr.15 “Për marrjen e masave të përkohshme për shmangien e ndikimeve negative të platformës online Tik Tok”, në të cilën ngarkoi Autoritetin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike dhe agjencitë publike të fushës të mbyllin aksesin e rrjetit social në Shqipëri.
Ndonëse plani fillestar i masave për mbylljen e aksesit dështoi, AKSK-ja kërkoi asistencën logjistike dhe teknike të Autoritetet e Sigurisë Kibernetike Izraelite të cilët ndihmuan në aplikimin e teknologjisë DPI për të mbyllur TikTok, ndonëse kjo shkaktoi reagimin e ekspertëve për një rrezik të ekspozimit të të dhënave personale.
Për kryeredaktorin e BIRN Albania, Besar Likmeta, ndalimi i aksesit të platformës përbën një akt censure të këtyre lirive sidomos në kontekstin e një prag fushate: “Mbyllja e TikTok ngre shqetësime serioze për lirinë e shprehjes dhe qasjen e barabartë në hapësirën digjitale gjatë një fushate zgjedhore.”, – analizon Likmeta. Sipas tij, mbyllja e TikTok ndikoi edhe ligjërimin politik përgjatë fushatës zgjedhore, veçanërisht për partitë e reja e reja.