Ola Mitre – All Green Centre
Në vitin 2021, ndryshimet në ligjin për eficiencën e energjisë i detyruan të gjitha bashkitë në Shqipëri të hartonin një Plan Vendor të Veprimit për Eficiencë Energjie (PVVEE) për të ulur konsumin e energjisë në nivel lokal. Megjithatë, vetëm katër bashki kanë përmbushur këtë detyrim, ndërsa shumica e institucioneve vendore nuk kanë miratuar ende një strategji për të përmbushur objektivat ligjore dhe mjedisore.
Problement kryesore të evidentuara:
- Progresi i zbatimit të ligjit: Pas më shumë se tre vitesh nga hyrja në fuqi e ligjit, vetëm bashkitë Roskovec, Berat, Përmet dhe Shkodër kanë miratuar PVVEE-të e tyre. Tirana, Durrësi, Vlora, dhe shumë bashki të tjera nuk kanë ndërmarrë hapa konkretë për të hartuar një plan të tillë.
- Mungesa e njohurive dhe kapaciteteve: Shumë njësi të qeverisjes vendore shfaqin mungesë njohurish mbi detyrimet që parashikon ligji, ndërsa disa të tjera justifikojnë mungesën e planeve me mungesën e burimeve financiare dhe njerëzore.
- Kritikat e ekspertëve: Ekspertët si Fiona Imami dhe Klodian Muço vërejnë se mungesa e këtyre planeve dëmton përpjekjet kombëtare për arritjen e objektivave të vendosura në kuadër të Planit të Integruar të Energjisë dhe Klimës dhe Axhendës së Gjelbër. Ata shtojnë se qytetarët janë ata që e vuajnë më shumë këtë mungesë zbatimi, pasi eficienca energjetike lidhet drejtpërdrejt me mirëqenien dhe shëndetin e tyre.
- Përfitimet e eficiencës energjetike: Hartimi dhe zbatimi i PVVEE-ve do të lejonte uljen e konsumit të energjisë dhe kostove, ndërkohë që do të përmirësonte mjedisin dhe shëndetin publik. Bashkitë, në vend që të investojnë në prodhimin e energjisë së re, duhet të fokusohen në përmirësimin e eficiencës përmes termoizolimit, llambave LED, dhe teknologjive të tjera të avancuara.
Bashkitë shqiptare kanë një përgjegjësi të rëndësishme në përmbushjen e objektivave të vendit në fushën e energjisë dhe klimës. Ekspertët kërkojnë nga bashkitë të përmbushin detyrimet e tyre ligjore dhe të kontribuojnë në mirëqenien e qytetarëve dhe në arritjen e standardeve evropiane mjedisore.
Lexoni artikullin e plotë mbi hulumtimin https://ina.media/2024/11/14/bashkite-deshtojne-ne-ligjin-e-eficiences-se-energjise/